Helmimet në “Arseni Jovkov” – sipas mjekëve, materia e përdorur nuk është gaz lotsjellës

TË FUNDIT

Ministria e  Punëve të Brendshme sot doli me të dhëna rreth rastit të mbrëmashëm në Shkollën e Mesme Ekonomike “Arseni Jovkov” në Shkup, ku u helmuan 13 nxënës dhe një mësimdhënës.

Zëdhënësi i MPB  Ivo Kotevski , ka thënë se nxënësit janë spërkatur nga një materie ende e panjohur, kurse kamerat e sigurimit kanë filmuar rastin. “Kemi edhe video nga kamerat e sigurimit, që do të analizohei sot, si edhe mostrat të marra për të analizuar se për çfarë gazi bëhet fjalë, gjegjësisht për spërkatësin me të cilin janë spërkatur nxënësit. Sipas informatave të para që i kemi marrë nga dëshmitarët dhe nxënësit, ka shumë gjasa që nxënësit janë spërkatur nga një apo dy persona të panjohur”, informoi Kotevski.

Nga Spitali i Qytetit bëjnë me dije  se nxënësit e helmuar nuk janë në rrezik, dhe pas trajtimit mjekësor janë lëshuar në shtëpi. Po ashtu, mjekët thonë se materia e përdorur nuk është gaz lotsjellës, por ndonjë spërkatës tjetër. “Të gjitha rezultatet që u morën dje nga testimet e bëra janë në kufirin e normales, kështu që asnjë fëmijë nuk është në ndonjë rrezik. Të gjithë nxënësit që erdhën sot në kontroll, nuk treguan simptoma. Nuk është lotsjellës, nëse bëhej fjalë për lotsjellës simptomat do të ishin më të dukshme, dhe gazi do të helmonte më shumë nxënës”, thotë mjeku Nestor Popovski.

Nga burime tona mësojmë se bëhet fjalë për nxënës të shkollës “Arseni Jovkov”, të cilët pa menduar se do të shkaktojnë një problem të tillë, kanë spërkatur nxënësit tjerë duke mos ditur për çfarë lloji të sprejit bëhet fjalë. Këtë informacion e konfirmuan prapa kamerave edhe zyrtarë të shkollës.

Furkan Saliu