Rama përseri: Bashkimi me Kosovën i pashmangshëm

0

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka ritheksuar se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë është i pashmangshëm, dhe rruga që çon drejtë këtij bashkimi është ajo e BE-së. Këto komente Rama i ka bërë gjatë një interviste në Sky News Arabia. Bashkimi i pashmangshëm
“Unë insistoj se bashkimi është diçka i pashmangshëm, dhe do të ndodhë në BE. Por ky bashkim do të mund të ndodhë edhe në një formë tjetër, nëse Europa nuk ndërhyn në llogaritjet strategjike të shteteve të Ballkanit, që pretendojnë ndryshimin e pamjes së këtij rajoni”, tha Rama, transmeton lajmi.net.

Deklaratë identike Rama ka dhënë kohëve të fundit edhe gjatë qëndrimit në Ulqin gjatë një interviste të përbashkët me Hashim Thaçin për Klan Kosova, ku paralajmëroi se nëse BE nuk i hapë rrugën integrimit të Kosovës, atëherë bashkimi i saj me Shqipërinë do të ndodhte në mënyrë klasike.

RTK anulon debatin për protestën e nesërme

0

Televizioni publik ka anuluar një debat që ishte i paraparë të zhvillohej sonte për protestën e së shtunës.

“Menaxhmenti i RTK-së sonte ka anuluar një debat ku isha i ftuar vetëm ngase në të planifikohej të debatohej për protestën”, ka shkruar deputeti Ilir Deda, përcjell KTV.

Edhe shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka qenë e ftuar në këtë emision.

“RTK do të duhej të ishte e publikut, rrjedhimisht vendimi për anulimin e emisionit, ku isha e ftuar për të diskutuar rreth protestës së nesërme, për teke të bashkëpunëtorëve të SHIK-ut, është argumenti më i mirë përse duhet të protestohet për ç’kapjen e shtetit e në veçanti të televizionit publik”, ka shkruar shefja e deputetëve të AAK-së.

Në vend të emisionit “Debat” të Ridvan Berishë, RTK ka transmetuar një emision special për transmetuesin publik.

Filluan xhirimet e filmit "Eho e heshtur"

0

Sot filluan xhirimet e filmit “Eho e Heshtur” me skenar dhe regji nga Dren Zherka dhe me producent Alban Zogjani.

Këto xhirime do të zgjasin deri më 28 prill në Prishtinë ndërsa pjesa tjetër do të xhirohet nga 5 deri 12 korrik në Berlin.

Filmi flet për një vdekje e cila lidh dy njerëz të moshuar, një burrë dhe një grua , që nuk dijnë asgjë në lidhje me njëri-tjetrin, njëri në Gjermani dhe tjetri në Kosovë.

Megjithatë ata janë të lidhur përmes emocioneve të tyre dhe kushteve ekzistenciale që edhe pse në shikim të parë janë krejtësisht të ndryshme.

Një grua në Gjermani po fillon një udhëtim për të shqyrtuar jetën e një emigranti të paligjshëm që tashmë ai nuk jeton dhe gjen dhimbjen dhe vetminë e saj, gjërsa ai emigrant ka babain në Kosovë që është një burrë i vjetër të cilin nga kjo humbje e ka kapluar vetmia dhe sheh vetën në fund të udhëtimit.

Në rolet kryesore është Selman Jusufi që paraqitet në rolin e Ismetit ndërsa Christine Kaufmann në rolin e Hannah.

Ky film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i shtëpisë filmike ASHA në ko-produksion me Magnus film nga Gjermania.

Lumezi: Pres dekretimin nga Presidentja!

