Policia amerikane ka konfirmuar se brenda një kolegji në Oregon ka pasur te shtëna, kurse mediat kanë spekuluar se ka viktima .
Ampkua Komjuniti Kolegjit ndodhet rreth 200 kilometra nga Portland , dhe policia konfirmoi se eshte një ” situatë me një sulmues aktiv . ”
Mediet vendore kane thene se ka pasur disa të vrarë dhe të plagosur , kurse policia aktualisht nuk publikon të dhëna të tilla , nderkaq dëshmitarët okularë thonë se më shumë ambulanca jane dërguar në kampusin e kolegjit .
Sipas informatave paraprake , ketu jane qëlluar të paktën 20 persona , 10 jane te plagosur, njoftoi CNN Disa media kanë raportuar se numri i njerëzve të vrarë eshte me i madh .
Studentët shkruajnë në rrjetet sociale se janë të bllokuar në klasë , kurse policia po kryen inspektimin e lokaleve ./ 21 Media
SHBA: Të shtëna në një kolegj , ka dhjetëra viktima
Fusha sportive në Fushë-Tophane: banorët kundër ndërtimit të banesës
E çfarë është një fushë sportive pa zëra të gëzuar fëmijësh, të cilëve të vetmin ambient që kanë në dispozicion ua rrethojnë me tela? E gjithë kjo filloi kur një person është paraqitur si pronar i parcelës ku ndodhet fusha sportive në Fushë-Tophane, gjegjësisht parcelat kadastrale me numrat: 2135/1, 2135/2 dhe 313.
Aty ku ditë më parë luanin fëmijë, edhe pse në kushte jo të mira, pamja u ndryshua tërësisht kur fusha u rrethua me tela, duke i ngjarë oborrit të një burgu. Kjo ishte diçka që nuk mund të kapërdihej nga banorët. Bujar Idrizi, banues në këtë lagje, thotë për Televisionin 21 se është e palogjikshme dhe ligjërisht e papranueshme që kjo hapësirë të kalojë në pronësi të ndonjë personi fizik. “Një person fizik ka ardhur me arsyetimin se e ka blerë këtë pronë dhe se ka leje dhe e ka rrethuar, me arsyetimin se këtu planifikohet të ndërtohet pallat; dhe ajo që arrita të shqyrtoj, pashë se janë dy parcela, toka, të cilat kanë pronare, të cilat sipas disa arsyetimeve iu janë kthyer ne procesin e denacionalizimit, me çka thyhet ligji, pasi që ligji parasheh një mënyre krejt tjetër të kompensimit të procesit të denacionalizimit“, thotë Idrizi.
“Këtu asnjëherë nuk do të ndërtohet ndërtesë, pasi që fëmijet tanë nuk kanë ku të luajnë”…”nuk do ta lejojmë këtë gjë“, ishin fjalët që disa hërë përsëriteshin nga banorët e nevrikosur. Mirëpo nuk mbeti me kaq, prindërit së bashku më fëmijët i hoqën telat që rrethonin fushën dhe thanë se do të bëjnë të pamundurën që të mos lejojnë shaktërrimin e kësaj fushë, ku investimi është zero. “Edhe do të reagojmë jo vetëm për këtë, por për çdo uzurpim që është bërë në çdo qosh, ne do t’i kontrrollojmë, si ka arrdhur deri tek ato dokumente. Një plak më tregoi se kjo tokë është e Emin Begut. Qysh erdhën tash 15 maqedonë, prej nga erdhën.Tani duhet t’i shohim komplet dokumentet, si janë privatizuar ato. Edhe prandaj tash jam shumë këmbëngulës, jam shumë këmbëngulës, që s’ka më uzurpime, madje kanë me u përgjigj disa që i kanë privatizuar tokat tona, tokat e fëmijëve tanë. Këta fëmije s’kanë më ku të luajnë. Shikoje parkun, a e ke një luhatëse për fëmijë, për dy vjet, tre vjet, se këtu gjithë ata banorë janë. Turp është, turp. A dijnë të shëtiten me xhipa, me mercedesa, të tregojnë fraerllëk?!“, thotë një prej banorëve.
