KQZ nuk certifikon kandidatët për kryetarë të Listës Serbe

TË FUNDIT

Në një afat prej 24 orësh subjekti politik, Lista Serbe mund të bëjë ankesë

Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka certifikuar kandidatët  nga Lista Serbe për kryetarë të komunave veriore për zgjedhjet e 19 majit.

Në mbledhjen e sotme ishin të pranishëm 9 anëtarë të KQZ-së, prej të cilëve 7 votuan “pro” dhe 2 abstenuan. Kjo nuk ishte e mjaftueshme që kandidatët ë Listës Serbe të certifikohen, pasi në këtë rast duheshin 8 vota “pro”.

Dy anëtarët nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Balaj dhe Adnan Rrustemi kanë abstenuar procesin, duke pamundësuar certifikimin e kandidatëve të partisë serbe. Edhe pse kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk deshi të lejonte debat, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi shprehu kundërshtimin e tij duke kërkuar që Listës Serbe t’i jepet edhe 24 orë kohë që të ndryshojë kandidatët ose të distancohet nga deklaratat e të njëjtëve që mohojnë shtetësinë e Kosovës.

“Unë po e arsyetoj qëndrimin e ditës së sotme, kemi të drejtë me fol secili. Mua më vjen keq që kjo çështja e mbledhjes së djeshme u zvarrit. Natyrisht që KQZ-ja është për me organizu zgjedhje të ndershme. Unë mendoj që për ne janë të rëndësishme edhe ligjet tjera dhe Kushtetuta e Republikës. Unë kam prit që në këto 24 orë Lista Serbe do të zëvendësoj këta 3 kandidatë. Unë do të doja që LS edhe në ofrimin e kandidaturave do të respektonte legjislacionin e Kosovës, dhe të distancohet nga premtimi se do të tërhiqen menjëherë. Propozoj që t`i japim 24 orë kohe LS që t`i zëvendësoj 3 nga 4 kandidatët, në të kundërtën ne do ta shfrytëzojmë të drejtën e votimit. Ne nuk do të votojmë kundër por do të abstenojmë si anëtarë të VV-së”, tha ai.

Anëtari i Listës Serbe Stevan Veselinoviq, abstenimin e VV-së e ka konsideru sulm politik mbi serbët e Kosovës që kanë propozu që kandidatët në fjalë të kandidojnë për zgjedhjet në veri.

Abstenimi i tyre ka ndikuar që kjo çështje tash të kalojë edhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se në një afat prej 24 orësh subjekti politik, Lista Serbe mund të bëjë ankesë.

Për komunën e Leposaviqit ka aplikuar, Zoran Dodiq, për Zubin Potok Sergjan Guloviq, për Zveçan, Vuqina Jankoviq dhe për Mitrovicë të Veriut, Goran Rakiq.

Debat në lidhje me kanditatët e Listës Serbe ka pasur edhe në mbledhjen e djeshme ku emrat e tyre janë të njëjtë, me ata që u dorëhiqen 5 muaj më parë.

Tre nga kandidatët e Listës Serbë për kryetarë të komunave veriore janë ish-kryetarë të po atyre komunave.

Kandidatët e PDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje janë certifikuar në mbledhjen e mbajtur dje.

Zgjedhjet në veri  do të mbahen më 19 maj. Katër kryetarët e komunave veriore kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, si përgjigjie ndaj taksës prej 100% për Serbinë./21Media