BDI-ja kërkon përgjegjësi nga ministri Shasivari

TË FUNDIT

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim sot sërish kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me procesin gjyqësor në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Sipas BDI-së, Shasivari ka shkaktuar dëm të rëndë ndaj së vërtetës historike dhe kauzës shqiptare, pasi, siç thonë, ka barazuar viktimat e regjimit të Millosheviqit me agresorët.

“Deklarata skandaloze e ministrit të Drejtësisë ka shkaktuar dëm të rëndë ndaj së vërtetës historike dhe kauzës së shqiptarëve. Barazimi i viktimave të regjimit të Millosheviqit me agresorët prek drejtpërdrejt sakrificën e një populli të tërë dhe përpjekjen e tij për liri. Komunikatat e VLEN-it nuk mund ta mbulojnë këtë qëndrim. Kur një mendësi politike shfaqet kaq qartë përmes deklaratave të përfaqësuesve të vet, formulimet e mëvonshme nuk e zhbëjnë atë. Kjo është ideologjia e VLEN-it. Sot ajo u shpreh publikisht nga ministri i tyre i Drejtësisë. Dëmi ndaj kauzës shqiptare është i paprecedentë dhe kërkon përgjegjësi të qartë politike”, thonë nga BDI.