Sigurisht që një përgjigje në lidhje me këtë duhet ta merrnim edhe nga Komuna e Çairit.
Sipas tyre, bartës i pronësisë të parcelës së lartpërmendur në Kadastrën e patundshmërive është shteti, gjegjësisht Republika e Maqedonisë, si dhe disa persona fizik. “Në pajtim me rregullativën ligjore nga sfera e urbanizmit, pronarët nuk mund të fillojnë kurrfarë aktivitetesh ndërtimore pa fituar paraprakisht të drejtën e pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe pa e kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për ndërtim, edhe atë vetëm për dedikim sport dhe rekreacion, që në këtë rast nuk është bërë. Në asnjë mënyrë të njëjtët nuk mund të fitojnë leje për ndërtim për banim kolektiv ose banim individual, sepse është në kundërshtim me ligjin dhe planin rregullativ të qytetit të Shkupit”, theksohet në përgjigjen e lëshuar nga komuna për Televizionin 21.
Evi Shkopi
Jahjaga takoi Drejtoreshën e Përgjithshme të UNESCO-s(FOTO)
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, takoi sot në New York Drejtoreshën e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), zonjën Irina Bokova, me të cilën diskutuan për rëndësinë e bashkëpunimit dhe përgjegjësinë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Njohësit e çështjeve ekonomike, skeptikë rreth buxhetit të planifikuar
Buxheti i planifikuar për vitin 2016 nxiti reagim tek njohësit e çështjeve ekonomike në vend. Për një pjesë të tyre, dy komponenta janë të rëndësishme sa u takon projeksioneve të planifikuara: për çka do të harxhohen paratë, si dhe a do të vazhdojë praktika e rritjes së deficitit buxhetor.
Profesori Vanço Uzunov nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” mendon se edhe këtë vit po përsëritet tregimi i njëjtë. Qeveria, siç thotë ai, jep projeksione të veta të menduara dhe në bazë të tyre bën planifikimin e buxhetit, që më pas, të njëjtin, për publikun e paraqet si qëllimmirë për shtetin dhe për qytetarët. “Opozita dhe ekspertët këtë gjë e kritikojnë, por buxheti mbetet po ai. Në anën tjetër, edhe opozita kritikohet se është qëllimkeqe dhe mosbesuese. Më pas, kur të vijë viti, projeksionet ngadalë fillojnë të revidohen. FMN do të dalë me projeksione të veta, Banka Botërore me projeksione të tjera dhe më pas projeksionet do të revidohen. Kështu vjen deri te rebalancimi i buxhetit dhe rritja e deficitit”, vlerëson profesori Uzunov.
Qeveria edhe këtë vit e ka rritur deficitin buxhetor në shkallë shumë të lartë, thotë Uzunov, duke reaguar rreth realizimit të dobët në investimet kapitale. Sipas tij, realizimi i buxhetit nga qeveria është tipik për një vit zgjedhor, edhe atë në pjesën e rritjes së pagave në administratë dhe të pensioneve të qytetarëve, por në llogari të borxheve të reja.
Analistja me përvojë në fushën e ekonomisë, gazetarja Nina Fidanoska potencon se ky buxhet është historikisht buxheti më i madh deri më tani. Ajo është skeptike për realizimin e rritjes së planifikuar dhe shpjegon se një buxhet i këtillë është vështirë i realizueshëm. “Nga shpenzimet e planifikuara prej 3,2 miliardë euro, del se do të ketë deficit buxhetor për rreth 309 milionë eurosh, ose 3,2 për qind të PBB. Po të kthehemi pas, shohim se projektohet një buxhet. Për shembull, vitin që shkoi, kishim një normë planifikimi. Më pas doli se deficiti buxhetor u rrit për 4%. Prandaj, i kam të arsyeshme dyshimet. A do t’i mbahemi këtij procesi prej 3,2 % për vitin e ardhshëm?”, pyet Fidanoska.
