REISI UROI VDEKJEN E GJYKATËSES, QEVERIA DËNON GJUHËN E URREJTJES

0

Kreu i BFI-së Sulejman Rexhepi dje tha se nuk do t’i vinte keq për Gjykatësen e “Shkupit 2” edhe sikur ajo të vdesë, ndërsa shtoi se vendimi për emrimin e Skender Buzakut për kryetar të BFI-së është bërë me dokumentet të falsifikuara. Me këtë rast krahasoi edhe besimin e Buzakut.

“Unë garantoj, betohem ne Allah, nëse ai është mysliman, mundet edhe qentë të jenë mysliman”, theksoi Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi.

“Kjo grua këtë nuk e ka bërë e vetme. Dëgjova se ajo tani paska probleme shëndetësore, por nuk më vjen keq, të tillët le të vdesin sa më shpejtë”, u shpreh Sulejman Rexhepi, Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame.

Ndonëse kjo deklaratë e Reisti u prit me duartrokitje dhe buzëqeshje nga kolegët e tij. Por jo edhe nga ekzekutivi e gjyqësori.

“Në lidhje me fjalët e thëna, dënojmë gjuhën e urrejtjes, siç kemi bërë gjithnjë deri më tani. Institucione e kyçura që punojnë në disa problematika që ndodhin në BFI do ta thonë fjalën e tyre. Qeveria nuk përzihet në punën e bashkësive fetare”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

“Prokuroria Themelore Publike Shkup do të kryejë kontrolle edhe për deklaratën e mbrëmshme për personin për të cilin pyesni, në kuadër të lëndës së hapur më herët”, thonë nga Prokuroria Themelore Publike.

Kujtojmë se jo më larg se para 10 ditësh, Komiteti i Helsinkit deri në Ministrinë e Punëve të Brendshme dorëzoi padi penale për gjuhë të urrejtjes nga ana e Kreut të BFI-së Sulejman Rexhepi, i cili gjatë vendosjes së gurë themelit të një xhamie në Arnaqi, foli për Llazhecin e Manastirit i cili tashmë 100 vjet nuk ka xhami, ndërsa për këtë fajsoi banorët e zonës duke i quajtur egërsira që s’kanë dhe s’do të kenë ndonjëherë identitet.

Përgatiti: Besir Arifi

AKSION PËR PASTRIMIN E DEPONIVE TË EGRA NË SHKUP, QYTETARËT DHE ZYRTARËT I PËRVESHIN MËNGËT

0

Nën moton “Bëhu pjesë e ardhmërisë së pastër” , NP “Higjiena Komunale” – Shkup, sot organizoi aksion masiv për pastrimin e deponive të egra. Aksioni u zhvillua në të gjithë komunat e Shkupit, ku morën pjesë mijëra qytetarë, ambasadorja e SHBA-ve në RMV, ambasadori francez në vend, administrata e ndërmarrjes, administratat komunale, studentë nga të gjithë universitetet në Shkup, përfaqësues të sektorit civil, si dhe nxënës të shkollave fillore dhe të mesme.

Qëllimi i aksionit ishte ngritja e nivelit të vetëdijes për dëmin që shkaktohet nga veprimi joadekuat me mbeturinat dhe rreziqet nga krijimi i deponive të egra, që në mënyrë të drejtpërdrejtë e dëmtojnë mjedisin jetësor dhe paraqesin kërcënim për shëndetin e qytetarëve. Drejtori i NP “Higjiena komunale” tha se qëllimi i aksionit është që qytetarët ta kuptojnë se secili prej nesh përmes sjelljes dhe veprimeve tona mbartim përgjegjësi për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe se secili mund të kontribuojë që të jetojmë në ambient më të shëndetshëm dhe më të bukur./TV21

 

NË FOKUS RASTI “BFI” DHE “SAZDO”, SEANCA E KUVENDIT MBETET NËN HIJE

0

Seanca e Kuvendit e paraparë për rivotimin e ligjeve reformuese  të  cilat nuk i nënshkroi presidenti Gjorge Ivanov, mbeti nën hijen e debatit për BFI-në dhe për rastin “Sazdo”

Deputeti i BDI-së  Artan Grubi kërkoi që propozim-ligji i plotësuar  për Këshillin Gjyqësor të vendoset në rend të parë për shqyrtim, kjo për shkak të ngjarjeve të djeshme në Bashkësinë Fetare Islame dhe vendimin e gjykatës për t’i dënuar me nga 19 vjet burg për dy të rinjtë shqiptarë në  rastin “Sazdo”. Grubi tha se ngjarjet e djeshme janë  të papranueshme dhe në gjykatë po vërehet drejtësi selektive në baza etnike, fetare dhe partiake.

