Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë vizitës në Shkup, ka vizituar Çarshinë e Vjetër së bashku me përfaqësues të VLEN-it. Ajo është shoqëruar nga bashkëkryetarët Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, si dhe nga përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Bekim Qoku.
Gjatë vizitës, ata kanë bashkëbiseduar me qytetarë dhe zejtarë, ndërsa kanë diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve, projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe mundësitë për thellimin e zgjerimin e bashkëpunimit.
Përmes një postimi, përfaqësuesit e VLEN-it kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Kosovën në funksion të qytetarëve të të dyja vendeve.
Për të burgosurit nuk ka personel shëndetësor të pranishëm 24 orë, ndërsa situata më shqetësuese është në burgun e Idrizovës, ku një mjek kujdeset për rreth 691 persona. Standardi parashikon një mjek për rreth 300 persona. Mungesa e personelit mjekësor, pritjet e gjata për kontrolle specialistike dhe ndërprerjet e terapisë janë problemet kryesore me të cilat përballen të burgosurit në vend. Këto janë gjetjet e hulumtimit të Avokatit të Popullit, të realizuar në 11 institucione korrektuese.
“Nxitës i këtij hulumtimi janë ankesat e të burgosurve, të cilët më së shumti ankohen për mungesë të kuadrove mjekësore në institucione, mos pasja e terapisë së duhur, si dhe vështirësia e qasjes në shëndetësinë sekondare dhe terciare”, tha Faton Selmani. Sa i përket arsyeve për mungesën e personelit mjekësor, Zëvendës-avokatja e Popullit, Sonja Trifunovska theksoi se duhet të analizohet më tej nëse problemi qëndron te interesi i ulët për të punuar në burgje, mungesa e financave apo dobësi të tjera sistemore. Problem paraqesin edhe mungesa e barnave, transporti i vështirësuar drejt spitaleve dhe kujdesi i pamjaftueshëm për shëndetin mendor.
“Për këtë arsye kërkojmë një zgjidhje të përbashkët, të Ministrisë së Shëndetësisë, Fondit të Shëndetësisë dhe Drejtorisë për sanksione, që të gjendet një zgjidhje sistematike që do t’i zgjidhte të gjitha këto probleme”, tha Sonja Trifunovska.
Mesazhi kryesor i raportit është se prioritet duhet të jetë kalimi nga një shërbim i garantuar vetëm formalisht drejt një kujdesi shëndetësor të matshëm, në kohë dhe të vazhdueshëm në çdo institucion korrektues. Nga Misioni i OSBE-së në Shkup kërkojnë rritjen e numrit të personelit mjekësor, furnizim të rregullt me barna dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet institucioneve për përmirësimin e kushteve shëndetësore në burgje.
Një person i dyshuar për dy vrasjet në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit është arrestuar dhe ndodhet në Stacionin Policor të Karposhit.
Deri më tani, Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dhënë konfirmim zyrtar për arrestimin, dhe as informacione për rrethanat në të cilat personi është privuar nga liria apo për bazat e dyshimit.
Nga institucionet kompetente priten më shumë detaje lidhur me ecurinë e hetimeve, si dhe sqarime nëse është konstatuar ndonjë lidhje mes dy rasteve./4NEWS
Një grua 76-vjeçare është gjetur e vdekur mëngjesin e sotëm nga vajza e saj, në shtëpinë e tyre në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, denoncimi është bërë në orën 9:18. Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen, ndërsa në trupin e gruas janë vërejtur shenja dhune.
Me urdhër të prokurorit publik, trupi është dërguar për obduksion, ndërsa policia po heton rrethanat dhe shkaqet e vdekjes. Ky është rasti i dytë brenda pesë ditësh në Gjorçe Petrov, ku një person gjendet i vdekur me shenja dhune. Në rastin e parë, viktimë ishte një burrë 62-vjeçar, i gjetur i vdekur në shtëpinë e tij.
Fillojnë aktivitetet ndërtimore në segmentin e dytë të projektit prej 10 km të Autostradës Shkup-Bllacë. Makineritë e rënda të kompanisë fituese të këtij tenderi kanë zbritur në terren dhe kanë filluar punimet.
Me projektin janë paraparë 5 tunele në të dyja anët, 8 ura, 11 nënkalime, 4 galeri, 9 mure mbajtëse anësore ose rreth 40 objekte, siç i quajnë ndërtuesit. Afati për ndërtimin e kësaj rruge është për 4 vite. Faza e shpronësimit është zgjidhur me mbi 65% dhe nuk do të jetë pengesë si në projektet tjera. Këto punime filluan fiks dy muaj pas hedhjes së gurëthemelit.
Për investimin e segmentit të dytë Shkup-Bllacë janë marr kredi prej 167,6 milion euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa granti nga korniza e BE-së për Ballkanin Perëndimor prej 30,82 milionë euro dhe pjesa e mbetur prej 23,58 milion eurove financohet nga buxheti i N.P. “Rrugët Shtetërore”.
