ÇFARË PËRJETUAN GAZETARËT MË 27 PRILL? ENDE JANË SHENJAT NË PRES -QENDRËN NË KUVEND

0

Nuk ishte kështu qetë para dy viteve në sallën e konferencave në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Turma e protestuesve që hyri në kuvend sulmoi edhe në sallën e konferencave për shtyp. Të parët u sulmuan kamermanët ku ishin vendosur menjëherë pas dyerve. Gazetarja Iskra Opetçevska ishte në Kuvend për të raportuar zhvillimet e fundit, por me të hyrë turma ajo u sulmua. Opetçevska kujton natën e tmerrshme që përjetoi dhe thotë se ende ndjen dhimbje nga sulmi fizik që iu bë para dy vjetëve.

“Ajo më së shumti që më habit është fakti se përveç dhunës fizike që përjetova, ku edhe sot e kësaj dite ndjej dhimbje në shpatullat, isha e sulmuar me karrike, që ne i quajmë karrike drejtorësh të cilat peshojnë ndoshta 10 kg. Para se të më gjuaj me karriken e rëndë personi që më sulmoi me tha po edhe ti do të vuash sepse po punon në televizion shqiptar. Unë atëherë punoja në Televizionin 21” tha Iskra Opetçevska Gazetare.

Gazetari Kristijan Llandov ishte në detyrë ndërsa thotë se kameramani i tij ishte i sulmuar, dhe se mundoheshin të gjejnë një mënyrë për tu larguar sa ma shpejt nga Kuvendi.

“U futën shumë njerëz nuk e dinim se çfarë po ndodh, e di që kolegu im Nikolla Ordevski kameramani ishte i sulmuar, kishte edhe gazetarë të tjerë ku ishin në panik si dhe kishte edhe gazetare që ishin shtatëzëna. E gjithë situata eskaloj për një kohë të shkurtër dhe filluam të largoheshim nëpër korridoret, të fshiheshim dhe kërkonim mënyrë se si të largohemi nga kuvendi” Krisijan Landov Gazetar  .

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë Mlladen Çadikovski thotë se rreth 20 gazetarë ishin sulmuar edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të ekspozuar në torturë psiqike dhe fizike, kurse dy morën edhe lëndime të rënda.

Dhjetëra gazetarë atë natë e pësuan në mënyrë shumë të dhimbshme. Ishin nën kërcënime të vazhdueshme dhe të pamundësuar që ta kryejnë punën e tyre, të shqetësuar dhe të traumatizuar. Rreth 20 gazetarë ishin edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të ekspozuar në torturë psiqike dhe fizike, kurse dy morën edhe lëndime të rënda. 27 prilli edhe një herë tregoi se institucionet kanë trajtim të pabarabartë, sidomos Prokuroria, kur ishin lënduar gazetarë kundrejt politikanëve thotë Mlladen Cadikovski – SHGM.

Kryetari i SHGM-së tha se ka disa aktgjykime kundër dhunuesve që i sulmuan politikanët, por asnjë kundër atyre që i goditën gazetarët. Ai shton se  SHGM-ja po tenton që përmes një bashkësie ndërkombëtare të donatorëve të sigurojë mënyrë që të gjithë gazetarët që gjatë asaj nate të vështirë për Maqedoninë, në çfarëdo mënyre përjetuan trauma, të munden që përmes procedurave gjyqësore ta dëshmojnë drejtësinë. Shenjat e dhunës nga turma, ende janë të pranishme në sallën e pres qendrës në Kuvend.

“Natën e 27 prillit siç e shihni këtë sallë këtu ishte e mbushur plot me protestues, ku sulmonin gazetarët dhe deputetët që ishin në këtë sallë. Nga dhuna që ushtrohej atë natë siç mund të shihet edhe pas dy viteve mund të vërejmë shenja që kanë mbetur.” Afrim Jonuzi 

HAN NË INTERVISTË PËR AGJENCINË “EVROPA”, “BËHET FJALË PËR BESUESHMËRINË E BE-së”

0

Eurokomisari për zgjerim Johanes Han në një intervistë për agjencinë “Evropa” porositi se shtyrja e mundshme e fillimit të bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, do të kishte pasoja dramatike. Ai tha se bëhet fjalë për besueshmërinë e BE-së, sepse vendet-anëtare e kanë vendosur qershorin si muaj për vendim për hapjen e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Eurokomisari Han, nuk do të marrë pjesë në Samitin joformal në Berlin që do të mbahet të hënë, i cili i është kushtuar Ballkanit, sepse zgjerimi nuk është në agjendën. Reagimi i tillë vijon pas porosive të djeshme nga Parisi – se Franca ngelet e rezervuar për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në qershor të këtij viti.