“Dje në BFI të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me intervenimin më brutal të mundshëm, që është i papranueshëm për ne si deputetë të BDI-së dhe bashkësisë që e përfaqëson BFI-ja, kjo e ndezi alarmin për intervenim absolut në gjyqësorin e RMV”, deklaroi Artan Grubi, deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Propozimi i Grupit u pranua edhe nga  grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-se.  Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së , Nikolla Micevski tha se më në fund të gjithë e kuptuan se në vend kemi drejtësi selektive.

“Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, e votoi këtë propozim për arsye se për selektivitetin në drejtësi VMRO-DPMNE-ja po flet që dy vjet. Më vjen keq që z. Artan Grubi edhe pse dy vjet po e mbështet këtë Qeveri, tani pa se në Maqedoni ka drejtësi selektive”, u shpreh Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.

Deputeti Ejup Alimi tha se ngjarja e djeshme me BFI-në është skandaloze dhe kërkoi pauzë që të koordinohen dhe të përgatiten për diskutim.

“Në lidhje vendimet skandaloze të djeshme në vendin tonë, unë do të kërkojë pauzë 30 minuta ose një orë që të koordinohemi për shkak se tashmë është pranuar propozimi i kolegut tonë Grubi, që pika e 3 të jetë pika e 2 dhe të diskutohet për vendimet skandaloze që dje ndodhën në vendin tonë”, tha Ejup Alimi, koordinatori i BDI-së.

Pas pauzës kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, kërkoi nga koordinatori i BDI-së Ejup Alimi  që të tërhiqen nga debati i paralajmëruar në propozim-ligjin për Këshillin Gjyqësor  me qëllimin që të mos keqpërdoret foltorja e Kuvendit për fushatë zgjedhore për propagandë politike.

“Në brifing me gazetarët kam lajmëruar se debat gjatë kohës se fushatës zgjedhore nuk do të lejoj me qëllim që të mos keqpërdoret foltorja e Kuvendit. Jam para një sfide, ose ta lus koordinatorin e grupit të deputetëve  të BDI-së që të tërhiqet nga e drejt për fjalë edhe pse ka një të drejtë të tillë dhe të mund ta përmbyllim gjithë seancën sot ose të ndërpres seancën”, potencoi Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Pas kësaj ligji i njëjtë u votua dhe miratua pa debat. Gjithashtu u miratuan edhe 13 ligjet reformuese të tjera të cilat paraprakisht nuk i kishte dekretuar presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.

Përgatiti: Valmira Zendeli

Gjykata Themelore Shkup 2: Vendimi për Buzakun është sjellë pas dorëheqjes së Rexhepit dhe në bazë të vendimeve të Rijasetit të BFI-së

0

Gjykata Themelore Shkup 2 në kumtesën e sotme informoi se vendimi për Skender Buzakun të emërohet kryetar i ri i Bashkësisë Fetare Islame (BFI), Gjykata nuk e ka sjellë vetvetiu por në bazë të vendimeve të sjella të Bashkësisë fetare dhe me kërkesë të Rijastetit të BFI-së dhe se funksioni i Sulejman Rexhepi si kryetar i BFI-së i është ndërprerë pasi ai ka dhënë dorëheqje të parevokueshme dhe e njëjta është pranuar nga Rijaseti.

Nga Gjykata Civile rreth asaj se nëse dorëheqja është dokument i flasifikuar, mund të vendoset në një procedurë tjetër të veçantë.

“Në bazë të dorëheqjes së dorëzuar të parevokueshme të reis ul ulema nga Bashkësia Fetare Islame – Sulejman efendi Rexhepi, të pranuar më datë 25.03.2019 dhe e nonstrifikuar nën numrin 15-13/174, Rijaseti i BFI-së së RM-së më datë 30.03.2019, ka mbajtur seancë të jashtëzakonshme në të cilën është pranuar dorëheqja e reisit të deritanishëm dhe në seancën e njëjtë reis ul ulema është zgjedhur Skender Buzaku.

