“SYRI I MADH” QË MBLEDH TË DHËNAT?, SILJANOVSKA AKUZON LSDM-në PËR KEQPËRDORIM ZGJEDHOR

TË FUNDIT

Aplikacioni “Zgjedhje 2019” ose “Izbori 2019”  i cili është krijuar nga LSDM për të njoftuar mbi aktivitetet e fushatës zgjedhore presidenciale u tha se është mbyllur para disa ditëve por i njëjti siç shihet ende gjendet në Play Store dhe i njëjti mund të shkarkohet.

Shtabi zgjedhor i kandidates për presidente Gordana Siljanovska akuzon se nëpërmjet këtij aplikacioni, LSDM mbledh të dhënat personale të qytetarëve, përkatësisht të atyre të cilët kanë shkarkuar aplikacionin.

“Mbrëmë siç e dini mbi këtë problematik biseduam me Komisionin Zgjedhor Shtetëror, ndërsa sot në Prokurorinë Publike bisedova me përfaqësues të Komisionit të cilët bëjnë monitorime në rast të parregullsive zgjedhore. Nga aty na u tha që rasti është dorëzuar në Prokurorinë Publike Shkup në të cilën prokuror i caktuar duhet të hulumtojë mbi rastin”, tha Goran Mamirovski, zëdhënës i kandidates për president, Gordana Siljanovska Davkova.

Kryeministri Zaev tha se ky aplikacion është diçka që vendet evropiane e shfrytëzojnë tanimë me dekada dhe se kjo është një akuzë e rëndë kundrejt partisë që udhëheq.

“Gjithë atë që ndër vite e kemi bërë nga dera në derë, duke bërë evidencë nëpër fletore tani kaluam në mjetë moderne nëpërmjet internetit. Edhe ashtu vetëm sa të klikoni në ueb faqen e KSHZ keni qasje në listën zgjedhore në të cilën janë të lejueshme të dhënat në përputhje me ligjin dhe edhe në vet aplikacionin ajo është e lejuar dhe absolutisht besoj  se e gjitha kjo që bëhet është 100 për qind në përputhje me ligjet në vendin tonë dhe askush nuk prek në të dhënat personale të qytetarëve”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Edhe nga VMRO- DPMNE thonë që do të dërgojnë ankesë deri tek institucionet përkatëse por shprehen se nuk kanë besim në institucionet e vendit. Nga LSDM thonë që kjo është një tentim që të kthehet vëmendja për shkak të mundësisë për humbje në zgjedhjet presidenciale.

Përgatiti: Valmira Zendeli