Komisioni kuvendor kalon rritjen e pensioneve, pensionistët me qëndrime të ndara

0

Rritja e pensioneve kaloi në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale dhe në seancën e Kuvendit të RM. Nga muaji i ardhshëm, pensionistët do të marrin linearisht 621 denarë më shumë. TV 21 i pyeti pensionistët se a janë të kënaqur me këtë vendim. Ata kishin qëndrime të ndara.

Ndryshimet në Ligjin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, me të cilat është paraparë rritje lineare të pensioneve për 5%, kaluan në Komisionin për punë dhe politikë sociale. Ministri Spasov shpjegoi se pensionet e shtatorit do të rriten për 621 denarë.  „Duke qenë se vetëm një numër i vogël i pensionistëve në vend marrin pensione të larta, ndërsa pjesa më e madhe e tyre marrin pensione mesatare dhe minimale, u përcaktuam për një zgjidhje të këtillë të drejtë”, vlerësoi ai.

Sipas LSDM-së, kjo rritje është një manipulim i radhës i qeverisë. Fondi është i obliguar që dy herë në vit të bëjë harmonizim të pensioneve, në muajin e parë dhe atë të gjashtë të vitit. Kjo gjë nuk është bërë në vitin 2014 dhe sivjet. Kjo do të thotë se qeveria nuk i ka rritur pensionet, por se me atë 5 përqindësh që nuk është bërë harmonizimi, i rrisin tani, konsiderojnë deputetët opozitarë. „Nuk mendoj se pensionet do të rriten për 5%, por se do të ketë rritje të të gjithë masës dhe kur kjo të ndahet me numrin e pensioneve të marra, do të kemi 640 denarë. Për ata që marrin 18 mijë denarë pension, a paraqet kjo rritje për 5%?”, pyeti deputeti Alen Georgiev i LSDM-së.    

Pensionistët ndërkaq me qëndrime të ndara. “Po manipulohet me ato 500-600 denarë. Si të bëhet fjalë për ndihmë sociale. Do të na i marrin dhe më pas do të na i kthejnë me lugë çaji”, tha një pensionist për kamerën tonë. Me mendim të kundërt është një pensionist tjetër. „Unë jam për rritje lineare. Në këtë mënyrë do të afrohen pak ata që marrin pensione më të ulëta”,

Për Shoqatën e Pensionistëve, me këtë rritje përmirësohet standardi jetësor i tyre, ndërsa nga Partia e Pensionistëve të Bashkuar konsiderojnë se kjo rritje është vetëm një manipulim parazgjedhor qeveritar.

Gabriella Dimkoviq-Mishevska

 

Maqedonia në vendin e 60-të në raportin më të ri për konkurrencën globale

0

Maqedonia është ranguar në vendin e 60-të në raportin më të ri të Forumit Ekonomik Botëror sa i përket konkurrencës në botë. Kjo do të thotë përmirësim të konkurrueshmërisë së vendit për tri pozita në krahasim me vitin e kaluar.

Prej gjithsej 140 vendeve, sa kanë qenë të analizuara në korniza globale, Maqedonia është e ranguar më mirë se Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina. Më mirë se ne, siç tha zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski është Sllovenia, e cila gjendet vetëm një vend para Maqedonisë. “Shikuar gjatë tri viteve të fundit, kemi shënuar përmirësim për gjithsej 20 pozita sa i takon konkurrueshmërisë së të gjitha vendeve, të atyre që janë analizuar në botë. Po të shihet periudha prej vitit 2007 e këndej, brenda së cilës realisht kanë nisur aktivitetet më të rëndësishme në fushën e përmirësimit të konkurrencës, ekonomia maqedonase shënon përmirësim për 34 pozita”, informoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike.

Pjesa më e madhe e biznes-kompanive punojnë me sukses, por ka momente kur ndonjë nga kompanitë ka vështirësi në realizimin e synimeve të veta, deklaroi Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Ai kërkoi që qeveria të përqendrohet në punësimin në sektorin privat, në të cilin sektor, firmat do të kishin më shumë dobi dhe sukses. “Si odë ekonomike kërkojmë që të ketë lirim dhe të mos ketë monopol mbi energjetikën dhe mbi fusha të tjera, që do të mundësonte pasjen e një konkurrence më të mirë dhe më të lehtë në rajon”, theksoi Hoxha.

