Njohësit e çështjeve ekonomike, skeptikë rreth buxhetit të planifikuar

TË FUNDIT

Buxheti i planifikuar për vitin 2016 nxiti reagim tek njohësit e çështjeve ekonomike në vend. Për një pjesë të tyre, dy komponenta janë të rëndësishme sa u takon projeksioneve të planifikuara: për çka do të harxhohen paratë, si dhe a do të vazhdojë praktika e rritjes së deficitit buxhetor.

Profesori Vanço Uzunov nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” mendon se edhe këtë vit po përsëritet tregimi i njëjtë. Qeveria, siç thotë ai, jep projeksione të veta të menduara dhe në bazë të tyre bën planifikimin e buxhetit, që më pas, të njëjtin, për publikun e paraqet si qëllimmirë për shtetin dhe për qytetarët. “Opozita dhe ekspertët këtë gjë e kritikojnë, por buxheti mbetet po ai. Në anën tjetër, edhe opozita kritikohet se është qëllimkeqe dhe mosbesuese. Më pas, kur të vijë viti, projeksionet ngadalë fillojnë të revidohen. FMN do të dalë me projeksione të veta, Banka Botërore me projeksione të tjera dhe më pas projeksionet do të revidohen. Kështu vjen deri te rebalancimi i buxhetit dhe rritja e deficitit”, vlerëson profesori Uzunov.

Qeveria edhe këtë vit e ka rritur deficitin buxhetor në shkallë shumë të lartë, thotë Uzunov, duke reaguar rreth realizimit të dobët në investimet kapitale. Sipas tij, realizimi i buxhetit nga qeveria është tipik për një vit zgjedhor, edhe atë në pjesën e rritjes së pagave në administratë dhe të pensioneve të qytetarëve, por në llogari të borxheve të reja.

Analistja me përvojë në fushën e ekonomisë, gazetarja Nina Fidanoska potencon se ky buxhet është historikisht buxheti më i madh deri më tani. Ajo është skeptike për realizimin e rritjes së planifikuar dhe shpjegon se një buxhet i këtillë është vështirë i realizueshëm. “Nga shpenzimet e planifikuara prej 3,2 miliardë euro, del se do të ketë deficit buxhetor për rreth 309 milionë eurosh, ose 3,2 për qind të PBB. Po të kthehemi pas, shohim se projektohet një buxhet. Për shembull, vitin që shkoi, kishim një normë planifikimi. Më pas doli se deficiti buxhetor u rrit për 4%.  Prandaj, i kam të arsyeshme dyshimet. A do t’i mbahemi këtij procesi prej 3,2 % për vitin e ardhshëm?”, pyet Fidanoska.

Në anën tjetër, javën e kaluar, ministri i financave, Zoran Stavreski, duke e elaboruar buxhetin, theksoi se karakteristikat themelore të tij janë zvogëlimi i deficitit prej 3,6 në 3,2 për qind, si dhe rritja e mjeteve për pensione, për ndihmë sociale, për investime kapitale, me qëllim të nxitet komponenta zhvillimore e tij. “Të ardhurat e përgjithshme janë të projektuara në 176 miliardë e 804 milionë denarë, që është për 6 % më e lartë sesa në vitin 2015, ose përkthyer në para është 9 miliardë e 962 milionë denarë. Shpenzimet janë pozicionuar në shkallë prej 195 miliardë e 788 milionë denarë, që është rritje për 4,7% në krahasim me vitin 2015. Ky raport do të rezultojë në zvogëlimin e deficitit buxhetor për 3,2%”, theksoi ministri Stavreski.

Realizimet makroekonomike për këtë vit, siç potencoi Stavreski janë solide dhe na japin mundësi të mira që në vitin 2016 të hyjmë me rritje të ekonomisë.

Vesna Jaqimovska