Pas deklaratës së sotme që ka dhënë Presidenti i Çekisë, Milos Zeman, për gazetën serbe “Novosti”. i cili kishte thënë se, për dallim nga shteti në krye të të cilit gjendet, personalisht nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe prandaj nuk po dërgon ambasador në Prishtinë, më çrast po ashtu kishte theksuar se Hashim Thaçi sipas tij është kriminel lufte, ka reaguar zv/ministrit i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti.
Hoti përmes një postimi në ‘Facebook’ i është drejtuar presidentit Zeman, duke shkruar se nuk është ashtu z. President. Hoti i përkujton se kush ishte Kosova dhe Hashim Thaçi. “Asnjë vendim i asnjë Gjykate, as ndërkombëtare, as rajonale e as vendore, nuk ka sjellë asnjë aktvendim të plotfuqishëm a çfarëdo qoftë, që do të mund t’i arsyetonte pohimet e juaja.
Republika e Kosovës është shteti më i ri i qytetërimit Perëndimor dhe storie e suksesshme e Rendit të Ri Botëror” shkruan pos tjerash ai.
Lexojeni postimin e plotë të Hotit në Facebook:
“Nuk është ashtu, z. President!
Nuk është hera e parë që dëgjojmë prononcime skandaloze dhe të pavërteta prej Presidentit të Çekisë, z. Miloš Zeman. Etiketimet, mllefet dhe shfryrjet e tij të njohura kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër Lirisë së Kosovës apo edhe kundër ish – Sekretares së Shtetit, Zonjës së Madhe Madeleine Albright, na bëjnë të kuptojmë edhe njëherë pasojat e realiteteve të regjimeve të dikurshme komuniste.
Deklarimet ekskluzive dhe johigjienike të Presidentit Miloš Zeman, veçmas të bëra për opinionin e gjerë në Serbi, pa fakte dhe pa mund të argumentimit, na bëjnë të kuptojmë se edhe në Bashkimin Europian ka ende punë për të bërë në shërbim të largimit të sharlatanizmit të personaliteteve të larta shtetërore. Duket se kjo vlen veçmas për pjesën Lindore të Europës ku ende është i pashmangshëm kurimi i pasojave të Luftës së Ftohtë.
Republika e Kosovës, z. Miloš Zeman, President i Çekisë, ka halle e probleme shumë. Por ajo nuk drejtohet nga mafia e narkotikëve dhe Hashim Thaçi nuk është kriminel lufte. Asnjë vendim i asnjë Gjykate, as ndërkombëtare, as rajonale e as vendore, nuk ka sjellë asnjë aktvendim të plotfuqishëm a çfarëdo qoftë, që do të mund t’i arsyetonte pohimet e juaja.
Republika e Kosovës është shteti më i ri i qytetërimit Perëndimor dhe storie e suksesshme e Rendit të Ri Botëror. Në mbështetje të kësaj filozofie autoktone të Qytetërimit Perëndimor, nuk mund të merremi me nostalgjinë tuaj për Moskën apo në lidhje me paqartësinë tuaj ndaj qytetërimeve tjera. Atë, besoj fuqishëm do të bëjnë qytetarët dhe opinioni publik ku jeni zgjedhur President.
rhoti
p.s:
Pikëpamjet në këtë opinion janë personale” shkruan Hoti.