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav me apel drejt subjekteve politike – t’i realizojnë reformat, duke mundësuar një buxhet të mjaftueshëm dhe pavarësi të institucioneve. “Çështjet e brendshme, siç janë kriza parlamentare dhe akuzat për korrupsion, prokurorimi publik dhe sundimi i ligjit janë ndikime të rëndësishme mbi veprimtarinë e biznesmenëve. Bashkësia biznesore tashmë e ngre zërin për shkak të shqetësimit të tyre për zgjatjen e krizës politike në vend. Konsiderohet se kriza politike dhe refuzimi i kërkesave të liderëve të BE-së, çon në zvogëlimin e shkëmbimit tregtar në 13,5 për qind në gjysmën e parë të vitit”, tha euroambasadori Orav.

Orav përkujtoi se Bashkimi Evropian i ofron mbështetje të madhe Maqedonisë. Në periudhën prej vitit 2014-2020, Maqedonisë do t’i jenë në dispozicion 73 milionë euro nga BE-ja për të përmirësuar konkurrueshmërinë e saj.

Vesna Jaqimovska

Ministri Ademi: Ligji në Maqedoni pengon përdorimin e abetares unike

0

U bënë katër vite prej arritjes së marrëveshjes për shfrytëzimin e abetares unike, për nxënësit shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Luginë të Preshevës, por ajo ende nuk po zbatohet në Maqedoni. Kjo ngecje, sipas ministrit të arsimit në Maqedoni, është bërë për shkak se nuk është arritur të përgatitet ligji për tekstet e shkollore, që abetarja të futet në sistemin arsimor të Maqedonisë.  Ministri i Arsimit thotë se një ligj i tillë do të miratohet pas një periudhë më të gjatë, pasi që duhet kalojë në disa procedura.

Abetarja me të cilën punojnë arsimtarët në Maqedoni është me standarde të larta. Megjithatë, dëshira është më e madhe të punohet me abetaren e unifikuar, thotë një prej arsimtarëve. “Ndryshime nuk kemi pas për abetaren tjetër edhe pse kemi dëshirë edhe ne si gjithë trojet shqiptare, të punojmë me abetaren e unifikuar si ne Kosovë edhe në Shqipëri . Edhe me këtë abetare është mirë të punohet, kemi standarde të larta por kishim pas dëshirë edhe ne të punojmë me abetaren e unifikuar”, thotë mësuesja Arlinda Etemi nga SH.F “Hasan Prishtina” në Shkup.

 

Procedurat e gjata bëjnë që edhe ky vit të kalojë pa abetaren e përbashkët, dhe duhet pritur miratimin e ligjit e pastaj të fillojnë procedurat, shpjegon ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi. “Procedurat janë më të gjata, duhet të kalojnë edhe ne Qeveri pastaj  edhe në parlament, e shpresojmë deri në fund të këtij viti do të mund të miratohet ligji dhe të fillojnë procedurat për përpilimin e të njëjtëve”, tha Ademi.

Ministri Ademi gjithashtu shtoi se bëhet fjalë për mësimin e  shkronjave alfabetit të gjuhës shqipe, dhe se nuk duhet pasur pengesë për përdorimin e kësaj abetareje. “Nuk duhet të hasë në problem të tillë, sepse bëhet fjalë për tekst të unifikuar, tekst për abetaren, që nuk ka përmbajtje ta thuaja problematike, sepse këtu bëhet fjalë për mësimin e  shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe, që gjithë shqiptarët e kanë një alfabet, një specifikë e kështu me radhë, e nuk pres ose të ketë ndonjë problem dhe ndonjë rezistencë politike”, potencon ministri i arsimit.

Ministri Ademi shtoi se do të bashkëpunohet për arsim të lartë veçanërisht për drejtime deficitare  me Shqipërinë, kurse me Kosovën, do bëjnë shkëmbimin e studentëve ku është nënshkruar plani ekzekutiv njëvjeçar.

Miradije Hasani

 

Ambasadori Garet për TV21: Besoj në vullnetin politik të liderëve

0

Takimet që kishin zhvilluar katër liderët politik pas ngritjes së tensioneve me aferën e përgjimeve, janë mbresëlënëse meqë kanë prodhuar rezultate, që japin shpresë për ndryshim të mëtejmë, vlerëson ambasadori i Britanisë së Madhe në Shkup, Çarlls Garet. Ai për TV 21 tha se rezultatet janë të prekshme, meqë opozita është kthyer në Kuvend pas bojkotit të gjatë, dhe se gjërat po ecin në rrjedhën e tyre.

“Mendoj se rezultati i deritashëm, me LSDM-në e cila është kthyer në parlament, me marrëveshjen për Prokurorinë Special, dhe natyrisht edhe marrëveshjet e zorshme paraprake që u nënshkruar me 2 qershor dhe 15 korrik, tregojnë se ekziston vullneti politik, në mesin e liderëve, që të takohen dhe të gjejnë marrëveshje. Andaj, përgjithësisht unë jam optimist për këto cështje, pavarësisht se sa të vështira janë ato. Unë besoj dhe shpresoj, se do të kemi dicka në kohën e duhur”, tha Garet.