Në anën tjetër, javën e kaluar, ministri i financave, Zoran Stavreski, duke e elaboruar buxhetin, theksoi se karakteristikat themelore të tij janë zvogëlimi i deficitit prej 3,6 në 3,2 për qind, si dhe rritja e mjeteve për pensione, për ndihmë sociale, për investime kapitale, me qëllim të nxitet komponenta zhvillimore e tij. “Të ardhurat e përgjithshme janë të projektuara në 176 miliardë e 804 milionë denarë, që është për 6 % më e lartë sesa në vitin 2015, ose përkthyer në para është 9 miliardë e 962 milionë denarë. Shpenzimet janë pozicionuar në shkallë prej 195 miliardë e 788 milionë denarë, që është rritje për 4,7% në krahasim me vitin 2015. Ky raport do të rezultojë në zvogëlimin e deficitit buxhetor për 3,2%”, theksoi ministri Stavreski.
Realizimet makroekonomike për këtë vit, siç potencoi Stavreski janë solide dhe na japin mundësi të mira që në vitin 2016 të hyjmë me rritje të ekonomisë.
Vesna Jaqimovska
Reformat në media: SHGM kërkon depolitizimin e TVM-së
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë nuk dëshiron pazar mes partive politike për hapësirën mediatike, andaj propozon që Televizioni i Maqedonisë të mos kontrollohet prej partive në pushtet. Në takimin e sotëm po ashtu u tha se duhet të formohet një agjenci për media, e cila do të merret me mënyrën e financimit të televizionit shtetëror.
“Propozoj ndalimin e reklamimit politik te mediumet më të mëdha sepse nuk duam që mediumet të vazhdojnë të mbeten peng i reklamimit të partive të pasura. Nëse ndalohet reklamimi politik, në zgjedhje do të fitojë ata të cilët do të kenë program më të mirë politik, dhe jo ata të cilët posedojnë më tepër para për propagandë te mediumet.”, tha Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni.
Analiza e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë është përkrahur edhe nga Ambasada e Francës dhe Gjermanisë në Shkup, dhe kjo analizë vjen në moment kur liderët e katër partive më të mëdha afrohen në çastet kur duhet të diskutohet tema mbi mediumet në vend. “Me krenari e them që Franca dhe Gjermania bashkërisht përkrahin SHGM-në në punën e saj në rekomandimin e reformave në sektorin mediatik. Sa janë të rëndësishme këto reforma vërteton zbritja e Maqedonisë në Indeksin e “Freedom House” si dhe në listën e “Gazetarëve pa kufi”, ceku Kristine Althauzer, ambasadore e Gjermanisë në Shkup.
Për rëndësinë e reformave mediatike foli edhe ambasadorja e Francës në vend, Lorens Oer. “Nuk është hera e parë që Ambasada e Francës dëshironte të punoj në këtë sektor, në vitin 2014, pasi lexuam raportin e parë të “Gazetarëve pa kufi” dhe zbritjen dramatike të Maqedonisë në sektorin mediatik, ne së bashku me ekipin tim menduam që është me rëndësi që tani është koha të bëhet studim jo vetëm mbi principet, ligjet dhe vlerat por edhe edhe në monitorim konkret të ligjeve të ndryshme dhe praktikës që sipas ne është element shumë i rëndësishëm”, theksoi ajo.
Në takimin e sotëm me gazetarë i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri Fatmir Besimi, i cili beson se reformat në sferën mediatike do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së njerëzve, kurse liria e të shprehurit dhe liria e mediave janë detyra me prioritet drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Liria e mediave dhe liria e të shprehurit janë një prej priotiteve të cilët Unioni Evropian ka, si për antaret e saj, ashtu edhe për shtetet kandidate për Bashkimin Evropian, kjo është pjesë edhe në rekomandimit të Republikës së Maqedonisë, është pjesë edhe e prioriteteve të të drejtave fundamentale në raportit të Bashkimit Evropian”, vlerësoi zëvendëskryeministri Besimi.