KOLONA TË GJATA NË “BOGORODICË”, MBI 1 MILION SHTETAS TANË E VIZITUAN GREQINË NË 2018-n

0

Kolona me makina ishin regjistruar këtë mëngjes në vendkalimet kufitare me Greqinë fqinje. Një numër i madh qytetarësh nga Maqedonia si çdo vit tjetër, ashtu edhe sivjet vendosën që fundjavën e zgjatur ta kalojnë në Greqi. Sipas informatave, për të hyrë në territorin e fqinjit jugor, pritej edhe për më shumë se gjysmë orë. Por, sipas të dhënave statistike që i ka publikuar Banka e Greqisë, në vitin 2018 ka pasur për 13.6% më pak turistë nga Maqedonia në krahasim me 2017. Vitin e kaluar, nga qytetarët e Maqedonisë, Greqia ka përfituar 155 milionë euro, që është më pak në krahasim me tre vitet paraprake. Në vitin 2015 është regjistruar numri më i madh i turistëve nga Maqedonia e Veriut që kanë udhëtuar në Greqi, kurse të ardhurat e saj, për vitin në fjalë kanë arritur deri në 247 milionë euro.

KRYEPESHKOPI STEFAN URON PASHKËT, “FESTA DUHET TË NA AFROJË DHE TË NA BASHKOJË”

0

Krishterët ortodoksë nesër e shënojnë festën e madhe Pashkët, ringjalljen e Jezu Krishtit. Prandaj, kryepeshkopi Stefan këtë mëngjes ka mbajtur liturgji në Tempullin “Shën Naumi i Ohrit” në lagjen Radishani, duke u dërguar porosi të gjithë besimtarëve të fesë ortodokse të afrohen dhe të bashkohen. –Me ringjalljen e tij u arsyetua edhe feja jonë dhe jeta mori një kuptim. Nga ajo çudi buron edhe shpresa në ringjalljen e tij, sepse nëse Jezisi nuk ringjallte, feja jonë do të mbeste bosh, porositi kryepeshkopi Stefan.

-Gëzimi i Pashkëve duhet të na afrojë dhe të na bashkojë të gjithë, si fëmijë e nënës sonë – Kishë, ne që jemi në atdheun, dhe të gjithë ju që jeni zhvendosur nëpër botën. Pa dallim ku jeni – të jetojmë në paqe me të gjithë njerëzit, duke i ruajtur vlerat kombëtare dhe shpirtërore si popull, duke treguar kujdes për martesën dhe familjen, kujdes për më të moshuarit, të sëmurët dhe të varfëritë, sidomos për të rinjtë dhe edukimin e tyre në frymën e fesë ortodokse dhe traditave tona të vjetra, theksoi Kryepeshkopi Stefan kryetar i KOM-it

  

PENDAROVSKI: “SILJANOVSKA ASNJËHERË NUK I DËNOI NGJARJET E 27 PRILLIT”

0

Kandidati i LSDM-së dhe shumicës parlamentare, Stevo Pendarovski, sot në parkun e Qytetit u  takua me qytetarët. Ai e shfrytëzoi “27 prillin” që të dërgojë kritika në adresën e kundër- kandidatit të tij, Gordana Siljanovska Davkova. Siç tha ai, Siljanovska as më parë e as sot nuk ka thënë asnjë fjalë për të dënuar “të enjten e përgjakshme”, ngjarje që paraqet turp për Maqedoninë.

-Ata që e kanë bërë këtë, edhe sot e kërkojnë besimin tuaj duke u bazuar në të njëjtën platformë, të njëjtat postulate politike, duke thënë se dëshirojnë që përsëri të vijnë në pushtet, duke u betuar në të drejtën dhe drejtësinë. Të nderuar qytetarë, të gjitha frazat që kanë të bëjnë me të drejtën dhe drejtësinë, do të kishin vlerë dhe peshë vetëm nëse zonja Siljanovska dhe partia që e përkrah atë, i dënojnë ngjarjet dhe të tregojnë se të gjithë ata që i organizuan këto ngjarjet, janë turp për të gjithë ne. Kjo është më e rëndësishme se sa fakti  kush do t’i fitojë zgjedhjet, është më e rëndësishme nga mandatet e deputetëve dhe këshilltarëve, është më e rëndësishme nga numri i votave që do t’i fitojmë. Kjo madje është më e rëndësishme se sa fakti nëse do të marrim datë për fillimin e negociatave në qershor ose jo, theksoi Stevo Pendarovski, kandidat për president

