Zv/kryeministri Bujar Osmani dhe ministri i punëve të jashtme Nikolla Dimitrov, janë optimist se vendi do të ketë përkrahjen e Gjermanisë për çeljen e negociatave. Në kuadër të vizitës së punës në Republikën Federale të Gjermanisë ata mbajtën takim me Mihael Roth, Ministër Shtetëror për Evropë në kuadër të Ministrisë për Punë të Jashtme të Gjermanisë. Qëndrimi i Berlinit ndaj çeljes së negociatave ende mbetet i paqartë.
“Fakti se Komisioni do ta publikojë Raportin për vendin tonë më 29 maj, lë hapësirë të kufizuar që parlamentet e Holandës dhe Gjermanisë të munden të kenë qëndrim në lidhje me këtë rekomandim, dhe do të përsëris edhe një herë se nuk ka dilemë politike për faktin se ne meritojmë ta fillojmë këtë proces”, theksoi zv/kryeministri Bujar Osmani
“Nuk ka sinjal për ndonjë dilemë në lidhje me portofolin tonë, flasim kryesisht për procesin dhe për kohën se kur do të ndodhë ai, për shkak se ka shumë faktorë të jashtëm që ndikojnë në këtë proces, ndër tjerash, edhe publikimi i Raportit për këtë vit, dhe koha e shkurtër që e ka Bundestagu të organizojë debat. Sidoqoftë, jemi të inkurajuar dhe këto ditë do të kthehemi në atdhe me përkrahjen e Gjermanisë, si një nga partnerët tanë më të rëndësishëm”, deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme.
