Hapet ekspozita me fotografitë e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve!

0

Ekspozitë për ta kundërshtuar izolimin e Kosovës

Në kujtim të Ditës së Evropës, Demokracia Studentore organizon ekspozitë ku prezantohet gjenocidi serb i kryer mbi popullatën civile në Kosovë.

Demokracia Studentore njofton se për ta kundërshtuar izolimin e Kosovës që padrejtësisht po mbahet e izoluar nga BE, do ta organizoj një ekspozitë të gjenocidit dhe spastrimit etnik që e ka kryer Serbia mbi popullin civil në Kosovë.

Ekspozita do të mbahet nga ora 14:00 përball Kishës Ortodokse në kampusin e Universitetit të Prishtinës, pasi që ky objekt simbolizon dhunën dhe krimet që i ka kryer Serbia mbi popullatën civile në Kosovë./21Media

Samiti i Brdo-Brijunit, Presidenti Meta pret liderët e Ballkanit

0

Liderët e Ballkanit ndodhen sot në Tiranë për të qenë pjesë e Brdo Brijunit dhe ka qenë  Presidenti Meta ai që iu ka dhënë mirëseardhjen. 

Fillimisht Presidenti ka pritur homologun e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Šefik Džaferović dhe Željko Komšić, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović dhe Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov.

Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Samiti i Liderëve në Tiranë, që përkon dhe me “Ditën e Evropës”, synon të përçojë një mesazh të rëndësishëm politik lidhur me aspiratën e përbashkët të vendeve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Europian.

 

Në mbyllje të Samitit, Liderët e procesit do të miratojnë një dokument me konkluzionet e takimit./TCH

20 DITË NGA RAPORTI I KOMISIONIT EVROPIAN, EKSPERTËT E HUAJ: E MERITONI HAPJEN E NEGOCIATAVE

0

Ekspertët e rajonit vlerësojnë se Maqedonia e Veriut, ka bërë gjithçka që i është kërkuar në drejtim të përmbushjes së reformave. Anëtarësimi i vendit në NATO do t’i shpejtojë negociatat me BE, mendon Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie ndëretnike në Serbi, për shkak se me anëtarësimin e vendit në NATO do të plotësohen shumë kushte politike dhe do të mbyllen shumë kapituj. Ai konsideron se përveç Malit të Zi asnjë vend tjetër të rajonit nuk mund të anëtarësohet në BE deri në vitin 2025.

 “Maqedonia në mënyrë të jashtëzakonshme e shpejtoi procesin. Këtu njerëzit duhet të kryejnë një punë shumë të rëndë. 35 kapituj duhet të hapen dhe të mbyllen. Shikojeni agjendën e BE-së, gjithçka duhet të mbyllet deri në dhjetor të vitit 2023. Pastaj BE duhet të tregojë nëse ju do apo jo. Andaj kjo gjë nuk është reale”, theksoi Dushan Janjiq nga Forumi i Marrëdhënieve Ndëretnike në Sërbi.

Mendim të ndryshëm për mundësinë për anëtarësimin e vendit në vitin 2025 e thotë Monika Begoviq nga Qendra për studime ndëretnike në Kroaci, për shkak të politikës së re të BE-së ndaj rajonit.

“Është e paqartë se në vitin 2025 do të jetë vit për pranimin e Maqedonisë në familjen evropiane, veçanërisht nëse paraprakisht arrin sukses të hyjë në NATO. Ndoshta flas në mënyrë të sinqertë por drita jeshile është për anëtarësim në BE në vitin 2025”, deklaroi Monika Begoviq nga Qendra për Studime Ndëretnike në Kroaci.

Përfundimi i përgjithshëm i panelistëve është se zgjidhja e çështjes së emrit e ka afruar vendit drejt BE dhe se në këtë mënyrë vendi u bë shembull pozitiv për të gjithë rajonin. Në kuadër të shënimit të ditëve evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut, zv kryeministri Bujar Osmani, tha se gjendemi në një periudhë jashtëzakonisht dinamike, në të cilën ndryshimet po ndodhin ku vetëm 20 ditë na ndajnë nga publikimi i raportit vjetor të Komisionit Evropian.

