Komuna e Prishtinës ka marrë sot vendim, që qytetarëve të saj t’ua paguajë shpenzimet e varrimit në vlerë prej 171 euro, kështu është bërë e ditur përmes një komunikatë për media nga kjo Komunë.
“Me këtë vendim përcaktohet se këtë të drejtë mund ta shfrytëzojnë familjarët e ngushtë të personave që kanë ndërruar jetë. Për ta realizuar këtë, banorët e Komunës së Prishtinës duhet të jenë të pajisur me faturën për shërbimet e Ndërmarrjes Publike Lokale ‘Hortikultura’, faturën nga bashkësia fetare përmes së cilës janë kryer ritet fetare për personin e ndjerë (në rast se i/e ndjeri/a i/e është nënshtruar ritualeve fetare), si dhe faturën nga kompania përkatëse që është shfrytëzuar për transportimin e të ndjerit/ës”, sqarohet në një njoftim nga komuna e Prishtinës.
Gjithashtu, familjarët e ngushtë duhet të kenë me vete edhe ekstraktin e lindjes dhe certifikatën e vdekjes të personit që ka ndërruar jetë, një dokument identifikimi dhe numrin e xhirollogarisë bankare.
Sipas këtij njoftimi të gjithë personat e interesuar për shfrytëzimin e kësaj të drejte nuk duhet ta kalojnë periudhën kohore prej 30 ditëve duke llogaritur nga data e vdekjes së personit.
Heqja e shpenzimit të varrimeve janë vendosur edhe në disa komuna të Kosovës, si në Mitrovicë, Podujevë, Gjilan, etj./ 21MEDIA
