Seanca e Kuvendit e paraparë për rivotimin e ligjeve reformuese të cilat nuk i nënshkroi presidenti Gjorge Ivanov, mbeti nën hijen e debatit për BFI-në dhe për rastin “Sazdo”
Deputeti i BDI-së Artan Grubi kërkoi që propozim-ligji i plotësuar për Këshillin Gjyqësor të vendoset në rend të parë për shqyrtim, kjo për shkak të ngjarjeve të djeshme në Bashkësinë Fetare Islame dhe vendimin e gjykatës për t’i dënuar me nga 19 vjet burg për dy të rinjtë shqiptarë në rastin “Sazdo”. Grubi tha se ngjarjet e djeshme janë të papranueshme dhe në gjykatë po vërehet drejtësi selektive në baza etnike, fetare dhe partiake.
“Dje në BFI të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me intervenimin më brutal të mundshëm, që është i papranueshëm për ne si deputetë të BDI-së dhe bashkësisë që e përfaqëson BFI-ja, kjo e ndezi alarmin për intervenim absolut në gjyqësorin e RMV”, deklaroi Artan Grubi, deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Propozimi i Grupit u pranua edhe nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-se. Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së , Nikolla Micevski tha se më në fund të gjithë e kuptuan se në vend kemi drejtësi selektive.
“Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së, e votoi këtë propozim për arsye se për selektivitetin në drejtësi VMRO-DPMNE-ja po flet që dy vjet. Më vjen keq që z. Artan Grubi edhe pse dy vjet po e mbështet këtë Qeveri, tani pa se në Maqedoni ka drejtësi selektive”, u shpreh Nikolla Micevski, koordinator i VMRO-DPMNE-së.
Deputeti Ejup Alimi tha se ngjarja e djeshme me BFI-në është skandaloze dhe kërkoi pauzë që të koordinohen dhe të përgatiten për diskutim.
“Në lidhje vendimet skandaloze të djeshme në vendin tonë, unë do të kërkojë pauzë 30 minuta ose një orë që të koordinohemi për shkak se tashmë është pranuar propozimi i kolegut tonë Grubi, që pika e 3 të jetë pika e 2 dhe të diskutohet për vendimet skandaloze që dje ndodhën në vendin tonë”, tha Ejup Alimi, koordinatori i BDI-së.
Pas pauzës kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, kërkoi nga koordinatori i BDI-së Ejup Alimi që të tërhiqen nga debati i paralajmëruar në propozim-ligjin për Këshillin Gjyqësor me qëllimin që të mos keqpërdoret foltorja e Kuvendit për fushatë zgjedhore për propagandë politike.
“Në brifing me gazetarët kam lajmëruar se debat gjatë kohës se fushatës zgjedhore nuk do të lejoj me qëllim që të mos keqpërdoret foltorja e Kuvendit. Jam para një sfide, ose ta lus koordinatorin e grupit të deputetëve të BDI-së që të tërhiqet nga e drejt për fjalë edhe pse ka një të drejtë të tillë dhe të mund ta përmbyllim gjithë seancën sot ose të ndërpres seancën”, potencoi Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Pas kësaj ligji i njëjtë u votua dhe miratua pa debat. Gjithashtu u miratuan edhe 13 ligjet reformuese të tjera të cilat paraprakisht nuk i kishte dekretuar presidenti i shtetit Gjorge Ivanov.
Përgatiti: Valmira Zendeli
