​“Gërmia” tri ditë e mbyllur për automjete

0

Komuna e Prishtinës njofton se me rastin e festës së 1 Majit, në datat 1, 2 dhe 3 maj, ndalon qarkullimin e automjeteve përveç autobusëve të Trafikut Urban, automjeteve të Policisë së Kosovës, të KFOR – it, EULEX – it dhe automjeteve emergjente në drejtim të parkut “Gërmia”.

“Në bazë të këtij vendimi ndalohet qarkullimi i të gjitha automjeteve, përveç autobusëve të ‘Trafiku Urban’, linja 4, linja 5 ‘Ulpiana’ dhe ‘Gërmia’, automjeteve të Policisë së Kosovës, të KFOR-it, të EULEX-it,të ‘Hortikulturës’,’Pastrimi’ dhe automjeteve emergjente në drejtim të parkut të ‘Gërmisë’.

Sipas njoftimit të komunës pika përfundimtare për lëvizjen e automjeteve, përveç banorëve të lagjeve Normale, Sofali, “Tauk-Bahçe” do të jetë: kryqëzimi i rrugëve “1 Tetori” – “Nazmi Gafurri” dhe “Ymer Lutfi Paqarizi”, kryqëzimi i rrugëve “Nazmi Gafurri”- “Xhavit Ahmeti” dhe “Dr. Lec Gradica” , kryqëzimi i rrugëve “Dr. Shpëtim Robaj” me atë të Sofalisë në drejtim të pishinës dhe Parkut të Gërmisë.

Transporti publik i qytetarëve për në Parkun e “Gërmisë” deri te pishina e Qytetit do të bëhet ekskluzivisht me autobus “Trafiku Urban”, linja 4, ndërsa linja 5 “Ulpiana” dhe “Gërmija” deri në Sofali.

Inspektorët përgjegjës të Drejtorisë së Inspekcionit do të parandalojnë shërbyesit e paautorizuar që të bëjnë shitjen – shërbimin ndaj qytetarëve si dhe do të organizojnë kujdestari me qëllim të ruajtjes së ambientit (përdorimin e zjarreve për destinime të ndryshme), si dhe hedhjen e mbeturinave në vende të caktuara.

'Veç 40 % e shqiptarëve e kanë braktisur vendin'

0

Opozita shqiptare ka fajësuar Qeverinë dhe e ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Rama për humbjen e shpresës së shqiptarëve, të cilët po e kërkojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit.

Opozita shqiptare ka fajësuar Qeverinë dhe e ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Rama për për humbjen e shpresës së shqiptarëve, të cilët po e kërkojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit.
Ish-kryetarja e Kuvendit, aktualisht deputete e PD-së, Jozefina Topalli, tha gjatë punimeve të sotme në Parlament se janë larguar 40 % e qytetarëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, dhe se kjo është një shpërbërje e kombit.

Ajo iu drejtua kreut të Kuvendit Ilir Meta, duke i thënë se kryeministri nuk duhet të mungonte sot në Kuvend, pasi të paktën një herë në javë e ka për detyrë t’u japë shpjegime shqiptarëve se çfarë po ndodh me vendin, dhe çfarë do të bëjë qeveria për të përmirësuar situatën.
Topalli shtoi se shqiptarët në veri, në Shkodër e Kukës, kanë marrë rrugët familjarisht për të kërkuar azil, dhe se shkollat shqiptare po mbeten pa nxënës.

“E drejta themelore e motivimit të njeriut për të ecur përpara është shpresa, nëse atë e vret, ai të ikën, ai lë çdo gjë. Zoti kryesues i seancës ua kërkoj juve edhe pse e di që nuk është në dorën tuaj që të thërrisni këtu kryeministrin e Shqipërisë, t’u flasë shqiptarëve për dramën që po ndodh në Shqipëri; për eksodin e pa imagjinueshëm të shqiptarëve; për braktisjen e vendit për shkak të mjerimit dhe varfërisë; për shkak të shpërbërjes së kombit; për shkak të zbrazjes së Shqipërisë sonë të dashur që boll e vogël është edhe kështu si është. Thuhet se janë 30 % e shqiptarëve që kanë lënë vendin. Jo, jo! Nuk është 30%, është 40 %. Pyesni veten, lexoni në cilin komb ka ndodhur që 40 % e popullsisë të lënë vendin e tyre, kur ka ndodhur kjo? As në kohë të pushtimeve, as në kohë të vështira nuk ka ndodhur kjo. Po ndodh në këto dy vite në një proporcion të frikshëm. Unë i kërkoj kryetarit të grupit parlamentar të PS-së të kërkojnë kryeministrin që të vijë këtu dhe t’u flasë shqiptarëve,” tha Topalli në emër të Partisë Demokratike.