SILJANOVSKA E BINDUR SE DO TË FITOJË, “MË 5 MAJ DO TË KEMI ARSYE PËR TË FESTUAR”

0

Kandidati për president, i përkrahur nga VMRO-DPMNE-ja, Gordana Siljanovska Davkova, gjatë ditës së sotme ishte në Kavadar ku zhvilloi takime me qytetarët. Ajo porositi se në rrethin e parë i ka inspiruar njerëzit që të dalin dhe të votojnë në rrethin e dytë. Njëkohësisht, ajo deklaroi se ndaj qytetarëve është ushtruar  presion, por se ata do të jenë të guximshëm për të dalë në rrethin e dytë dhe t’i zgjidhin të gjitha dilemat. Siljanovska tha se ka premtuar që nga dita e parë e mandatit të saj si president ajo do të jetë në anën e qytetarëve dhe se nuk do të harrojë se çka ka arritur me përkrahjen e tyre.

Ata të cilët menduan se nuk ia vlen  të dalin në këto zgjedhje, është inkurajuese, i shikoni debatet dhe nuk do të doja t’i komentoja.  Rezultati është i qartë, mendoj se jemi në rrugën e vërtetë dhe se më 5 maj do të kemi arsye që të festojmë, jo se për herë të parë në zgjedhje presidenciale në Maqedoni do të fitojë një femër, por se unë besoj se duhet të vlerësohet dituria, mendja, përgjegjshmëria, afërsia me qytetarët, modestia nëse doni, dhe se ky është kombinacioni demokratik i cili fiton, theksoi  Gordana Siljanovska Davkova, kandidat për president

ZAEV POHON: “VAZHDOJNË NEGOCIATAT ME VMRO-DPMNE PËR PPS”

0

Vazhdojnë negociatat e grupeve të punës të LSDM-së dhe partisë opozitare, VMRO-DPMNE-së, për ligjin e ri për prokurorinë publike, me të cilin duhet të caktohet statusi i ardhshëm i PPS-së, tha kryeministri Zoran Zaev. Siç tha ai, në këtë moment bisedohet për lëndët që hetohen, duke shtuar se të dyja palët janë afër që të arrijnë marrëveshje, ndërsa vazhdojnë takimet e ministrisë së drejtësisë me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së.

Prokurori publik dhe dy prokurorë tjerë publik me stazh prej mbi 15 vjet, të bëjnë rishpërndarje të lëndëve te prokuroritë përkatëse dhe prokurorë të cilët do ta caktojnë ardhmërinë e këtyre lëndëve. Kjo do të thotë se ne politikanët as me ligj nuk do ta bëjmë këtë, por sistemi juridik duhet të marrë shans dhe të caktohet për të cilat lëndë do të ketë aktakuzë, theksoi Zoran Zaev, Kryeministër I RMV-së

PAPA I “SANON” GROPAT E RRUGËVE, MË 7 MAJ SHKUPI DO TË JETË NËN REGJIM TË VEÇANTË

0

Pothuajse të gjitha rrugët e zonës qendrore të Shkupit, më 7 maj do të jenë të bllokuara, duke filluar nga rruga Maqedonia e deri tek Ura e Gurit. Regjim i veçanet trafiku do të ketë edhe për këmbësorët gjatë vizitës së Papës Françesku. Dhjetë ditë para vizitës së Papës, NP “Rrugë dhe Rrugica” në mënyrë intensive i sanon gropat dhe trotuaret. Edhe pse është e shtunë, një ditë para festës së madhe, punëtorët kanë shumë punë.

Rregulla të veçanta për lëvizjen e këmbësorëve në zonën qendrore të Shkupit. Në zonën “Ringu i vogël” të gjithë qytetarët  në periudhë prej orës 6 në mëngjes deri në orën 19, më 07.05.2019 do të duhet të identifikohen me dokumente identifikimi dhe t’u nënshtrohen kontrolleve për siguri.

Ura e Gurit, Ura “Syri” dhe Ura e Artit do të jenë të mbyllura për lëvizje, si dhe Keji “13 Nëntori” nga të dyja anët e lumit.

Brenda zonës qytetarët do të mund të kenë qasje deri te të gjitha lokacionet, përveç në zonën e mbyllur në shesh. Do të ketë ndalesa për lëvizjen e motoçikletave, biçikletave, mopedëve në zonën e siguruar “Ringu i vogël”. 7 maj është ditë pune kështu që të gjitha kapacitetet shtetërore dhe private do t’i kenë të gjitha kushtet e nevojshme për punë.

