Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë nuk dëshiron pazar mes partive politike për hapësirën mediatike, andaj propozon që Televizioni i Maqedonisë të mos kontrollohet prej partive në pushtet. Në takimin e sotëm po ashtu u tha se duhet të formohet një agjenci për media, e cila do të merret me mënyrën e financimit të televizionit shtetëror.
“Propozoj ndalimin e reklamimit politik te mediumet më të mëdha sepse nuk duam që mediumet të vazhdojnë të mbeten peng i reklamimit të partive të pasura. Nëse ndalohet reklamimi politik, në zgjedhje do të fitojë ata të cilët do të kenë program më të mirë politik, dhe jo ata të cilët posedojnë më tepër para për propagandë te mediumet.”, tha Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni.
Analiza e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë është përkrahur edhe nga Ambasada e Francës dhe Gjermanisë në Shkup, dhe kjo analizë vjen në moment kur liderët e katër partive më të mëdha afrohen në çastet kur duhet të diskutohet tema mbi mediumet në vend. “Me krenari e them që Franca dhe Gjermania bashkërisht përkrahin SHGM-në në punën e saj në rekomandimin e reformave në sektorin mediatik. Sa janë të rëndësishme këto reforma vërteton zbritja e Maqedonisë në Indeksin e “Freedom House” si dhe në listën e “Gazetarëve pa kufi”, ceku Kristine Althauzer, ambasadore e Gjermanisë në Shkup.
Për rëndësinë e reformave mediatike foli edhe ambasadorja e Francës në vend, Lorens Oer. “Nuk është hera e parë që Ambasada e Francës dëshironte të punoj në këtë sektor, në vitin 2014, pasi lexuam raportin e parë të “Gazetarëve pa kufi” dhe zbritjen dramatike të Maqedonisë në sektorin mediatik, ne së bashku me ekipin tim menduam që është me rëndësi që tani është koha të bëhet studim jo vetëm mbi principet, ligjet dhe vlerat por edhe edhe në monitorim konkret të ligjeve të ndryshme dhe praktikës që sipas ne është element shumë i rëndësishëm”, theksoi ajo.
Në takimin e sotëm me gazetarë i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri Fatmir Besimi, i cili beson se reformat në sferën mediatike do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e jetës së njerëzve, kurse liria e të shprehurit dhe liria e mediave janë detyra me prioritet drejt integrimit në Bashkimin Evropian. “Liria e mediave dhe liria e të shprehurit janë një prej priotiteve të cilët Unioni Evropian ka, si për antaret e saj, ashtu edhe për shtetet kandidate për Bashkimin Evropian, kjo është pjesë edhe në rekomandimit të Republikës së Maqedonisë, është pjesë edhe e prioriteteve të të drejtave fundamentale në raportit të Bashkimit Evropian”, vlerësoi zëvendëskryeministri Besimi.
Në Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë po ashtu u diskutua për e sulmet fizike ndaj gazetarëve. Sipas analizës të SHGM-së, në katër vitet e fundit ka pasur 23 sulme kundër gazetarëve dhe nëse këto raste nuk gjejnë përkrahjen e institucioneve, SHGM do t’i drejtohet Prokurorisë Speciale. Pjesëmarrës në këtë konferencës ishin edhe drejtues të mediave në Maqedoni, e disa prej tyre kërkuan analizën e dështimeve në Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, si dhe debate të zgjeruara mbi kontratat kolektive për të punësuarit në media.
Blerim Ismaili