Në Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë po ashtu u diskutua për e sulmet fizike ndaj gazetarëve. Sipas analizës të SHGM-së, në katër vitet e fundit ka pasur 23 sulme kundër gazetarëve dhe nëse këto raste nuk gjejnë përkrahjen e institucioneve, SHGM do t’i drejtohet Prokurorisë Speciale. Pjesëmarrës në këtë konferencës ishin edhe drejtues të mediave në Maqedoni, e disa prej tyre kërkuan analizën e dështimeve në Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, si dhe debate të zgjeruara mbi kontratat kolektive për të punësuarit në media.
Blerim Ismaili
Helmimet në “Arseni Jovkov” – sipas mjekëve, materia e përdorur nuk është gaz lotsjellës
Ministria e Punëve të Brendshme sot doli me të dhëna rreth rastit të mbrëmashëm në Shkollën e Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup, ku u helmuan 13 nxënës dhe një mësimdhënës.
Zëdhënësi i MPB Ivo Kotevski , ka thënë se nxënësit janë spërkatur nga një materie ende e panjohur, kurse kamerat e sigurimit kanë filmuar rastin. “Kemi edhe video nga kamerat e sigurimit, që do të analizohei sot, si edhe mostrat të marra për të analizuar se për çfarë gazi bëhet fjalë, gjegjësisht për spërkatësin me të cilin janë spërkatur nxënësit. Sipas informatave të para që i kemi marrë nga dëshmitarët dhe nxënësit, ka shumë gjasa që nxënësit janë spërkatur nga një apo dy persona të panjohur”, informoi Kotevski.
Nga Spitali i Qytetit bëjnë me dije se nxënësit e helmuar nuk janë në rrezik, dhe pas trajtimit mjekësor janë lëshuar në shtëpi. Po ashtu, mjekët thonë se materia e përdorur nuk është gaz lotsjellës, por ndonjë spërkatës tjetër. “Të gjitha rezultatet që u morën dje nga testimet e bëra janë në kufirin e normales, kështu që asnjë fëmijë nuk është në ndonjë rrezik. Të gjithë nxënësit që erdhën sot në kontroll, nuk treguan simptoma. Nuk është lotsjellës, nëse bëhej fjalë për lotsjellës simptomat do të ishin më të dukshme, dhe gazi do të helmonte më shumë nxënës”, thotë mjeku Nestor Popovski.
Nga burime tona mësojmë se bëhet fjalë për nxënës të shkollës “Arseni Jovkov”, të cilët pa menduar se do të shkaktojnë një problem të tillë, kanë spërkatur nxënësit tjerë duke mos ditur për çfarë lloji të sprejit bëhet fjalë. Këtë informacion e konfirmuan prapa kamerave edhe zyrtarë të shkollës.
Furkan Saliu
Mustafa: Kosova u trajtua si shtet(VIDEO)
Kryeministri i Kosovës , Isa Mustafa thotë se Kosova është trajtuar si shtet i barabartë gjatë samitit kundër ekstremizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për RTV 21 , Mustafa thekson se gjatë takimeve të shumta është kërkuar mbështetje për anëtarsimin e Kosovës në UNESCO si dhe në organizatat e tjera si INTERPOL dhe EUROPOL. Intervistën me kryeministrin Mustafa e zhvilloi i dërguari ynë special në SHBA, Eugen Saraçini./ 21 Media
"Lenka": Sektori civil të kyçet në debat për sistemin zgjedhor
Diskutimi mos të jetë vetëm mes katër partive politike më të mëdha, por edhe përbërësit e tjerë politik të marrin pjesë në debatin për përmirësimin e rregullores zgjedhore me këtë të bëhet edhe demokratizimi i gjithë procesit zgjedhor, janë kërkesat shoqatës për drejtësi sociale “Lenka”.
