Në Katedralen Katolike në Shkup, qytetarët presin radhë për të marrë bileta për pjesëmarrje në liturgjinë që do të mbahet në Sheshin “Maqedonia”. Ena Abianiq – Çausidis nga Kisha Katolike, thotë se për çdo ditë vijnë qindra qytetarë për të marrë bileta që jepen falas.
Paraqitjet për qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë dhe do të zgjasin deri më 3 maj. Mund të paraqiten në të gjitha famullitaret katolike në RMV, kurse qytetarët e Shkupit këtë mund ta bëjnë në Katedralen Katolike “Zemra e Shenjtë e Krishtit” nga e hëna deri të premten nga 10 deri në orën 13 dhe nga ora 16 deri në 17:30, deklaroi Ena Abianiq – Çausidis nga Kisha Katolike.
Qytetarët thonë se vizita e Papës është historike dhe se do të kishin dashur ta shohin.
“Këtë gjë njeriu mund ta përjetojë një herë në jetë. Kjo po ndodh në vendin tonë. Duam të marrim bileta edhe për bijën, për dhëndrin dhe fëmijët”, tha qytetari.
“Ka rëndësi të shihet Papa. Kjo ndodh rrallëherë. Të shohim si duket kjo. Jam pensionist, dhe të kalojmë pak kohë”, tha qytetari.
Nga Kisha Katolike thonë se më shumë bileta janë rezervuar nga qytetarët e Kroacisë. Por, ka interes edhe nga shtetasit e Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Polonisë dhe Sllovenisë, të cilët tashmë kanë siguruar bileta për të marrë pjesë në liturgjinë që do të mbahet në Sheshin “Maqedonia”.
PËRGATITI: ARBANA Q.KLIMENTA
