Mbeten edhe 5 ditë, kur liderët e katër partive më të mëdha politike, duhen të arrijnë marrëveshje rreth ndërrimit të modelit zgjedhor, në çfarë mënyre votuesit të regjistrohen, dhe a do të votojë diaspora.
Sipas Talat Xhaferit nga BDI-ja, palët hisedarë të Përzhinos duhen vetë të mësohen që të dalin nga krizat politike në të cilën gjenden, por nënvizon se asnjëra palë nuk po del të jetë e gatshme për këtë gjë. “PRaktika tregon se nuk jemi të gatshëm t’i zgjedhim problemet vetë dhe ashiqare po tregojmë se është e nevojshme që dikush të na rrijë mbi kokë. Nuk pres që bisedimet të cilat po zhvillohen të rezultojnë me gjetje të zgjidhjeve në kohë, por dëshiroj të më befasojnë”, theksoi Xhaferi, për të shtuar se nëse nuk ka zvarritje të proceseve politike, vendi do të jetë i gatshëm për zgjedhjet e 24 Prillit.
Nga ana tjetër, Goran Sugarevski i LSDM-së, nuk pret që marrëveshja të arrihet para kalimit të afatit kohor më 6 Tetor. “LSDM-ja ka qëndrim të qartë rreth gjithë çështjeve ashtu që, do të ishte mirë edhe para 6 tetorit, që mos të pritet afati i fundit kohor. Edhe 6 tetori si datë është në lojë, por duke i njohur njerëzit nga VMRO-ja se si funksionojnë, mendojë që ata do të përpiqen që të luajnë në kartën e arritjes së marrëveshjes në ditën e fundit”, vlerëson Sugarevski. Edhe ai është i mendimit se nëse respektohen të gjitha afatet kohore, më 24 prill, vendi do të jetë i gatshëm për zgjedhje të reja.
Nga partia VMRO – DPMNE nuk ishin të gatshëm që të flasin për afatet kohore, rreth bisedave për pakon e ligjeve zgjedhore.
Përveç ndryshimeve që pritet të ndodhin këtë javë në kodin zgjedhor, më 20 tetor duhet të pasojnë ndërrimet kadrovike në Qeveri. Kjo nënkupton se do të ketë ministra të ri për Punë të Brendshme, Punë dhe Politikë Sociale, Financa, Bujqësi dhe Shoqëri informatike dhe Administratë. Kurse në fund, edhe vetë kryeministri Nikolla Gruevski do të duhet të lëshojë postin, dhe kjo duhet të ndodhë para Vitit të Ri.
Aleksandra Smilevska