“Sipas nesh, nuk është e nevojshme procedurë burokratike të cilën iniciativat zgjedhore i ekspozon në shpenzime të mëdha, nuk është as praktike, as në shumë shtete nuk nxjerrin nënshtetësi, ajo mund të bëhet me kontroll të listës zgjedhore dhe sipas letërnjoftimit. Financimi i partive politike, ku çdo person fizik mund të kontribuojë me 50 mijë euro – ne mendojmë se kjo krijon një lidhje organike midis politikës dhe kapitalit dhe mu për këtë kjo shumë duhet të jetë më e ulët. Partitë politike kanë në dispozicion 5, 2 milionë, duhet të ulet duke marrë parasysh standardin e ulët në vend”, vlerëson Dejan Lutovski nga Lëvizja “Lenka”
Sipas aktivistit Haktan Ismail nga po kjo lëzizje, procesi zgjedhor duhe të hapet edhe për subjektet më të vegjël. “Vetëm katër partitë politike të mëdha bëjnë plane, duhet që të hapet ky proces, të demokratizohet, të mund të marrin pjesë edhe partitë më të vogla. Sektori civil të marrë pjesë duke dhënë propozime dhe vërejtje për rregullat zgjedhore”, theksoi Ismail.
Sipas kësaj shoqate, Maqedonia duhet të ketë vetëm një njësi zgjedhore dhe të hiqen e mandatet e diasporës, por të jepen edhe më shumë detaje rreth financimit të fushatës zgjedhore nga partitë politike në Maqedoni.
Arbana Qerimi
Marrëveshja për pakon zgjedhore “5 në 12” – nëse respektohet, do të ketë zgjedhje
Mbeten edhe 5 ditë, kur liderët e katër partive më të mëdha politike, duhen të arrijnë marrëveshje rreth ndërrimit të modelit zgjedhor, në çfarë mënyre votuesit të regjistrohen, dhe a do të votojë diaspora.
Sipas Talat Xhaferit nga BDI-ja, palët hisedarë të Përzhinos duhen vetë të mësohen që të dalin nga krizat politike në të cilën gjenden, por nënvizon se asnjëra palë nuk po del të jetë e gatshme për këtë gjë. “PRaktika tregon se nuk jemi të gatshëm t’i zgjedhim problemet vetë dhe ashiqare po tregojmë se është e nevojshme që dikush të na rrijë mbi kokë. Nuk pres që bisedimet të cilat po zhvillohen të rezultojnë me gjetje të zgjidhjeve në kohë, por dëshiroj të më befasojnë”, theksoi Xhaferi, për të shtuar se nëse nuk ka zvarritje të proceseve politike, vendi do të jetë i gatshëm për zgjedhjet e 24 Prillit.
Nga ana tjetër, Goran Sugarevski i LSDM-së, nuk pret që marrëveshja të arrihet para kalimit të afatit kohor më 6 Tetor. “LSDM-ja ka qëndrim të qartë rreth gjithë çështjeve ashtu që, do të ishte mirë edhe para 6 tetorit, që mos të pritet afati i fundit kohor. Edhe 6 tetori si datë është në lojë, por duke i njohur njerëzit nga VMRO-ja se si funksionojnë, mendojë që ata do të përpiqen që të luajnë në kartën e arritjes së marrëveshjes në ditën e fundit”, vlerëson Sugarevski. Edhe ai është i mendimit se nëse respektohen të gjitha afatet kohore, më 24 prill, vendi do të jetë i gatshëm për zgjedhje të reja.
Nga partia VMRO – DPMNE nuk ishin të gatshëm që të flasin për afatet kohore, rreth bisedave për pakon e ligjeve zgjedhore.
