E çfarë është një fushë sportive pa zëra të gëzuar fëmijësh, të cilëve të vetmin ambient që kanë në dispozicion ua rrethojnë me tela? E gjithë kjo filloi kur një person është paraqitur si pronar i parcelës ku ndodhet fusha sportive në Fushë-Tophane, gjegjësisht parcelat kadastrale me numrat: 2135/1, 2135/2 dhe 313.
Aty ku ditë më parë luanin fëmijë, edhe pse në kushte jo të mira, pamja u ndryshua tërësisht kur fusha u rrethua me tela, duke i ngjarë oborrit të një burgu. Kjo ishte diçka që nuk mund të kapërdihej nga banorët. Bujar Idrizi, banues në këtë lagje, thotë për Televisionin 21 se është e palogjikshme dhe ligjërisht e papranueshme që kjo hapësirë të kalojë në pronësi të ndonjë personi fizik. “Një person fizik ka ardhur me arsyetimin se e ka blerë këtë pronë dhe se ka leje dhe e ka rrethuar, me arsyetimin se këtu planifikohet të ndërtohet pallat; dhe ajo që arrita të shqyrtoj, pashë se janë dy parcela, toka, të cilat kanë pronare, të cilat sipas disa arsyetimeve iu janë kthyer ne procesin e denacionalizimit, me çka thyhet ligji, pasi që ligji parasheh një mënyre krejt tjetër të kompensimit të procesit të denacionalizimit“, thotë Idrizi.
“Këtu asnjëherë nuk do të ndërtohet ndërtesë, pasi që fëmijet tanë nuk kanë ku të luajnë”…”nuk do ta lejojmë këtë gjë“, ishin fjalët që disa hërë përsëriteshin nga banorët e nevrikosur. Mirëpo nuk mbeti me kaq, prindërit së bashku më fëmijët i hoqën telat që rrethonin fushën dhe thanë se do të bëjnë të pamundurën që të mos lejojnë shaktërrimin e kësaj fushë, ku investimi është zero. “Edhe do të reagojmë jo vetëm për këtë, por për çdo uzurpim që është bërë në çdo qosh, ne do t’i kontrrollojmë, si ka arrdhur deri tek ato dokumente. Një plak më tregoi se kjo tokë është e Emin Begut. Qysh erdhën tash 15 maqedonë, prej nga erdhën.Tani duhet t’i shohim komplet dokumentet, si janë privatizuar ato. Edhe prandaj tash jam shumë këmbëngulës, jam shumë këmbëngulës, që s’ka më uzurpime, madje kanë me u përgjigj disa që i kanë privatizuar tokat tona, tokat e fëmijëve tanë. Këta fëmije s’kanë më ku të luajnë. Shikoje parkun, a e ke një luhatëse për fëmijë, për dy vjet, tre vjet, se këtu gjithë ata banorë janë. Turp është, turp. A dijnë të shëtiten me xhipa, me mercedesa, të tregojnë fraerllëk?!“, thotë një prej banorëve.
Sigurisht që një përgjigje në lidhje me këtë duhet ta merrnim edhe nga Komuna e Çairit.
Sipas tyre, bartës i pronësisë të parcelës së lartpërmendur në Kadastrën e patundshmërive është shteti, gjegjësisht Republika e Maqedonisë, si dhe disa persona fizik. “Në pajtim me rregullativën ligjore nga sfera e urbanizmit, pronarët nuk mund të fillojnë kurrfarë aktivitetesh ndërtimore pa fituar paraprakisht të drejtën e pronësisë mbi parcelën ndërtimore dhe pa e kompletuar dokumentacionin e nevojshëm për ndërtim, edhe atë vetëm për dedikim sport dhe rekreacion, që në këtë rast nuk është bërë. Në asnjë mënyrë të njëjtët nuk mund të fitojnë leje për ndërtim për banim kolektiv ose banim individual, sepse është në kundërshtim me ligjin dhe planin rregullativ të qytetit të Shkupit”, theksohet në përgjigjen e lëshuar nga komuna për Televizionin 21.
Evi Shkopi
