Ekspertët e huaj kanë vlerësuar se censusi është rrezik real për dështimin e zgjedhjeve dhe andaj kanë rekomanduar i njëjti të tërhiqet. Ministrja Renata Deskoska nuk e përjashton mundësinë për ndryshime kushtetuese në pjesën e censusit, nëse nuk arrihet i njëjti në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.
“Ndryshimi i Kushtetutës, me qëllim që të lehtësohet procesi i zgjedhjeve presidenciale është diçka që tashmë e kanë rekomanduar OBSE/ODIHR. Ka dy opsione, njëra është që presidenti të zgjidhet në zgjedhje pa shumicën e nevojshme të daljes në rrethin e dytë. Kjo do të thotë se do të fitojë ai i cili do të marrë më shumë vota dhe këtu nuk keni mundësi t’i bojkotoni zgjedhjet. Opsioni tjetër është presidentin ta zgjedhë Kuvendi”, tha Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska Treneska.
Këto mundësi i bëri me dije kryeministri Zaev në emisionin Klik Plus në TV21, i cili tha se nuk beson se do të bojkotohen këto zgjedhjet dhe se beson se do të arrihet censusi i nevojshëm. Ai theksoi se ka biseduar me Deskoskën në rast të mos arrihet censusi dhe se i janë prezantuar pikërisht këto dy opsione.
Akuzat se opozitarja VMRO-DPMNDE mendon për bojkot të zgjedhjeve, i hodhi poshtë kryetari i partisë, Hristijan Mickoski. Njëkohësisht, kandidatja e tyre, Siljanovska në mitingjet shpesh herë u bën thirrje qytetarëve të dalin në numër të madh të votojnë, me qëllim, siç thotë ajo, të mos ketë mundësi që presidenti të zgjidhet në Kuvend.
“Motiv më të madh për bojkot kanë disa opsione tjera politike në Maqedoni se sa VMRO-DPMNE e cila do të fitojë në këto zgjedhje, nuk e di se si nuk e keni të qartë këtë gjë”, u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Censusi të cilin e parasheh Kushtetuta për rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale parasheh dalje prej të paktën 40%, që do të thotë 1. 808. 131 votues, në zgjedhjet do të duhet të dalin së paku 723 mijë e 253 votues.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