Numri në rritje i shqiptarëve që po kërkojnë azil në vendet e BE-së ka alarmuar, si Qeverinë shqiptare, ashtu edhe vendet e huaja, kryesisht Gjermaninë, ku fluksi i kërkesave është më i larti.

Ditët e fundit në Tiranë, por jo vetëm aty, janë përcjellë dhjetëra mesazhe nga ambasadorët e akredituar, të cilët u bëjnë thirrje shqiptarëve, por edhe kombeve të tjera në Ballkan, që të mos nxitohen duke kërkuar azil ekonomik, sepse do të kthehen sërish në vendet e tyre, pasi vendet e BE-së nuk ofrojnë azil për çështje ekonomike

“Ahtisari na obligoi të bëjmë Komunë me tri katunde”

0

​Ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i cili ka qenë pjesë e formimit të komunave të reja serbe, ka pranuar se me pakon e Ahtisarit nuk kanë pas çare pa krijuar komunë nga tri katunde, megjithatë thotë se ato kurrë nuk do të bëhen komuna.

Ai këto komente i bëri në komisionin për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, ku u zgjodh kryesues i grupit punues për monitorimin e ligjit për Kufijtë Administrativ Komunal, ndërsa Shqipe Pantina, kryesuese për monitorim të ligjit për Organizatat Joqeveritare.
Kurse, Xhevahire Izmakun u zgjodh si kryesuese e grupit punues për monitorim të ligjit për Administratën Shtetërore, ndërsa Shqipe Pantina kryesuese për monitorim të ligjit për Organizatat Joqeveritare.

Gjatë kësaj mbledhje, Sadri Ferati propozoi që së bashku me shoqërinë civile dhe organizata ndërkombëtare të monitorojnë ligjin për Vetëqeverisje Lokale.
“Kanë filluar të nxjerrën komuna nga gjepi, dikush ka premtu komuna majtas, dikush djathtas, ne e kemiato që nuk kemi pas qare me pakon e Ahtisarin e di unë kur tri katunde i kemi bo komunë, kurrë komunë s’do të bëhen por nuk kemi pas qare, tash me fillu me prish sistemin edhe për qejf tu vrapu pas votave…prandaj ne si komisiont’i paraprimë me një analizë ku është Kosovë dhe regjioni sa i përket reformës në pushtetin lokal“, ka thënë ai.

“Nuk është qëllimi im të shkoj dhe t’i rregullojë punët, duket vetëm me pa sa po zbatohet ligji në regjistrim, kontroll, auditorin, dihet çka është detyra jonë, jo tash me shku dhe me shikuar çka i kanë punët grupet e interesit dhe me politizu komplet shoqërinë, prandaj edhe te rasti i parë të gjuhet duhet me pas kujdes, askujt nuk ia kufizojë sepse nuk e kam atë drejt si i qaset problemit, është pa mua, me mua me problematizu pse nuk shkruan në dokumente në Gllogovc serbisht me mua nuk e bënë, unë po thërras në qasje se çka po duam ”, tha Ferati.

E Xhevahire Izmaku nga PDK u shpreh se për secilin ligj që monitorohet të jetë nga një bartës i atij grupi punues.
“Propozimi im është me shku për secilin grup punues me pas një bartës të punës për çështje të dinamikës, mirëpo mos me qenë për të gjithë por pjesëmarrja me qenë për të gjithë ”, shtoi Izmaku.

Ndërkaq, Shqipe Pantina nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se mbledhjen e ardhshme të diskutohet raporti vjetor i Radio Televizionit të Kosovës.

Në këtë mbledhje, anëtarët e pranishëm të këtij komisioni u pajtuan që para se të fillohet me monitorim të ligjeve të organizojnë një tryezë, ku pritet të diskutohet rreth mënyrës së monitorimit të ligjeve.

Në mbledhjen e ardhshme të këtij komisioni pritet që të vendosen anëtarët e grupeve punuese për secilin ligj që do të monitorohet./kp/

“Shota”,në Festivalin e Gjirokastrës

0

Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota” do të jetë një nga mysafirët e nderit të Festivalit të Folklorit në Gjirokastër, i cili pritet të fillojë në muajin maj. Me këtë rast ky ansambël do të shfaqet me një koncert të tyre në kuadër të këtij festivali.