Në bazë të vendimeve të sjella të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame më datë 03.04.2019, në Gjykatën Themelore Shkup 2 Shkup është dorëzuar kërkesë për ndryshimin e personit për përfaqësimin e Bashkësisë Fetare Islame. Duke vepruar për kërkesën e dorëzuar Gjykata Themelore Shkup 2 Shkup, më datë 17.04.2019, solli vendim me të cilin kërkesa e Bashkësisë Fetare Islame për ndërrimin e kryerjes së funksionit reis ul ulema është fuqizuar dhe në bazë të dokumenteve të dorëzuara është bërë ndryshim i funksionit reis ul ulema dhe si reis ul ulema është regjistruar Skender Buzaku, thuhet në kumtesë.

Nga Gjykata Civile theksojnë se vendimi i dhënë për ndërrimin e ushtruesit të funksionit reis ul ulema nuk është e plotfuqishme, gjegjësisht për të njëjtën vijojnë afatet për ankimim deri në 15 ditë.

Në këtë kuptim, siç thuhet në kumtesë, Gjykata nuk bën ndryshim por zbaton dhe vërteton vendime të bashkësisë fetare të cilat janë sjellë në seancë të jashtëzakonshme të Rijasetit, ndërsa në bazë të nenit 36 dhe nenit 68 të Kushtetutës së Bashkësisë Fetare Islame.

“Lidhur me pyetjen e një pjese të mediave nëse dorëheqja e parevokueshme e reis ul ulema Sulejman efendi Rexhepit është e falsifikuar apo jo, ju njoftojmë se kjo mund të jetë lëndë e një procedure tjetër. Në procedurë në pajtim me Ligjin për pozitën juridike të ndonjë kishe, bashkësie fetare dhe grupi religjioz, Gjykata vetëm bën vërtetimin e vendimeve të sjella nga bashkësia fetare dhe të njëjtat i shpreh në Vendimin për ndryshim. Të gjitha vendimet në kërkesën për ndërrimin e reis ul ulemasë janë me vulën e bashkësisë fetare dhe janë të nostrifikuara nga BFI”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore Shkupi 2./MIA

Qeveria solli vendim për formimin e komisionit për gazin natyror

0

Qeveria mbrëmë ka sjell vendim për formimin e Komisionit për zbatim të procedurës për ndarje të Marrëveshjes për vendosje të partneritetit privat-publik për ndërtim të sistemit të ri për distribuim të gazit natyror në territorin e vendit.

Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, tha se Komisioni ka për qëllim të zbatojë procedurën e tërësishme për ndarje të marrëveshjes për vendosje të partneritetit privat-publik për financim, projektim, ndërtim, menaxhim, mbajtje dhe zhvillim të sistemit distribuiv të gazit natyror në Maqedoninë e Veriut.

Më shumë se 50 viktima në përmbytjet në Afrikën Jugore

0

Të paktën 50 njerëz humbën jetën në përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut që kapluan pjesën jugore dhe lindore të Afrikës Jugore.

Ekipet e shpëtimit mundohen të nxjerrin njerëz nga shtëpitë e rrënuara në pjesët bregdetare të provincës KvaZul-Natal ku kanë pësuar 51 persona.

Në këtë rajon me ditë të tëra bie shi, por autoritetet kanë pritur sasi aq të mëdha të shiut./MIA

KQZ nuk certifikon kandidatët për kryetarë të Listës Serbe

0

Në një afat prej 24 orësh subjekti politik, Lista Serbe mund të bëjë ankesë

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka certifikuar kandidatët  nga Lista Serbe për kryetarë të komunave veriore për zgjedhjet e 19 majit.

Në mbledhjen e sotme ishin të pranishëm 9 anëtarë të KQZ-së, prej të cilëve 7 votuan “pro” dhe 2 abstenuan. Kjo nuk ishte e mjaftueshme që kandidatët ë Listës Serbe të certifikohen, pasi në këtë rast duheshin 8 vota “pro”.

Dy anëtarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi kanë abstenuar procesin, duke pamundësuar certifikimin e kandidatëve të partisë serbe. Edhe pse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk deshi të lejonte debat, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi shprehu kundërshtimin e tij duke kërkuar që Listës Serbe t’i jepet edhe 24 orë kohë që të ndryshojë kandidatët ose të distancohet nga deklaratat e të njëjtëve që mohojnë shtetësinë e Kosovës.

