Sezoni i ngrohjes në Tetovë – Drutë deri 70 euro, peleti mbi 400 euro për ton

TË FUNDIT

Ulja e temperaturave ka vënë në lëvizje qytetarët e Tetovës për sigurimin e lëndës djegëse për dimër. Megjithatë, tregu këtë vit paraqitet tejet i ngarkuar nga çmimet e larta. Drutë e zjarrit arrijnë në 65 deri në 70 euro për metër kub, ndërsa alternativat si peleti apo rryma rëndojnë edhe më shumë xhepin e qytetarëve. Shitësit e drunjve në rajonin e Tetovës vërejnë një rënie të interesimit ndër vite, e cila lidhet si me përdorimin e sistemeve të reja, ashtu edhe me ndryshimet klimatike.

 “Interesimi për drurin çdo vjet shkon duke rënë… shkaku i klimave, për shembull peletit, lëndët dhe gjërave të tjera që shfrytëzohen për t’u ngrohur, ka rënie prej viti në vit domethënë. Për t’u ngrohur, druri është më i lirë, më ekonomik dhe më i shëndetshëm. Çmimi është në krahasim më i favorshëm se peleti ose gjërat e tjera. Ndërkaq, sa i përket ndotjes, druri është prej natyrës, ndaj nuk mendoj se e ndot ajrin aq shumë sa mund t’i ndotin gjërat e tjera kimike”, tha Bajram Luta, shitës i drunjve

Pavarësisht çmimeve, qytetarët e anketuar në rrugët e Tetovës ndahen në mendime se cila është zgjedhja më e mirë. Për disa, tradita dhe kostoja më e ulët e drunjve mbetet zgjedhja kryesore, ndërsa të tjerë janë detyruar të kalojnë te peleti ose energjia elektrike për shkak të komoditetit apo pamundësisë logjistike.

“Deri vjet jemi ngrohur me dru, kurse sivjet jemi munduar me shpejtësi të kalojmë te peletet, por edhe te klima. Pasi i morëm peletet, u bë pak më shtrenjtë… por druri është më i shëndetshëm. Unë jam në moshë, por për nga shëndeti dhe ekonomia, druri është më mirë.”

“Me dru është më mirë, më ekonomike… kështu e mendoj unë. Me dru është më shëndetshëm, nuk krahasohet me peletat apo rrymën.“

“Ngrohemi me termo. Është më shtrenjtë, por është më e vështirë të ngjitesh lart në drurë kur jeton në banesë.“

Në këtë situatë, qytetarët në Tetovë detyrohen të bëjnë llogari të ngushta mes komoditetit, shëndetit dhe buxhetit familjar, duke u përballur me një dimër që paralajmërohet të jetë financiarisht mjaft i rëndë.