Përveç ndryshimeve që pritet të ndodhin këtë javë në kodin zgjedhor, më 20 tetor duhet të pasojnë ndërrimet kadrovike në Qeveri. Kjo nënkupton se do të ketë ministra të ri për Punë të Brendshme, Punë dhe Politikë Sociale, Financa, Bujqësi dhe Shoqëri informatike dhe Administratë. Kurse në fund, edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski do të duhet të lëshojë postin, dhe kjo duhet të ndodhë para Vitit të Ri.
Aleksandra Smilevska
686 milionë denarë për funksionimin e Kuvendit, opozita kërkon asistentë dhe zyra
686 milionë denarë do të kushtojë funksionimi i Kuvendit për vitin 2016. Për 2,5 % është më i madh propozim- buxheti për këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, për shkak të përfundimit të punëve ndërtimore të ndërtesës së Kuvendit dhe për shkak të organizimit të konferencës së përbashkët me OSBE-në.
Deputeti i LSDM-së, Marijanço Nikollovski pyet pse nuk ende zyra kontakti me qytetarë për të gjithë deputetët. Sekretari i përgjithshëm sqaroi se në vend funksionojnë 75 zyra dhe se për të tjerat nevojitet zgjidhje hapësinore në bashkëpunim me komunat. “A janë parashikuar para për marrjen me qira të hapësirave për këto zyra? Me siguri shteti duhet të ketë ndërtesa, objekte, me të cilat menaxhon dhe të cilat mund të vihen në përdorim për këtë qëllim. Unë jam tetë vite deputet dhe akoma nuk kam zyrë?!”, pyeti deputeti Nikollovski.
Lidhur me këtë, përgjigje dha Zharko Denkovski, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të RM-së. „Kemi vështirësi të gjejmë hapësira për këtë nevojë. Në disa komuna ka, por në disa jo. Ne si shërbim kemi detyrim t’i servisojmë ato zyra dhe për këtë janë ndarë mjete. Por kemi raste kur paguajmë asistent deputeti, 10.000 denarë në muaj, aq janë paraparë, ndërsa ai deputet nuk ka zyrë…”, informoi Denkovski.
Goran Milevski nga PLD kërkoi që Komisioni ta shqyrtojë propozimin që secilit deputet t’i caktohet një asistent, duke shpjeguar se në kushte të këtilla, me nga një asistent për pesë deputetë, nuk mund të funksionohet në mënyrë efektive. “Kemi njerëz, të punësuar sipas Marrëveshjes Kornizë, të cilët qëndrojnë në shtëpi, nuk janë të angazhuar, ndërsa marrin rrogë. Të tillë kemi me qindra, që mund të thirren të punojnë si asistentë. Gjithashtu kemi punësim të stërngarkuar në shumë institucione, me ç’rast, një numër i madh i të punësuarve nuk punojnë sa nevojitet”, tha Milevski.
Me mendim të ndyshëm u shfaq deputetja e VMRO-DPMNE-së qeverisëse, Svetllana Jakimovska. “Te ne është ashtu. Ne kështu e kemi votuar këtë vendim edhe atë me konsensus. Nuk po them që kjo është në rregull, por mendoj se për pesë deputetë, një asistent i vetëm, mund të jetë për të gjithë efikas në mënyrë të barabartë. Ne mund të debatojmë për këtë edhe këtu në Komisionin buxhetor, nuk po them që s’mundemi, por megjithatë kjo temë tanimë është e rregulluar”, theksoi Jakimovska.
Për funksionimin e rregullt të Kuvendit, gjegjësisht për pagat dhe kompensimet për të punësuarit, janë planifikuar 299 milionë e 890 mijë denarë, ndërsa për harxhimet për udhëtim dhe për pjesëmarrjen në seanca – 80 milionë denarë. Për zyrat e kontaktit me qytetarë duhet të ndahen 12 milionë e 600 mijë denarë, ndërsa për përfundimin e ndërtesës së Kuvendit janë planifikuar 220 milionë e 162 mijë denarë.
Gabriella Dimkoviq-Mishevska


