27 prill, 2017. Protesta e kësaj dite e mbajtur dy vite më parë, dukej tërësisht e zakonshme, ngjashëm si ato që mbaheshin ditët e tjera. Kështu ishte deri në momentin kur u zgjodh kryetari i ri i kuvendit.
Situata eskaloi, turma e protestuesve depërtoi përtej kordonit të policisë dhe përmes hyrjes kryesore, arritën të futen deri tek salla e pres-konferencave ku sapo ishte folur për kryetarin e posazgjedhur të kuvendit.
Protestuesit, sulmuan fizikisht deputetët, të cilët vetëmbroheshin në mungesë të intervenimit të policisë. Sipas hetimeve të prokurorisë, planifikohej ekzekutimi i disa deputetëve. Në sallën e konferencave për media, më së keqi e pësoi Ziadin Sela…
Po ashtu, ditën e nesërme vazhdoi protesta e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët”, të cilët kundërshtonin, shkeljet kushtetuese, siç thoshin ata, gjatë zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Rasti për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 filloi më 22 gusht të vitit 2018 dhe është njëri prej më të mëdhave në historinë më të re të Maqedonisë. Fillimisht procesi nisi kundër gjithsej 33 personave, prej të cilëve 31 persona për rrezikim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy vetë për nxitje. Por, pas miratimit të Ligjit për amnisti u amnistuan 15 persona.
Në kuadër të procedurës së dëshmuar janë marrë në pyetje rreth 50 dëshmitarë, si edhe një dëshmitar i mbrojtur, në dëshmimin e të cilit ishte përjashtuar opinioni. Si dëshmitarë u morën në pyetje kryeministri aktual Zoran Zaev, ministri Damjan Mançeski, ish-kryeparlamentari Trajko Veljanovski, dhe peshkopi Pimen.
Këshilli gjyqësor në Gjykatën Penale në Shkup, i kryesuar nga gjykatësja Dobrilla Kacarska më 15 mars u shqiptoi dënim të përgjithshëm me burg prej 211 viteve 16 të akuzuarve për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit 2017, ndërsa Igor Durllovskin e liroi nga aktakuza. Për ngjarjet e 27 prillit Prokuroria Speciale po heton edhe ish-kryeparlamentarin, Trajko Veljanovski dhe dy ministra të tjerë, përfshirë edhe ish-kryeministrit e arratisur, Nikolla Gruevski, por ende pa ndonjë rezultat konkret.
