Komuna e Gjilanit ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me USAID-in amerikan, i cili fokusohet në mbështetjen e Komunës në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Gjilanit.
Aktin e nënshkrimit e ka bërë kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope.
Haziri ka falënderuar me këtë rast USAID-in për ndihmën e dhënë për 16 vjet radhazi për komunën e Gjilanit, duke ua përmirësuar jetën qytetarëve.
“Përfitues të vetëm të këtij programi janë qytetarët e Gjilanit”, është shprehur Haziri.
Nga ana e tij, drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, tha se për 16 vite janë investuar në Gjilan afro 4 milionë dollarë nga taksapaguesit amerikanë, duke thënë se bashkëpunimi me Komunën do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
“Ky program yni fokusohet në mbështetjen e Komunës, kryetarit dhe ekipit të tij në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët e Gjilanit. Ne presim që me shumë dëshirë të kemi bashkëpunim të mirë gjatë viteve të ardhshme, ne çmojmë shumë aktivitetet prirëse që i bën kryetari i Komunës në zhvillimin e Gjilanit. Kemi një punë të madhe të bëjmë së bashku”, tha Hope.