“Unë po e arsyetoj qëndrimin e ditës së sotme, kemi të drejtë me fol secili. Mua më vjen keq që kjo çështja e mbledhjes së djeshme u zvarrit. Natyrisht që KQZ-ja është për me organizu zgjedhje të ndershme. Unë mendoj që për ne janë të rëndësishme edhe ligjet tjera dhe Kushtetuta e Republikës. Unë kam prit që në këto 24 orë Lista Serbe do të zëvendësoj këta 3 kandidatë. Unë do të doja që LS edhe në ofrimin e kandidaturave do të respektonte legjislacionin e Kosovës, dhe të distancohet nga premtimi se do të tërhiqen menjëherë. Propozoj që t`i japim 24 orë kohe LS që t`i zëvendësoj 3 nga 4 kandidatët, në të kundërtën ne do ta shfrytëzojmë të drejtën e votimit. Ne nuk do të votojmë kundër por do të abstenojmë si anëtarë të VV-së”, tha ai.

Anëtari i Listës Serbe Stevan Veselinoviq, abstenimin e VV-së e ka konsideru sulm politik mbi serbët e Kosovës që kanë propozu që kandidatët në fjalë të kandidojnë për zgjedhjet në veri.

Abstenimi i tyre ka ndikuar që kjo çështje tash të kalojë edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se në një afat prej 24 orësh subjekti politik, Lista Serbe mund të bëjë ankesë.

Për komunën e Leposaviqit ka aplikuar, Zoran Dodiq, për Zubin Potok Sergjan Guloviq, për Zveçan, Vuqina Jankoviq dhe për Mitrovicë të Veriut, Goran Rakiq.

Debat në lidhje me kanditatët e Listës Serbe ka pasur edhe në mbledhjen e djeshme ku emrat e tyre janë të njëjtë, me ata që u dorëhiqen 5 muaj më parë.

Tre nga kandidatët e Listës Serbë për kryetarë të komunave veriore janë ish-kryetarë të po atyre komunave.

Kandidatët e PDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje janë certifikuar në mbledhjen e mbajtur dje.

Zgjedhjet në veri  do të mbahen më 19 maj. Katër kryetarët e komunave veriore kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si përgjigjie ndaj taksës prej 100% për Serbinë./21Media

Bujar Osmani: Vendim skandaloz i gjykatës për BFI-në

0

“Ka qenë vendim skandaloz dhe i turpshëm i strukturave këtu përfshi edhe Gjykatën për të emëruar ushtrues detyre Reis që është absolutisht kompetencë e organeve të Bashkësisë Fetare Islame, pavarësia dhe autonomia e Bashkësisë Fetare Islame është e garantuar me kushtetutë dhe shteti dhe institucionet janë të obliguar të garantojnë këtë autonomi dhe pavarësi dhe prandaj dënuam ashpër të gjitha këto tentime për ndërhyrje ilegale që dëmtojnë rëndë imazhin e shtetit por edhe të Bashkësisë Fetare Islame”, potencoi Bujar Osmani.

Bujar Osmani: Për kuadrot e BDI-së vendos vetëm Ali Ahmeti

0

“Kryesisht në këtë mandat BDI ka realizuar pothuajse të gjitha premtimet parazgjedhore dhe në mes mandatit ka shter programin zgjedhor, por natyrisht se kjo është e drejtë e kryetarit Ahmeti i cili mund të vlerëson punën individuale të secilit”.

G: Mund të ketë ndryshime?

“Është vendim i kryetarit Ahmeti”, u shpreh Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane”./TV21

Kim Jong Un arriti në Rusi

0

Kim Jong Un  do të takohet me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka hyrë në territorin e Rusisë, një ditë para takimit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Si zakonisht, rruga e Kim zgjat më shumë pasi ai udhëton me tren dhe jo me ndonjë mjet tjetër udhëtimi.

Të martën zyrtari i Kremlinit, Juri Ushakov, tha se “Putin dhe Kim do të diskutojnë përpjekjet politike dhe diplomatike për të zgjidhur çështjen bërthamore në gadishullin Korean“.

Takimi do të realizohet në kohën kur administrata e presidentit amerikan, Donald Trump po përpiqet të sigurojë një marrëveshje për t’iu dhënë fund tensioneve bërthamore me Korenë e Veriut.

Dy takimet e mëhershme Trump-Kim nuk kanë arritur të prodhojnë ndonjë marrëveshje për çarmatosjen e Gadishullit Korean. /REL