Marrëveshja e Përzhinos deri më tani ka rezultuar me zgjedhjen prokurores speciale, e cila do të hetojë dyshimet e ngritura lidhur me aferën e përgjimeve, dhe atë të rastit “Puç”.

Ndër të tjera, si pjesë e pakos së marrëveshjes është edhe rregullimi i procesit zgjedhor, nga pastrimi i listave të votuesve, e deri tek ndryshimi i mënyrës së votimit të diasporës. Edhe pse zyrtarisht nuk komunikohet ndonjë ndryshim në këtë agjendë, diplomati britanik thotë shprehet optimist se edhe ndryshimet në këtë aspekt do të arrihen në afat. “Qëndrimi im për këtë është se asnjë prej këtyre pyetjeve nuk është e lehtë, të gjitha prej tyre janë të ndjeshme. Do të duhet guxim i vërtetë dhe punë serioze, nga të gjitha palët, për të arritur pajtim për këto çështje. Tashmë kemi arritjet e marrëveshjeve të kaluara, si ato para Përzhinos, edhe ato pas Përzhinos, të cilat tregojnë se vullneti politik ekziston. Andaj, unë jam optimist edhe për këtë cështje”, theksoi Garet.

Marrëveshja për pakon zgjedhore është dashur të dalë në dritë të mërkurën, me ndryshimet për të cilat janë pajtuar hisedarët e këtij procesi. Mirëpo, takimi i grupit punues nuk prodhoi asnjë risi për publikun. Siç mësohet, dallimet mes palëve për këto tema mbeten ende të pakalueshme. Gjithçka pritet të vendoset nga vetë liderët deri më 6 tetor, afat i vendosur nga Brukseli përmes komisarit Johanes Han.

Qytetarët kundër transformimit të shëtitores pranë Vardarit në rrugë

0

Qytetarët e Shkupit po kundërshtojnë planin e Qytetit të Shkupit që shëtitorja e tashme të kalojë në rrugë për qarkullimin e automjeteve përgjatë lumit Vardar. Rrjetet sociale janë përplot reagime negative për transformimin e shëtitores pranë shtratit të lumit.

Kryetari i Komunës Qendër,  Andrej Zhernovski deklaroi se ka dërguar kërkesë për ndalimin e të gjitha projekteve në lidhje me ndërtimin e rrugës për qarkullimin e automjeteve afër Vardarit. “U vendosëm për këtë hap bashkërisht pasi kuptuam për vendimin e pushtetit lokal këtu të ndërtojnë rrugë transportuese. Ne kemi për obligim të përdorim të gjitha instrumentet ligjore të cilët kemi në dorë, me qëllim mbrojtjen e interesit qytetar. Dua qartë të theksoj se ky vendim do të qëndroj valid, përderisa pushteti lokal nuk ndryshon vendimin për ndërtimin e rrugës së tillë transportuese”, tha Zhernovski.

Qytetarët e Shkupit me të cilët bisedoi TV 21 janë shprehur kundër idesë, e cila parashikon që shëtitorja të shndërrohet në rrugë për automjete. Sipas planit të parë, rruga do të shtrihet prej shtatores së Filipit të Dytë deri te ndërtesa prapa Telekomit dhe do të kalojë para restoranteve të rrugës “Kej Vardar”.  Paraprakisht, ideja ishte që kjo rrugë të ndërtohet nëntokë, mirëpo në vitin 2012 Këshilli i Komunës Qendër ndryshoi planet dhe vendosi që rruga për automjete të jetë mbitokësore.
Blerim Ismaili

Janeva: Ekipi im gëzon reputacion të lartë

0

Tetë prokurorë nga Zyra e Prokurorit Publik në Shkup, një nga Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe nga një prokuror nga Kumanova, Kriva Pallanka, Koçani, Tetova dhe Gostivarit, është ekipi të cilin Prokurori Special, Katica Janeva,  e ka paraqitur sot si propozim te Këshilli i Prokurorëve Publik.

