686 milionë denarë për funksionimin e Kuvendit, opozita kërkon asistentë dhe zyra

TË FUNDIT

686 milionë denarë do të kushtojë funksionimi i Kuvendit për vitin 2016. Për 2,5 % është më i madh propozim- buxheti për këtë vit në krahasim me vitin e kaluar, për shkak të përfundimit të punëve ndërtimore të ndërtesës së Kuvendit dhe për shkak të organizimit të konferencës së përbashkët me OSBE-në.

Deputeti i LSDM-së, Marijanço Nikollovski pyet pse nuk ende zyra kontakti me qytetarë për të gjithë deputetët. Sekretari i përgjithshëm sqaroi se në vend funksionojnë 75 zyra dhe se për të tjerat nevojitet zgjidhje hapësinore në bashkëpunim me komunat. “A janë parashikuar para për marrjen me qira të hapësirave për këto zyra? Me siguri shteti duhet të ketë ndërtesa, objekte, me të cilat menaxhon dhe të cilat mund të vihen në përdorim për këtë qëllim. Unë jam tetë vite deputet dhe akoma nuk kam zyrë?!”, pyeti deputeti Nikollovski.

Lidhur me këtë, përgjigje dha Zharko Denkovski, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të RM-së. „Kemi vështirësi të gjejmë hapësira për këtë nevojë. Në disa komuna ka, por në disa jo. Ne si shërbim kemi detyrim t’i servisojmë ato zyra dhe për këtë janë ndarë mjete. Por kemi raste kur paguajmë asistent deputeti, 10.000 denarë në muaj, aq janë paraparë, ndërsa ai deputet nuk ka zyrë…”, informoi Denkovski.

Goran Milevski nga PLD kërkoi që Komisioni ta shqyrtojë propozimin që secilit deputet t’i caktohet një asistent, duke shpjeguar se në kushte të këtilla, me nga një asistent për pesë deputetë, nuk mund të funksionohet në mënyrë efektive. “Kemi njerëz, të punësuar sipas Marrëveshjes Kornizë, të cilët qëndrojnë në shtëpi, nuk janë të angazhuar, ndërsa marrin rrogë. Të tillë kemi me qindra, që mund të thirren të punojnë si asistentë. Gjithashtu kemi punësim të stërngarkuar në shumë institucione, me ç’rast, një numër i madh i të punësuarve nuk punojnë sa nevojitet”, tha Milevski.

Me mendim të ndyshëm u shfaq deputetja e VMRO-DPMNE-së qeverisëse, Svetllana Jakimovska. “Te ne është ashtu. Ne kështu e kemi votuar këtë vendim edhe atë me konsensus. Nuk po them që kjo është në rregull, por mendoj se për pesë deputetë, një asistent i vetëm, mund të jetë për të gjithë efikas në mënyrë të barabartë. Ne mund të debatojmë për këtë edhe këtu në Komisionin buxhetor, nuk po them që s’mundemi, por megjithatë kjo temë  tanimë është e rregulluar”, theksoi Jakimovska.

Për funksionimin e rregullt të Kuvendit, gjegjësisht për pagat dhe kompensimet për të punësuarit, janë planifikuar 299 milionë e 890 mijë denarë, ndërsa për harxhimet për udhëtim dhe për pjesëmarrjen në seanca – 80 milionë denarë. Për zyrat e kontaktit me qytetarë duhet të ndahen 12 milionë e 600 mijë denarë, ndërsa për përfundimin e ndërtesës së Kuvendit janë planifikuar 220 milionë e 162 mijë denarë.

Gabriella Dimkoviq-Mishevska