“Festivali i Gjirokastrës është festivali më prestigjioz i folklorit që nga paslufta e Shqipërisë. Organizatorët këtë vit kanë vendosur që këtij festivali t’ia kthejnë renomenë dhe epitetin që e ka pasur dikur. Festivali është garues mirëpo ne jemi jashtë konkurrencës, jemi mysafirë të festivalit, ndërsa në natën e dytë e kemi koncertin e festivalit”,u shprehen udhëheqësit e ansamblit.(transmeton Kultplus)

Ansambli “Shota”,do të prezantohen me tri koreografi dhe me këngë krejtësisht kosovare popullore,ku present do të jetë Ismet Bogujevci,Riza Bytyqi,Violeta kukaj,Saranda Alija,Myrvete Bajrami etj.

Koreografitë e valleve përbëhen nga “Suitë Vallesh Kosovare”,”Vallja e Drenicës”dhe “Vallja e Pavarësisë.
Ky ansambël gjithashtu në muajin shtator të këtij viti do të jetë pjesëmarrës edhe në Turqi, me ç’rast do të paraqitet me valle pesëmbëdhjetë minutëshe.

Shfletuesi i ri i Microsoft do të quhet Edge

0

Microsoft zbuloi ditën e djeshme emërtimin zyrtar të shfletuesit Spartan i cili do të quhet “Microsoft Edge”. Edge po të përkthehet në gjuhën shqipe do të thotë “buzë”, dhe për Microsoft ky shfletues qëndron buzë, pra i paraprin, produktivitetit.

Microsoft më parë ka lajmëruar se Microsoft Edge do të jetë shfletuesi parësor në Windows 10 ndërsa Internet Explorer do të ngelet një opsion dytësor kryesisht për shfletimin në uebfaqe të vjetra.

Shfletuesi Edge do të jetë më i lehtë më i shpejtë sesa Internet Explorer, si dhe do të pajiset me funksionalitete shtesë si integrimi me OneNote dhe Cortana apo edhe një modalitet leximi me ndërfaqe të thjeshtuar që nxjerr në pah vetëm tekstin duke fshehur imazhet.

Risi e këtij shfletuesi qëndron edhe tek aftësia për të funksionuar me shtojcat e Google Chrome dhe Firefox. Në fakt nuk janë pikërisht ato shtojca, por kemi të bëjmë me shtojca të portuara, një proçes mjaft i thjeshtë. Shtojcat që do të gëzojnë mbështetjen e shfletuesit Microsoft Edge duhet të jenë të bazuara në HTML dhe Javascript. (PCWorld Albanian)

Elvana Gjata pozon në shkretëtirë

0

Këngëtarja dhe bukuroshja Elvana Gjata ka publikuar në rrjetin e saj Facebook një fotografi ku pozon për fotografin Eugenio Qose.
Elvana Gjata ka sjellë atmosferën e një vere të nxehtë, duke pozuar në nje shkretëtirë e veshur me të bardha.
Elvana Gjata gjithnjë i surprizon fansat, ndaj dhe këtë herë nuk kanë munguar komentet pozitive për të në rrjetet sociale dhe portalet online. Ata e konsiderojnë atë si diva shqiptare në muzikë, por edhe një modele që të gjithë e kanë zili

Mustafa: MSA – një e arritur e madhe

0

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi sot Komunën e Novobërdës, ku u takua me kryetarin dhe udhëheqësit e tjerë komunalë. Pas takimit, kryeministri Isa Mustafa theksoi se me udhëheqësit e Komunës së Novobërdës ka zhvilluar një bisedë të afërt lidhur me problemet me të cilat ballafaqohet kjo Komunë, duke shprehur përkrahje për zgjidhjen e tyre.
“Jemi të interesuar që të investojmë, të ndërtojmë infrastrukturën, veçmas në ato fshatra të cilat kanë mbetura të palidhura dhe të cilat për një kohë të gjatë nuk kanë pasur investime. Po ashtu të përkrahim personelin e Komunës, në mënyrë që të kompletohet në harmoni me kërkesat të cilat i kanë qytetarët”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se do të merret parasysh edhe zgjidhja e çështjes së ujit në Novobërdë.

Lidhur me miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, kryeministri Isa Mustafa tha se kjo është një e arritur e madhe, por edhe një përgjegjësi që Kosova e merr tani karshi Bashkimit Evropian. “Është me rëndësi që është Marrëveshje e cila mundëson marrëdhëniet e para kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe ne do të jemi të përkushtuar që t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona. Do të punojmë pas kësaj shumë që t’i përmbushim kriteret teknike sa i përket finalizimit të vizave si hap të dytë dhe, poashtu jemi të interesuar që të aplikojmë që të anëtarësohemi në Këshillin e Evropës”, tha kryeministri Mustafa duke veçuar rolin e Këshillit të Evropës sa i përket të drejtave të komuniteteve, demokracisë lokale dhe asaj të përgjithshme, por edhe sa i përket vlerave demokratike që janë ndërtuar në vendet të cilat mbulohen nga Bashkimi Evropian dhe të cilat aderojnë në Këshillin e Evropës, transmeton rajonipress.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanoviq, e falënderoi kryeministrin për vizitën në Novobërdë. Ai tha se gjatë vizitës është biseduar për problemet aktuale, siç është infrastruktura dhe problemet e tjera, me të cilat përballet popullsia këtu dhe se ka marrë garanci se Qeveria e Kosovës, në krye me kryeministrin Mustafa dhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, do të japin kontributin e tyre në zgjidhjen e problemeve të Komunës së Novobërdës.