2 VJET NGA DHUNA NË KUVEND, DREJTËSIA FUNKSIONOI VETËM PËR NJË PJESË TË DHUNUESVE

0

27 prill, 2017. Protesta e kësaj dite e mbajtur dy vite më parë, dukej tërësisht e zakonshme, ngjashëm si ato që mbaheshin ditët e tjera. Kështu ishte deri në momentin kur u zgjodh kryetari i ri i kuvendit.

Situata eskaloi, turma e protestuesve depërtoi përtej kordonit të policisë dhe përmes hyrjes kryesore, arritën të futen deri tek salla e pres-konferencave ku sapo ishte folur për kryetarin e posazgjedhur të kuvendit.

Protestuesit, sulmuan fizikisht deputetët, të cilët vetëmbroheshin në mungesë të intervenimit të policisë. Sipas hetimeve të prokurorisë, planifikohej ekzekutimi i disa deputetëve. Në sallën e konferencave për media, më së keqi e pësoi Ziadin Sela…

Po ashtu, ditën e nesërme vazhdoi protesta e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët kundërshtonin, shkeljet kushtetuese, siç thoshin ata, gjatë zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Rasti për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 filloi më 22 gusht të vitit 2018 dhe është njëri prej më të mëdhave në historinë më të re të Maqedonisë. Fillimisht procesi nisi kundër gjithsej 33 personave, prej të cilëve 31 persona për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy vetë për nxitje. Por, pas miratimit të Ligjit për amnisti u amnistuan 15 persona.

Në kuadër të procedurës së dëshmuar janë marrë në pyetje rreth 50 dëshmitarë, si edhe një dëshmitar i mbrojtur, në dëshmimin e të cilit ishte përjashtuar opinioni. Si dëshmitarë u morën në pyetje kryeministri aktual Zoran Zaev, ministri Damjan Mançeski, ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski, dhe peshkopi Pimen.

Këshilli gjyqësor në Gjykatën Penale në Shkup, i kryesuar nga gjykatësja Dobrilla Kacarska më 15 mars u shqiptoi dënim të përgjithshëm me burg prej 211 viteve 16 të akuzuarve për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, ndërsa Igor Durllovskin e liroi nga aktakuza. Për ngjarjet e 27 prillit Prokuroria Speciale po heton edhe ish-kryeparlamentarin, Trajko Veljanovski dhe dy ministra të tjerë, përfshirë edhe ish-kryeministrit e arratisur, Nikolla Gruevski, por ende pa ndonjë rezultat konkret.

VIZITA E PAPËS, PRITJE RADHE PËR BILETA -DERI MË 3 MAJ VLEN OFERTA E BILETAVE FALAS

0

Në Katedralen Katolike në Shkup, qytetarët presin radhë për të marrë bileta për pjesëmarrje në liturgjinë që do të mbahet në Sheshin “Maqedonia”. Ena Abianiq – Çausidis nga Kisha Katolike, thotë se për çdo ditë vijnë qindra qytetarë për të marrë bileta që jepen falas.

Paraqitjet për qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë dhe do të zgjasin deri më 3 maj. Mund të paraqiten në të gjitha famullitaret katolike në RMV, kurse qytetarët e Shkupit  këtë mund ta bëjnë në Katedralen Katolike “Zemra e Shenjtë e Krishtit” nga e hëna deri të premten nga 10 deri në orën 13 dhe nga ora 16 deri në 17:30, deklaroi Ena Abianiq – Çausidis nga Kisha Katolike.

Qytetarët thonë se vizita e Papës është historike dhe se do të kishin dashur ta shohin.

“Këtë gjë njeriu mund ta përjetojë një herë në jetë. Kjo po ndodh në vendin tonë. Duam të marrim bileta edhe për bijën, për dhëndrin dhe fëmijët”, tha qytetari.

“Ka rëndësi të shihet Papa. Kjo ndodh rrallëherë. Të shohim si duket kjo. Jam pensionist, dhe të kalojmë pak kohë”, tha qytetari.

Nga Kisha Katolike thonë se më shumë bileta janë rezervuar nga qytetarët e Kroacisë. Por, ka interes edhe nga shtetasit e Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Polonisë dhe Sllovenisë, të cilët tashmë kanë siguruar bileta për të marrë pjesë në liturgjinë që do të mbahet në Sheshin “Maqedonia”.

PËRGATITI: ARBANA Q.KLIMENTA