Ka shkuar në 1060 numri i përgjithshëm i të prekurve nga fruthi. 22 mijë fëmijë në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut janë të pavaksinuar njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Ndonëse ishte e paraparë që sot të fillonte vaksinimi kundër fruthit nëpër shkolla, një gjë e tillë nuk ndodhi. Drejtorët e shkollave thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim zyrtar se kur do të bëhet vaksinimi i nxënësve. Ndërkaq drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemali” thotë se ideja që fëmijët të vaksinohen nëpër shkolla është e pranueshme dhe optimale.
“Kemi por është një numër shumë i vogël dhe ata qëndrojnë në shtëpi, në mjekim shtëpiak, do të thotë se nuk është përhapur shumë në shkollën tonë. Mendoj se duhet të vaksinohen patjetër, të gjithë ata që nuk janë vaksinuar, është mirë për nxënësit që mos të përhapet më tutje virusi”, theksoi Drejtoresha e SHF “Ismail Qemali”, Burbuqe Imeri.
Autoritetet shëndetësore në vend njoftuan se vendimi i djeshëm nga ana e ministrisë është dhënë shumë vonë. Ata nuk kanë mundur të arrijnë në kohë të bëjnë gati listat e shkollave se prej ku do të fillojnë me vaksinim dhe kanë kërkuar kohë deri të hënën që vjen. I pyetur për pëlqimin e prindërve, Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, thotë se edhe prindërit mund të qëndrojnë me nxënësit gjatë vaksnimit, por vaksnimi duhet të ndodhë patjetër që të arrihet imuniteti kolektiv.
“Gjithësesi se mund të jenë të pranishëm edhe prindërit, kjo po bëhet me qëllim që të ruhet shëndeti i fëmijëve. Potencoj sërish se të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar janë në rrezik të lartë për tu sëmurë. Nuk e di çka duhet të ndoh më shumë që t’ju tregojmë se kjo është e nevojshme”, potencoi Ministri I Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Në Agjencinë për ilaçe thonë se janë adresuar vetëm dy ankesa për efekte të padëshiruara nga vaksina MRP.
“Në Agjencinë për ilaçe, për vaksinën MRP kanë qenë të paraqitura dy raste, nga efekte të padëshiruara. Rritje e temperaturës dhe ca dhimbje të vogla, të caktuara, që janë normale. Për vitin 2018 kanë qenë gjithësej tre raste. Pra bëhet fjalë për një vaksinë tërësisht të sigurtë, që nuk paraqet problem te fëmijët, këtë duhet ta dijnë prindërit dhe të jenë të sigurtë edhe në cilësinë edhe në sigurinë e vaksinave”, u shpreh Aleksandra Grozdanova, Kryetare e Komisionit për Imunizim.
Filipçe tha se do të bëjë edhe një takim me grupin intersektor dhe nëse është e nevojshme do të bëjnë ndryshime ligjore. Ndryshe ai thotë se duhet të vaksinohen 96% e popullsisë që të arrihet imunitet kolektiv, për këtë arsye prej të hënës është paraparë që të fillojë vaksinimi nëpër shkolla. Përndryshe fëmijët që nuk janë vaksinuar kundër fruthit me vaksinën MRP, nuk do të mund të regjistrohen dhe as të ndjekin procesin arsimor. Ky vendim është sjellë nga Ministria e shëndetësisë dhe përkrahet nga Ministria e Arsimit.
Përgatiti: Almedina Ismajli