0

I propozuari për Kryeprokuror të Shtetit, Aleksandër Lumezi, po pret që ta marrë një thirrje nga Presidenca e Kosovës për të shkuar ta marrë dekretin e Presidentes Atifete Jahjaga për pozitën e re në krye të organit të akuzës.
Në ditën kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës i dha Presidentes ‘dritën e gjelbër’ për të vazhduar me dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, Lumezi tha për KALLXO.com se pret që kreu i shtetit ta finalizojë këtë proces të tejzgjatur.
“Kushtetuesja dhe KPK-ja i kanë kryer obligimet e tyre ligjore. Pres që edhe Presidentja e vendit Zonja Atifete Jahjaga të veprojë në përputhje me autorizimet e veta kushtetuese dhe ligjore dhe ta finalizojë procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit dhe në asnjë moment nuk e vë në dyshim respektin e Presidentes ndaj ligjit dhe kohës e cila i duhet për ta nxjerrë dekretimin”, tha Lumezi.
“Ligji është pikërisht ajo force që ia bën të mundur Presidentes ta nënshkruajë aktin e dekretimit për emërimin e Kryeprokurorit në sistemin tonë juridik”, u shpreh Lumezi.
“Mosdekretimi eventual do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushteteve, pavarësinë e KPK-së dhe do të konsiderohej përzierje në punën e pavarur të KPK-së lidhur me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore”, tha Lumezi për KALLXO.com.
Ndërsa kabineti i Presidentes ka konfirmuar se e ka marrë shkresën e Gjykatës Kushtetuese dhe është duke e shqyrtuar atë.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka pranuar sot shkresën e Gjykatës Kushtetuese për zbatimin e Aktgjykimit të saj nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe të njëjtën është duke e shqyrtuar. Presidentja Jahjaga do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe në respektim të ligjshmërisë me qëllim të garantimit të funksionimit demokratik të institucioneve”, tha Arbër Vllahiu, zëdhënës i Presidentes së Kosovës.

Bach: Pranimi në KON ndihmon Kosovën konsolidimin e saj të brendshëm dhe të jashtëm

0

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim kryetarin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, i shoqëruar nga një delegacion i lartë i KON, të cilit i ndau Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e tij për sportin e Kosovës dhe pranimin e saj anëtare të barabartë të KON.

Presidentja Jahjaga e çmoi lartë angazhimin e Bach për ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës dhe njohjen e saj në skenën ndërkombëtare, dhe vlerësoi se me pranimin e Kosovës në KON hapet perspektiva për të rinjtë e të rejat e Kosovës që të dëshmojnë talentin e tyre në skenën ndërkombëtare.

Ajo tha se Kosova po konsolidohet ndërkombëtarisht dhe këtë po e dëshmon edhe pranimi i saj në familjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Kryetari i KON-it, Thomas Bach, tha se është i nderuar me pritjen që po i bëhet në Kosovë dhe vlerësoi rolin e presidentes e të institucioneve të vendit në avancimin e sportit të Kosovës.

Ai tha se me pranimin e Kosovës në KON, është njohur edhe i gjithë aktiviteti i madh i Komitetit Olimpik të Kosovës dhe i institucioneve përgjegjëse në fushën e sportit.

Bach tha se pranimi i Kosovës në KON ndihmon vendin në konsolidimin e tij të brendshëm dhe të jashtëm dhe i bën bashkë të gjithë njerëzit në sport.

Kryetari i KON i ndau Presidentes Jahjaga medaljen e KON me të cilën shënohet krijimi i Lojërave Olimpike Ndërkombëtare, me të cilën nderohen krerët e shteteve dhe personalitete të jashtëzakonshme. Ai i bëri ftesë Presidentes Jahjaga që të marrë pjesë në hapjen zyrtare të Lojërave Olimpike Veriore në Rio De Zhaneiro të Brazilit vitin e ardhshëm.

Në takimin me Presidenten Jahjaga ishin të pranishëm edhe kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, përfaqësues të ministrive të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të Federatave të ndryshme të sportit të Kosovës.

Uashingtoni kërkon lirimin e menjëhershëm të gazetares kineze, Gao Yu

0

SHBA-ja u kërkoi autoriteteve kineze të lirojnë menjëherë gazetaren kineze Gao Yu, dënuar sot në Pekin me shtatë vjet burg për zbulim të sekreteve shtetërore.

“Ne u kërkojmë autoriteteve kineze të lirojnë menjëherë gazetaren Gao Yu dhe të respektojnë angazhimet që kanë marrë për të drejtat e njeriut”, theksoi një zyrtar i departamentit të shtetit.

