Nën siguri të lartë policore dhe protokoll të veçantë, sot nga shtypshkronja në Manastir, “Kiro Dandaro” filloi distribuimi i materialit të besueshëm zgjedhor, deri te Komisionet Komunale Zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale.
“Ekipet tona, anëtarët e KSHZ-së e morën materialin dhe u drejtuan për ta dorëzuar nëpër Komisionet Komunale Zgjedhore. Nga aspekti i përgatitjes së materialit, deri më tani procedura është zhvilluar shumë mirë dhe shpresojmë se të dielën nuk do të kemi asnjëfarë problemi, sa i përket cilësisë dhe përpunimit të materialit votues”, u shpreh Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.
Derkoski shtoi se fletëvotimet nuk e përmbajnë emrin e ri “Republika e Maqedonisë së Veriut” por gjendet vetëm flamuri, numrat rendor të kandidatëve dhe emrat dhe mbiemrat e tyre, si dhe simbolet e partive politike që i mbështesin kandidatët. Nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” shtojnë se i gjithë materiali zgjedhor ka nivel të lartë të mbrojtjes.
“Siguria është në nivel të lartë, ndërsa fletëvotimet kanë 21 mbrojtje. Nuk është e mundur që të falsifikohet asnjë fletë, shkresat origjinale janë bërë në letër mbrojtëse, e cila nuk mund të kopjohet, me të dhëna të përgjithshme për çdo vendvotim”, potencoi Dragi Milloshevski, Drejtor i Shtypshkronjës “Kiro Dandaro”.
Të drejtë vote, në këto zgjedhje presidenciale kanë 1.808.131 votues, që do të votojnë në 3480 vendvotime në vend. Materiali zgjedhor tashmë është në rrugë drejt 32 konsullatave diplomatike në diasporë, ku janë paraqitur 1 782 votues, që do të votojnë të shtunën. Të shtunën do të votojnë edhe 3583 persona të sëmurë, 1600 të burgosur dhe 7 persona të shpërngulur.
Përgatiti: Jovica Paunoski