Ekipi i zgjedhur, për pesë vitet e ardhshme do të kenë për detyrë të ndihmojnë Janevës në zgjidhjen e çështjeve, nëse ka krim në bisedat e përgjuara, të publikuar nga opozita. “Bëhet fjalë për 14 prokurorë publik, së bashku me mua 15. Në rastin konkret, bëhet fjalë për profesionistë të shquar, të cilët gëzojnë besimin dhe reputacion të lartë. Numri i prokurorëve publik është i nevojshëm për funksionimin e suksesshëm të Prokurorisë Speciale Publike”, tha Janeva

Ndërkohë, siç informoi Janeva, është duke u bërë çdo gjë për të siguruar kushte të qeta dhe të përshtatshme për punë, që Prokurorët Publik Special të mund të fillojnë zyrtarisht me punën e vet. Hetuesit, që janë caktuar që të shqyrtojnë lëndët, siç informon Prokurori Special, do të jenë të njohur deri më  15 tetor,  që është edhe  afati i fundit për zgjedhjen e tyre.

Nga Prokurorët Publikë të zgjedhur, më e njohura në opinion është Lile Stefanova, nga Prokuroria për  Ndjekjen e Krimit të Organizuar. Ndër të tjera, Stefanova ka parashtruar akuzat kundër Pasko Kuzmanit në rastin “Falanga 2” , kundër kryetarit të Këshillit të Komunës Qendër, Miroslav Shipoviq në rastin “Mashinopromet”, kundër të punësuarve në Muzeun e Maqedonisë, si dhe dhe rastin “Spiun”. Stefanovska udhëhoqi akuzën kundër gazetarit Tomislav Kezharovski në rastin “Likuidim”, ku u dënuan edhe gjyqtarë, prokuror dhe avokat. Tani punon në procedurat parahetimorë në rastin “Magjar Telekom”, në të cilin ajo kishte marre në pyetje  Sllobodan Bogoevskin.

Anëtar tjetër i ekipit është Trajçe Pelivanov, i cili kishte përfaqësuar prokurorinë në rastin kundër kirurgut të syve, Dejan Stavriq, i akuzuar për marrje ryshfeti prej 2,000 euro, kurse Snezhana Bundalevska ka  punuar në lëndën  “Kreditë tajvaneze”, në të cilën ish-drejtori i Agjencisë për Rindërtim dhe Zhvillim, Vasil Tupurkovski dhe zëvendësi i tij i atëhershëm Jovan Andonov – Regan u akuzuan për shpërdorim të detyrës, që ka dëmtuar shtetin  për 170 milionë denarë. Prokurori Darko Jakimovski sërisht u bë i njohur në publik si prokuror në rastin e vrasjes së Angel Petrovskit nga Gjorçe Petrovi, kurse ka punuar edhe në rastin e vrasjes së vajzës tre-vjeçare Mevlanës, e cila u rrah për vdekje përderisa nëna e saj ishte në punë.

Iskra Opetçeska

Uashington: Jahjaga foli për kontributin e gruas kosovare në ndërtimin e paqes

0
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e 15 vjetorit të miratimit të rezolutës 1325 të KS të OKB-së, ishte e ftuar sot në Simpoziumin e Lartë për Pjesëmarrjen Politike të Grave në Procese Paqësore në Georgetown University në Uashington.

Në një bisedë bashkë me Ish-Sekretaren amerikane Madeleine Albright dhe Ish-Ambasadoren amerikane për Çështjet Globale të Grave, Ambasadoren Melanne Verveer, Presidentja Jahjaga ofroi përvojën e Kosovës për pjesëmarrjen e grave në jetën politike në vend.

Përgjatë viteve 1990 gratë në Kosovë u mobilizuan për të kryer punë humanitare, u mobilizuan politikisht për të protestuar kundër represionit dhe për të dokumentuar abuzimet e të drejtave të njeriut që çuan në ndërhyrjen humanitare ndërkombëtare që ndaloi luftën në vendin tonë dhe për të përkthyer në prova për gjykimet për krime lufte. Ato morën rrezik të madh personal dhe u përballen me probleme të përditshme, por kjo nuk i dekurajoi ato, tha ndër të tjera Jahjaga.

Presidentja poashtu foli për kontributin e gruas kosovare në ndërtimin e paqes. “Në paqe, roli i tyre është po aq thelbësor. Ne kemi rritur pjesëmarrjen e grave në nivel qendror dhe lokal. Sot gratë përbëjnë 30 përqind të Parlamentit të Kosovës, duke kontribuar në një demokraci përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse. Gratë deputete kanë tejkaluar vijat partiake dhe ideologjitë për të formuar grupin e tyre dhe ato kanë një mundësi unike të bëhen forcë serioze ne demokracinë tonë parlamentare,” deklaroi Presidentja Jahjaga.

