Mot i lig në Stamboll! Rrugë të përmbytura, kaos në trafik

TË FUNDIT

Reshje të dendura shiu kanë goditur sot qytetin më të madh të Turqisë, Stambollin, ku rrugët janë shndërruar në liqene, ndërsa automjetet kanë mbetur të bllokuara në ujërat e rrëmbyeshme. Për shkak të reshjeve të dendura, është përmbytur një nënkalim në lagjen Kajnarxha, ku ekipet e emergjencës kanë shpëtuar një shofer dhe një fëmijë, të cilët kishin mbetur të bllokuar në një veturë. Mediat turke publikuan pamje ku shihet se si uji i shiut derdhet nga rruga në nënkalim si një ujëvarë.

Shiu nisi të bjerë në Stamboll gjatë natës, ndërsa në orët e mëngjesit u intensifikua, transmeton “CNN Turk”. Për shkak të reshjeve, janë krijuar kolona të mëdha trafiku në disa pjesë të qytetit, si në anën evropiane, ashtu edhe në atë aziatike.

Sipas hartës së trafikut të Komunës së Stambollit, ngarkesa në komunikacion ka arritur në 80 për qind. Në anën aziatike ka qenë 89 për qind, ndërsa në atë evropiane 71 për qind.

Televizioni “TRT Haber” raporton se, si pasojë e motit të lig dhe reshjeve të dendura, Bosfori ka marrë dy ngjyra, për shkak të turbullimit të ujit nga balta. Qendra e Koordinimit për Fatkeqësi njoftoi për erëra të forta veriore dhe rënie të temperaturës së ajrit për 12 gradë Celsius.

Sipas të dhënave të mëngjesit, më së shumti shi ka rënë në lagjen Darlik, në distriktin Shile, ku janë matur 83,9 litra ujë për metër katror. Pritet që reshjet që kanë përfshirë zonën e Bosforit të intensifikohen në orët në vijim në pjesën evropiane të Stambollit, e më pas gradualisht të dobësohen.

Në terren janë angazhuar më shumë se 8.000 persona, të organizuar në ekipe, të cilët po vazhdojnë punën për eliminimin e pasojave të mundshme të motit të lig dhe reshjeve të dendura që kanë goditur të gjithë qytetin. Në punën e tyre po ndihmojnë edhe afro 2.400 automjete.

Stambolli ishte goditur nga përmbytjet edhe më 14 tetor, kur si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut humbën jetën gjashtë persona.