​Bach: KON do vazhdojë mbështetjen për avancimin e sportit në Kosovë

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim një delegacion të gjerë të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), të udhëhequr nga kryetari i saj, Thomas Bach.

Mustafa e falënderoi kryetarin Bach për kontributin e tij për pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar si dhe për ndërkombëtarizimin e sportit kosovar, në përgjithësi.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, dhe personalitete të tjera, kryeministri Isa Mustafa vlerësoi pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, duke theksuar se ky vendim ka rëndësi të posaçme për sportin dhe për rininë kosovare.

Kryeministri Mustafa e njoftoi kryetarin e KON-it edhe me përkrahjen e deritashme si dhe me hapat konkret që do të ndërmerren në vazhdim nga Qeveria e Kosovës, në krijimin e kushteve sa më të mira që sportistët kosovarë të arrijnë rezultate maksimale në garat sportive ndërkombëtare, ku do të marrin pjesë.

Kryetari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, çmoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për avancimin e sportit në Kosovë, si dhe punën profesionale të Komitetit Olimpik të Kosovës në këtë drejtim.

Kryetari Bach po ashtu shprehu përkrahjen e mëtutjeshme të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për avancimin e sportit në Kosovë, duke iu uruar sukses sportistëve kosovarë në garat ndërkombëtare.

Mustafa: Bravo Kushtetueses

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se konstatimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese se në procedurat e zgjedhjes së Kryeprokurorit të shtetit nuk ka pasur lëshime, është lajm që na gëzon.

“Kosova ka nevojë për konsolidimin sa më të shpejtë të organeve të drejtësisë, të cilat meritojnë mbështetje të madhe”, ka shkruar ai në rrejtin social facebook.

Marsi 2015, muajin mars më i nxehtë që prej vitit 1880

0

Marsi 2015 ka qenë muaji mars më i nxehtë në planet që prej zbulimit të temperaturave në vitin 1880, njoftoi sot Agjencia amerikane oqeanike dhe atmosferike (NOAA).

“Për me tepër, periudha nga muaji janar deri në muajin mars ka qenë gjithashtu më e nxehta e regjistruar ndonjëherë”, theksoi NOAA në një raport.

“Gjatë muajit mars, temperatura mesatare në sipërfaqen e tokës dhe oqeane ka qenë 0,85 gradë Celsius më e lartë se ajo e shekullit 20”, shtoi ajo.

“Kjo është temperatura mesatare më e lartë për muajin mars që prej 1880 pasi ajo i kalon rekordet e mëparshme të vendosura në vitin 2010 me 0,05 gradë Celsius”, shtojnë studiuesit.

Në tre muajt e parë të vitit, temperatura mesatare ka qenë 0,82 gradë Celsius, shumë më e lartë se ajo e shekullit 20. Rekordi i mëparshëm për këtë periudhë daton në vitin 2002.

USAID-i mbështet Gjilanin në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët

0

Komuna e Gjilanit ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me USAID-in amerikan, i cili fokusohet në mbështetjen e Komunës në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Gjilanit.

Aktin e nënshkrimit e ka bërë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope.

Haziri ka falënderuar me këtë rast USAID-in për ndihmën e dhënë për 16 vjet radhazi për komunën e Gjilanit, duke ua përmirësuar jetën qytetarëve.

“Përfitues të vetëm të këtij programi janë qytetarët e Gjilanit”, është shprehur Haziri.

Nga ana e tij, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se për 16 vite janë investuar në Gjilan afro 4 milionë dollarë nga taksapaguesit amerikanë, duke thënë se bashkëpunimi me Komunën do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Ky program yni fokusohet në mbështetjen e Komunës, kryetarit dhe ekipit të tij në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Gjilanit. Ne presim që me shumë dëshirë të kemi bashkëpunim të mirë gjatë viteve të ardhshme, ne çmojmë shumë aktivitetet prirëse që i bën kryetari i Komunës në zhvillimin e Gjilanit. Kemi një punë të madhe të bëjmë së bashku”, tha Hope.