Përgatiti: Zimer Jashari

INTERPOLI NUK PUBLIKON FLETARRESTIN PËR GRUEVSKIN, RUSKOSKA: JANË HAPUR HETIME PËR FUNKSIONARË AKTUAL

0

Selia e Interpolit tashmë dy muaj nuk lëshon fletarrestim për Nikolla Gruevskin dhe Nikolla Boshkovskin, të dytë të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend. Prokurorja kryesore për krim të organizuar Villma Ruskoska tha se nuk kanë marrë asnjë arsyetim për mos lëshimin e fletarrestit.

“Për rastin të cilin e udhëheq unë, për ngjarjet e 27 prillit, kërkova përmes policisë të lëshohet fletarrest vendas dhe ndërkombëtar, por informacionet e fundit të Interpolit të Maqedonisë janë se selia e Interpolit refuzon ta publikojë fletarrestin. Prej atje nuk japin asnjë arsyetim”, u shpreh Villma Ruskoska, Shefe e Prokurorisë Kundër Krimit të Organizuar

Sipas Ruskoskës sjellja e këtillë e Interpolit është e paqartë, për shkak se paraprakisht, kur për 5 persona të cilët ishin përfshirë në rastin për 27 prill, Interpoli ka vepruar pas kërkesës për lëshimin e fletarrestit ndërkombëtar.

“Për pesë personat që ishin të pakapshëm në lëndën e parë, me provat që i dërguam me urdhër për hetim, me vendimin për paraburgim dhe provat që i dërguam në Interpol, pa problem  lëshuan fletarrestime për këta 5 persona, ndërsa për këta të dytë nuk duan të lëshojnë, ndërsa bëhet fjalë për të njëjtën vepër penale. Bëmë gjithçka siç bëmë në rastin e parë dhe në të vërtetë nuk e di se pse tani Interpoli refuzon”, theksoi Shefe e Prokurorisë Kundër Krimit të Organizuar, Villma Ruskoska.

Në lidhje me kërkesën e dorëzuar në Shqipëri për incizimet nga arratisja e Gruevskit, për të cilat paraprakisht kishte informacione se janë të fshira, Ruskoska tha se prej atje kanë marrë dokumentacion por jo incizime. Në pyetjen e gazetarëve nëse për funksionarë aktual janë hapura hetime, ajo u përgjigj shkurt dhe e pohoi këtë informacion duke shtuar se nuk mund të japë detaje për shkak se lënda ende është në procedurë parahetimore.

Përgatiti: Svetllana Unkovska

NUK KA PROGRES PËR LIGJIN PËR PPS-në, PUSHTETI DHE OPOZITA MBETEN NË QËNDRIMET E TYRE

0

Edhe raundi i sotëm i bisedimeve për ligjin për Prokurorinë publike me të cilin duhet të caktohet statusi i ardhshëm i PPS-së, është pa rezultat. VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja mbeten në qëndrimet e tyre pa asnjë progres për çështjet kyçe që kanë të bëjnë me PPS-në. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se mbeten në qëndrimin e tyre dhe se nuk do të tërhiqen nga propozimet e tyre që i dorëzuan përmes amendamenteve, të cilat në fakt janë vërejtje për dy të tretat nga përmbajtja e ligjit të propozuar, veçanërisht në lidhje me afatin për hapjen e lëndëve.

“Kjo pjesë është shumë e qartë, ligji e thotë këtë, ne nuk mundemi të veprojmë jashtë ligjit. Dihet se deri më 30 qershor të vitit 2017 PPS ka mandat. Sundimi i së drejtës është i rëndësishëm si dhe respektimi i parimeve demokratike dhe të drejtat themelore të njeriut”, tha avokati i VMRO-DPMNE-së, Toni Menkinovski.

