“TOSHE PROESKI” EMRI I RI I ARENËS NACIONALE, HAXHIEVSKI: VENDIM I NGUTSHËM, QYTETARËVE U PËLQEN “STADIUMI I QYTETIT”

TË FUNDIT

Ishte “Stadiumi i qytetit” pastaj u bë “Arena Nacionale Filipi dytë”, për një kohë e mbajti emrin “Telekom Arena” dhe serish u kthye në “Arena Nacionale Filipi dytë”. E së fundmi emri më i ri i stadiumit në Shkup u vendos që të jetë “Toshe Poreski”, emri i këngëtarit tashmë të ndjerë.

Pas këtij vendimi të qeverisë, pati shumë reagime se pse një objekti të sportit, po i vendoset një emër të një këngëtari.

Ish-seleksionuesi i Maqedonisë Gjoko Haxhievski thotë se është një vendim i shpejtë dhe sipas tij për objekte sportive duhet të zgjidhen emra të sportistëve të dalluar.

“Ky vendim ishte i shpejtë dhe nuk la hapsirë për komente dhe polemika. Gjeneralisht, mendoj se për objekte sportive zgjidhen emra të sportistëve të dalluar, legjendave të mëdha, apo edhe emri i presidentit të shtetit. Në disa shtete stadium merr emrin e sponzorit, Arena mund të quhej qoftë “Telekom Arena” apo ndonjë emër të ndonjë tjetër kompanie të madhe shtetërore. Megjithatë do ta përsëris, bëhet fjalë për njërin ndër personat më të dashur në Maqedoni në përgjithësi gjatë historisë”, theksoi ish seleksionuesi i Maqedonisë, Gjoko Haxhievski.

Pyetëm edhe disa qytetarë se çfarë mendojnë për emrin e ri të stadiumit. Shumica prej tyrejanë që stadiumi ta mbaj emrin “Stadiumi i Qytetit”.

“Kjo duhej të emërohej sipas sportistëve të njohur ose do ishte mirë të ishte “Stadiumi i Qytetit”, ashtu siç ka qenë më parë. Është shumë vështirë të vendoset, do thoja, Darko Pançev ose Shaban Tërstena apo kemi edhe shumë legjenda tjera”, shtoi një qytetar.

“Për fat, unë mendoj dhe them se ajo nuk është zgjidhja më e mirë sepse kemi shumë figura tjera historike të cilat kanë merita të mëdha për Maqedoninë, të cilët kanë qenë të angazhuar në periudhë të gjatë. Edhe Toshe Proeski ka rëndësinë e tij në art dhe muzikë dhe është zgjidhje edhe më e mirë nga ajo që ishte deri më tani, “Filipi i Dytë”, sepse ai as nuk që është maqedonas apo nuk ka lidhje me Maqedoninë, ai është nga periudha antike nuk është nga Maqedonia e tanishme”, tha një tjetër qytetar.

“Unë pajtohem me fjalët që i tha basketbollisti ynë, vërtetë duhej të ishte një emër sportisti. Nuk kam asgjë kundër Toshes, atë e duam të gjithë por ai ishe këngëtar. Duhej të mbetej, “Stadiumi i Qytetit”, u shpreh një tjetër qytetar.

Propozimi për ndryshimin e emrit të Arenës nacionale buron nga marrëveshja e Prespës, ndërsa vendimi u morr në seancë qeveritare. Sipas zëdhënësit Muhamed Hoxha asnjë anëtar brenda Qeverisë nuk ishte kundër këtij emri.

“Propozues ishte i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut të ri-emërtohet kjo arenë sportive nacionale nga “Filipi i Dytë”, në Toshe Proeski dhe ky propozim u pranua nga të gjithë”, deklaroi Muhamed Hoxha, zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Zëdhënësi tjetër Mile Boshnjakoski tha se për vendosjen e atij emri, është marrë leje nga vet familja e Toshe Proeskit.

Përgatiti:Mevludin Imeri