 

jahjaga2jahjaga3

Kuvend: pozita dhe opozita përplasen rreth propozim – ligjit për furnizime publike

0

Retorikë e ashpër në seancën e sotme të Kuvendit për Ligjin për furnizime publike, në të cilën u votuan disa propozim-ligje në leximin e parë. Opozita konsideron se me krijimin e Këshillit për furnizime publike, jashtë suazave të Byrosë aktuale për furnizime publike, pushteti e manipulon Marrëveshjen e Përzhinos për qëllime parazgjedhore.

Për opozitën, krijimi i Këshillit për furnizime publike jashtë suazave të Byrosë aktuale për furnizime publike, paraqet një zgjidhje me të cilën luhet me Marrëveshjen e Përzhinos për aktivitete parazgjedhore të pushtetit. Me faktin se anëtarët e këshillit do t’i propozonte ministria kompetente, që jep raport një herë në vit para Qeverisë dhe jo para Kuvendit, ky organ nuk do t’i jepte rezultatet e pritshme, konsiderojnë nga LSDM-ja. „Ky ligj do të hyjë në fuqi nga data 1 qershor 2016. Nga kjo del se qëllimet tuaja për furnizime publike transparente nuk janë të ndershme. Mendoj se në këtë mënyrë dëshironi të manipuloni me Marrëveshjen e Përzhinos dhe të menaxhoni me furnizimet publike, ashtu siç keni nevojë në periudhën parazgjedhore”, tha Petre Shilegov, deputet i LSDM-së

Aga anën tjetër, deputetët e partisë qeverisëse me përgjigje: në mungesë të konceptit, LSDM-ja vetëm kritikon. “Dëshiroj t’ju pyes si është strategjia e LSDM-së në pjesën e furnizimeve publike dhe se si ju do t’u ndihmoni biznesmenëve në fushën e realizimit të furnizimeve publike. Për fat të keq, sot dëgjuam edhe një tjetër cirk tuajin”, tha Krsto Mukoski i VMRO-DPMNE-së

Edhe pse LSDM-ja opozitare nuk i mbështeti ndryshimet e këtij ligji, ato megjithatë u aprovuan nga shumica e deputetëve.

Gabriela Dimkoviq-Mishevska 

Avokati i Popullit Memeti për "10 minuta": Gjyqësori i politizuar, Qeveria nuk bashkëpunon me mua

0

Avokati i Popullit Ixhet Memeti, në emisionin “10 Minuta”  të TV 21 u ankua për mungesën e bashkëpunimit mes institucionit që drejton dhe Qeverisë. Ai gjithashtu tha se gjyqësori vazhdon të mbetet problemi kryesor i qytetarëve.

“Unë informova qeverinë, se kam probleme nga qeveria. Para disa ditëve mora përgjigje, se ata, atë shqetësim timin dhe masat që unë kërkoj t’i marrin, ia kanë përcjellë Ministrisë për Punë të Brendshme, por jam i bindur se nuk do të dalë asgjë edhe prej kësaj. Dhe nuk pres nga kjo strukturë qeverisëse që të fillojë bashkëpunimi”, vlerëson Memeti.

Lidhur me rastin e përgjimeve, Avokati i Popullit theksoi se për të ky rast nuk është i mbyllur “Unë publikisht e them se atë procedurë nuk e kam mbyllur. Diku me 20 tetor, në bazë të marrëveshjes politike për dalje nga kjo krizë duhet të zgjidhet qeveria e re. Unë do të vazhdoj me ministrin e ri që do të vijë, të kërkoj që ta zbardhë rastin e përgjimeve”, theksoi ombudspersoni.

Sa i përket burgjeve, Memeti vlerësoi  se ato janë në gjendje të mjerueshme. “Për fat të keq, burgjet në R.Maqedonisë janë në atë gjendje të mjerueshme në të cilën janë, nuk është problemi aq i madh se janë në atë gjendje, se sa është shqetësimi se pse pushteti nuk merr masa që të përmirësojë kushtet hapësinore, si dhe  t’i përmirësojë kushtet në këto institucione”, tha ai.

Duke folur për gjendjen e të burgosurve në rastin e Kumanovës, ai ceku se gjendja e tyre vjen duke u përmirësuar dhe se institucioni që ai drejton e ndjek këtë rast edhe më tutje.

Intervistoi: Furkan Saliu

Në Kosovë punësimi i grave më i ulëti në rajon(VIDEO)

0

Fuqizimi ekonomik i gruas mundëson një të ardhme të mirë për shoqërinë. Në Kosovë pjesëmarrja e grave në ekonomi është e ulët , kështu u tha në konferencën “Ku jemi -gratë në ekonomi dhe tregun e punës në Kosovë”, të organizuar nga dhoma ekonomike e grave G7./ 21 Media