Vetëm projektimi kushtoi 3.1 milion euro, para të siguruara nga grantet, për projektuesit SH.A. “Omega” dhe “Hill International”. Autostrada ka nga dy korsi vozitjeje në të dyja drejtimet, secila me gjerësi nga 3,5 m. dhe nga një korsi emergjente me nga 2,5m. Zëvendësdrejtori i këtij institucioni tha se vonesa dy muaj nga hedhja e gurthemelit ishin për një arsye.
Kompania që do ta ndërtoj5 segmentin e autostradës prej 10,5 km është “Granit”, e cila ka firmosur kontratën me shtetin dhe që sot nisi punimet në terren dhe do të kushtojë 222 milionë euro së bashku me pesë vjet mirëmbajtje pas inaugurimit të rrugës, e cila pritet të bëhet në verën e vitit 2030. Kujtojmë që segmenti i parë prej 2km i autostradës Shkup-Bllacë u zvarrit ndër vite gjatë ndërtimit dhe po ashtu mbeti një rrugë pa krye.
Ulja e temperaturave ka vënë në lëvizje qytetarët e Tetovës për sigurimin e lëndës djegëse për dimër. Megjithatë, tregu këtë vit paraqitet tejet i ngarkuar nga çmimet e larta. Drutë e zjarrit arrijnë në 65 deri në 70 euro për metër kub, ndërsa alternativat si peleti apo rryma rëndojnë edhe më shumë xhepin e qytetarëve. Shitësit e drunjve në rajonin e Tetovës vërejnë një rënie të interesimit ndër vite, e cila lidhet si me përdorimin e sistemeve të reja, ashtu edhe me ndryshimet klimatike.
“Interesimi për drurin çdo vjet shkon duke rënë… shkaku i klimave, për shembull peletit, lëndët dhe gjërave të tjera që shfrytëzohen për t’u ngrohur, ka rënie prej viti në vit domethënë. Për t’u ngrohur, druri është më i lirë, më ekonomik dhe më i shëndetshëm. Çmimi është në krahasim më i favorshëm se peleti ose gjërat e tjera. Ndërkaq, sa i përket ndotjes, druri është prej natyrës, ndaj nuk mendoj se e ndot ajrin aq shumë sa mund t’i ndotin gjërat e tjera kimike”, tha Bajram Luta, shitës i drunjve
Pavarësisht çmimeve, qytetarët e anketuar në rrugët e Tetovës ndahen në mendime se cila është zgjedhja më e mirë. Për disa, tradita dhe kostoja më e ulët e drunjve mbetet zgjedhja kryesore, ndërsa të tjerë janë detyruar të kalojnë te peleti ose energjia elektrike për shkak të komoditetit apo pamundësisë logjistike.
“Deri vjet jemi ngrohur me dru, kurse sivjet jemi munduar me shpejtësi të kalojmë te peletet, por edhe te klima. Pasi i morëm peletet, u bë pak më shtrenjtë… por druri është më i shëndetshëm. Unë jam në moshë, por për nga shëndeti dhe ekonomia, druri është më mirë.”
“Me dru është më mirë, më ekonomike… kështu e mendoj unë. Me dru është më shëndetshëm, nuk krahasohet me peletat apo rrymën.“
“Ngrohemi me termo. Është më shtrenjtë, por është më e vështirë të ngjitesh lart në drurë kur jeton në banesë.“
Në këtë situatë, qytetarët në Tetovë detyrohen të bëjnë llogari të ngushta mes komoditetit, shëndetit dhe buxhetit familjar, duke u përballur me një dimër që paralajmërohet të jetë financiarisht mjaft i rëndë.
Ndryshimi i mënyrës së pagesës së pagave në Maqedoninë e Veriut dhe kalimi në sistemin e pagesës sipas orëve të punuara po shqyrtohet nga sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve, përcjell TV21. Sipas tyre, kjo nismë mund të ndikojë në organizimin e punës, produktivitetin dhe zhvillimin ekonomik, por kërkon analiza të hollësishme dhe ndryshime të mundshme ligjore.
Konfederata e Sindikatave të Lira vlerëson se pagesa për orë pune mund të sjellë përfitime si për punëtorët, ashtu edhe për punëdhënësit. Sipas tyre, ky sistem do t’u mundësonte punëtorëve të dinë saktësisht sa orë punojnë dhe sa paguhen për çdo orë, ndërsa punëdhënësve do t’u ofronte më shumë parashikueshmëri dhe mundësi për të luftuar ekonominë gri.
Nga Organizata e Punëdhënësve theksojnë se fillimisht duhet të analizohet nëse proceset e punës, veçanërisht në sektorin e prodhimit, mundësojnë zbatimin e këtij sistemi. Sipas tyre, nevojitet shqyrtimi i mënyrës së llogaritjes së pagave, ndryshimeve ligjore dhe organizimit institucional.