Ministrja e drejtësisë Renata Deskoska tha se mbeten të hapura çështjet për nenin 105 nga ligji i cili ka të bëjë me shfrytëzimin e provave dhe përndjekjen për veprat penale si dhe procedurat e filluara. Deskoska tha se nëse nuk pranohen çështjet për të cilat VMRO-DPMNE nuk pajtohet, ligji do të humbë nga cilësia.

“Linjat e kuqe janë se nuk duhet të ketë amnisti të fshehur, nuk duhet të ketë falje për vepra penale përmes dispozitave ligjore, këto janë linjat tona të kuqe të cilat nuk i kalojmë dhe prej këtyre arsyeve VMRO-DPMNE duhet të bëjë konsultime shtesë. Nëse në të vërtetë ata angazhohen për të drejtën dhe drejtësinë për sundimin e së drejtës, atëherë duhet të rishqyrtojnë qëndrime të caktuara”, u shpreh Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.

Prokurorja speciale Janeva tha se shpreson se së shpejti do të arrihet marrëveshje për ligjin dhe se do të ketë zgjidhje të mirë.

“Ndoshta bisedat nuk do të dëgjohen por do të ketë mundësi që të analizohen nga gjykata, do të jenë pjesë e provave. Hapëm disa procedura të reja parahetimore për bisedat që kanë mbetur”, theksoi kryeprokurorja në Prokurorin Publike Speciale, Katica Janeva.

Takim i ri për ligjin për PPS është caktuar për të premten, por mbetet dilema nëse do të arrihet të sillet ligji i cili është i rëndësishëm për Komisionin evropian i cili do ta publikojë Raportin për progresin e vendit tonë deri në fund të këtij muaji, që do të jetë kyç për marrjen e datës për fillimin e negociatave.

Përgatiti: Svetllana Unkovska

“Ç’KYÇU NGA TELEFONI DHE LEXO”, ME AUTOBUS “DIREKT” NË PANAIR TË LIBRIT

0

“Me autobus jemi nisur për në panairin e librit në Shkup. Për të arritur më lehtë atje, ndërmarrja për qarkullim publik ka lëshuar dy linja speciale, të përkohshme , që të çojnë direkt në sallën “Boris Trajkovski” ku po mbahet për herë të dytë panairi”, Almedina Ismajli, gazetare.

Këtë vit përsëri, shtëpitë botuese do të ofrojnë botimet e tyre të fundit. Ndërkaq disa nga qytetarët në panair po shkojnë me transport publik, me linjat speciale që të shpijnë në “Boris Trajkovski”. Studentët u shprehën të kënaqur që kanë mundësi që me autobus mund të shkojnë në manifestimin e sivjetshëm “Panairi i librit”. E për zhanrin e librave ato kanë shije të ndryshme.

“Fakti që kanë lëshuar këtë linjë vetëm për të na dërguar, nuk e dija më informoi nëna në mëngjes, mendoj se është super. Më pëlqen të lexoj fantazi, romantikë, më shpesh edhe këtë zhanër kërkoj. Çdo vit ka libra shumë të bukura motivuese nga shtëpi botuese fenomenale”, tha një student.

“Po shkojmë për herë të parë. Më shumë triler dhe literaturë profesionale, shpresojmë të gjejmë diçka”, tha një studente.

“Po, më lehtë do të arrijmë me autobus. Njëjtë literaturë profesionale, triler”, tha një tjetër studente.

Shoferi i linjës 100, thotë se pak qytetarë po e shfrytëzojnë këtë autobusin. Sipas tij kjo po ndodh për shkak se është dita e parë dhe qytetarët ende nuk janë të informuar.

“Në turrin e parë vetëm dy udhëtuan për në sallën “Boris Trajkovski”, këndej nuk pati asnjë. Tani përsëri në turrin e dytë ka 4-5 persona. Sot është dita e parë, ndoshta nuk janë të informuar”.

Përfaqësuesit e shtëpive botuese presin shumë lexues, e disa thonë se numri i lexuesve po zbehet. Ndërkaq në të gjitha shtëpitë botuese ka lirim nga 20 deri në 70%. Ato paralajmëruan se përveç librave do të ketë mysafirë ekskluziv gjatë ditëve në vazhdim, dhe takime me autorë nga vendi edhe të huaj.