Dita e Evropës shënohet me filma kosovarë

0

Filmi më i mirë evropian“Ida”,njëherit fituesi i Akademisë Evropiane të Filmit dhe i çmimit Oscar për filmin më të mirë të huaj të vitit, do të paraqitet në ambient të hapur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, në saje të partneritetit të Zyrës së BE-së në Kosovë/PSBE me PriFest, i cili kthehet në vendin e tij pas mbajtjes së edicionit të shtatë në ekzil, në Tiranë.

“Burrneshat” dhe një interpretim i artistit Petrit Çeku do ta shënojnë Ditën e Evropës më 9 maj në Kosovë, organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
PriFest po ashtu do ta sjellë në Prishtinë dhe Prizren premierën rajonale të filmit bashkë-produksion kosovar “Sworn Virgins” (Burrnesha), me regji të Laura Bispurit, i cili përfaqësoi Kosovën në Berlinale këtë vit, si dhe u shpërblye me çmimin “Nora Ephron” në Tribeca të Nju Jorkut.

Përpos këtyre ngjarjeve, gjithashtu do të mbahet një tryezë e rrumbullakët, që fokusohet në fuqinë e kinemasë si mjet i diplomacisë kulturore. Gjithashtu nga e premtja deri të dielën, do të mbahen punëtoria për fotografi dhe modë me nxënës, teatri i kukullave për fëmijë dhe një panair të vendeve shtete anëtare të BE-së, do të zënë vend që nga e premtja, 8 maj, deri të dielën, 10 maj.

Kosova në turneun ndërkombëtar “BENEX”

0

Aktivitetet e Federatës së Boksit të Kosovës (FBoxK), do të vazhdojnë më 3 maj, ku boksierët tonë do të jenë pjesë të turneut “BENEX” që mbahet në Podgoricë.

FBoxK përmes një njoftimi ka konfirmuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë turne, që është luhet në kuadër të javës së shtatë të “BENEX”.

Sipas FBoxK-së, në këtë turne do të marrin pjesë boksierët e Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës, Maqedonisë, Kroacisë dhe Kosovës.

FBoxK kjo ligë zhvillohet me boksierë junior dhe është e mirëseardhur për boksierët tonë, të cilët do të mund të përfitojnë sa më shumë përvojë ndërkombëtare.

Boksierët tonë deri tani kanë arritur rezultate të mirë këtë ligë, si dhe kanë fituar shumë trofe.

Kujdes ndaj personave që paraqiten rrejshëm

0

​KEDS dhe KESCO kërkojnë nga konsumatorët që të kenë kujdes të shtuar ndaj individëve që kanë qëllim dëmtimin e tyre material. Ata thonë se konsumatorët duhet të shmangin tentativën e mashtrimit përmes paraqitjeve të rrejshme të personave se gjoja janë punëtorë të KEDS-it dhe KESCO-s.

“Raste të tilla janë të papranueshme dhe duhet të adresohen tek organet kompetente, të rendit dhe të drejtësisë.KEDS dhe KESCO kanë të ndërtuar një sistem unik për punëtorët, përmes pajisjes me uniforma specifike dhe me karta identifikuese. Vetëm atyre duhet t’u lejohet qasja në pronat e konsumatorëve. Ndërsa, sa i përket faturave të energjisë elektrike, nuk mund të bëhet asnjë pagesë kesh tek asnjë individ. Pagesat e energjisë elektrike kryhen vetëm në sportelet e kompanisë dhe të kontraktorëve. Prandaj, konsumatorët nuk duhet në asnjë mënyrë të paguajnë nëse u kërkohet nga ndonjë individ në terren. Madje, çdo tentim mashtrimi duhet ta raportojnë menjëherë”, thuhet në një komunikatë të KEDS-it.
KEDS dhe KESCO thotë se në këtë situatë, luftimi i dukurive negative mbetet përkushtim i përbashkët, në mënyrë që të mos ketë hapësirë për dëmtime nga individë keqbërës. Sipas tyre, të gjithë konsumatorët kur shohin ndonjë rast të dyshuar që të telefonojnë menjëherë në qendrën e tyre të thirrjeve.