Ndërkohë, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë insiston se prioritet duhet të jetë rritja e pagave, duke filluar nga paga minimale, si dhe parandalimi i shfrytëzimit të punëtorëve. Sipas përllogaritjeve të tyre, nëse zbatohet sistemi i ri, pagesa për një orë pune për punëtorët me pagë minimale do të ishte rreth 155 denarë, shumë që ata e konsiderojnë të pamjaftueshme. Sindikata kërkon që pagesa për orë të jetë të paktën 250 denarë.
Edhe Unioni i Odave Ekonomike është shprehur për nevojën e ndryshimeve, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se është e hapur për diskutime dhe analiza krahasuese të këtij modeli me praktikat në vendet evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka zhvilluar sot një takim me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, me të cilën ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit bilateral dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve. Në një njoftim, Mickoski theksoi rëndësinë e dialogut të hapur, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit rajonal për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit.
“Sot zhvillova një takim me kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Në takim diskutuam për avancimin e bashkëpunimit bilateral dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve. Besoj se përmes dialogut të hapur, respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të shtuar rajonal mund të kontribuojmë për stabilitet më të madh, zhvillim ekonomik dhe integrim më të shpejtë evropian të rajonit”, ka shkruar Mickoski.
Reshje të dendura shiu kanë goditur sot qytetin më të madh të Turqisë, Stambollin, ku rrugët janë shndërruar në liqene, ndërsa automjetet kanë mbetur të bllokuara në ujërat e rrëmbyeshme. Për shkak të reshjeve të dendura, është përmbytur një nënkalim në lagjen Kajnarxha, ku ekipet e emergjencës kanë shpëtuar një shofer dhe një fëmijë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në një veturë. Mediat turke publikuan pamje ku shihet se si uji i shiut derdhet nga rruga në nënkalim si një ujëvarë.
Shiu nisi të bjerë në Stamboll gjatë natës, ndërsa në orët e mëngjesit u intensifikua, transmeton “CNN Turk”. Për shkak të reshjeve, janë krijuar kolona të mëdha trafiku në disa pjesë të qytetit, si në anën evropiane, ashtu edhe në atë aziatike.
Sipas hartës së trafikut të Komunës së Stambollit, ngarkesa në komunikacion ka arritur në 80 për qind. Në anën aziatike ka qenë 89 për qind, ndërsa në atë evropiane 71 për qind.
Televizioni “TRT Haber” raporton se, si pasojë e motit të lig dhe reshjeve të dendura, Bosfori ka marrë dy ngjyra, për shkak të turbullimit të ujit nga balta. Qendra e Koordinimit për Fatkeqësi njoftoi për erëra të forta veriore dhe rënie të temperaturës së ajrit për 12 gradë Celsius.
Sipas të dhënave të mëngjesit, më së shumti shi ka rënë në lagjen Darlik, në distriktin Shile, ku janë matur 83,9 litra ujë për metër katror. Pritet që reshjet që kanë përfshirë zonën e Bosforit të intensifikohen në orët në vijim në pjesën evropiane të Stambollit, e më pas gradualisht të dobësohen.
Në terren janë angazhuar më shumë se 8.000 persona, të organizuar në ekipe, të cilët po vazhdojnë punën për eliminimin e pasojave të mundshme të motit të lig dhe reshjeve të dendura që kanë goditur të gjithë qytetin. Në punën e tyre po ndihmojnë edhe afro 2.400 automjete.
Stambolli ishte goditur nga përmbytjet edhe më 14 tetor, kur si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut humbën jetën gjashtë persona.
Sulmuesi anglez, Harry Kane, fitoi “Topin e Artë” 2026. Lojtari i Bayern-it la pas spanjollin Lamine Yamal dhe francezin Kylian Mbappé. Ai ka thyer rekorde në Gjermani dhe u shpall kampion me bavarezët. Ishte po ashtu protagonist në Botëror, ku Anglia zuri vendin e tretë.
“Shpresoj të jem shembull pë rata që ëndërrojnë të jenë më të mirët, siç jam unë sot. Dua të falënderoj të gjithë trajnerët që kanë punuar me mua”, – tha Kane pas marrjes së çmimit prestigjioz.
Ishte shenjtërimi i një sezoni të jashtëzakonshëm për futbollistin anglez, ku shënoi 75 gola në 65 ndeshje, duke udhëhequr Bayern-in drejt fitimit të trofeve kombëtarë.
Në fjalën e Kane nuk mungoi dedikimi emocional për bashkështorten, Katie Goodland: “Ky çmim është edhe për ty. E ke dashur më shumë se unë. Po, ia dolëm” – iu drejtua sulmuesi bashkëshortes së pranishme në sallë. Me të ka ndarë momentet më të bukura të karrierës, por edhe ato më pak të këndshme.