“Është fillimi, ende nuk ka ndonjë fluks të madh, por jemi të kënaqur. Kemi zbritje nga 20, 30%, kemi 22 botime të reja që do t’ia ofrojmë lexuesve këtë panair dhe shumica janë psikologjik”, u shpreh Ollga Kostoska, shtëpia Botuese Gjurgja.

“Për fat interesi për librin po rritet vazhdimisht, kjo për ne është motiv shtesë të punojmë edhe më shumë. Për këtë arsye në këtë panair kemi promovuar 400 tituj”, theksoi Tatjana Dimovska Atanasova, shtëpia Botuese, Ars Lamina.

“Panairi i librit në Shkup” është një manifestim në të cilin marrin pjesë shtëpitë botuese të mirënjohura maqedonase, por edhe ata nga rajoni, veçanërisht nga Hungaria, Serbia, Kosova dhe Shqipëria. Hungaria do të paraqitet si një vend në qendër të Panairit të librit të vitit 2019. Orari i punës së Panairit është nga ora 10:00 deri në 20:00 dhe çmimi i biletës është 30 denarë. Edicioni i 32-të i Panairit fillon nga sot dhe zgjatë deri më 14 maj.

Përgatiti: Almedina Ismajli

LUFTA KUNDËR KRIMIT DHE KORRUPSIONIT, “TË FILLOHET NGA BARTËSIT E FUNKSIONEVE PUBLIKE”

0

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të fillojë nga bartësit e funksioneve publike, duke u shqiptuar të njëjtëve dënime më të ashpra. Këtë thirrje e bëri sot, Villma Ruskoska, duke shtuar se drejtësia nuk duhet të ekzistojë vetëm për qytetarët e rëndomtë.

“Bartësit e funksioneve publike siç janë deputetët, gjykatësit, prokurorët duhet gjithmonë të marrin dënime më të ashpra, sepse janë ata të cilat duhet ta zbatojnë ligjin”, tha Villma Ruskoska, Shefe e Prokurorisë Kundër Krimit të Organizuar.

Albert Musliu nga Asociacioni për iniciativa demokratike tha se si qytetarë duhet të bëjmë presion më të madh ndaj politikanëve, që ata të mbajnë fjalën që gjithnjë e thonë, se janë kundër krimit dhe korrupsionit.

“E jona është që të bëjmë presion deri tek të gjitha elitat politike që gatishmërinë e tyre të deklaruar për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ta implementojnë nëpërmes instrumenteve që ajo të vazhdojë deri në fund. Të mos mbetet vetëm fluskë, por realisht ata që e kanë shkelur ligjin, ata që i kanë vjedhur dhe kapur institucionet të përgjigjen si ne, qytetarët e thjeshtë dhe të mos gëzojnë të drejtën e mos-dënimit”, u shpreh Albert Musli, nga Asociacioni për Iniciativa Demokratike.

Natali Petrovska nga Koalicionit për Gjykim të Drejtë, tha se institucionet që luftojnë kundër krimit dhe korrupsionit kanë nevojë për përforcim.

“Institucioneve që janë përgjegjëse për krimin e organizuar dhe korrupsionin përfundimisht u nevojitet përforcim. Për atë është formuar edhe organi  dhe institucioni i ri, Prokuroria Publike Speciale e cila së bashku me Prokurorinë e Rregullt kundër krimit dhe korrupsionit në këtë moment do ishte patjetër të konsolidohen dhe të japin gjithçka nga vetja kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi Natali Petrovska, Koalicioni për Gjykim të Drejtë.

Ndryshe në këtë aspekt, Prokuroria Publike Speciale ka ngritur akuza të shumta për funksionarë aktual, politik po edhe ish funksionar. Por për të njëjtit ende nuk ka vendim për dënim.

Përgatiti: Mevludin Imeri

4 VJET NGA “LAGJA E TRIMAVE”, JANEVA: S’KA DËSHMI, VËSHTIRË SE RASTIN DO TA MARRË PPS-ja”

0

 “Hapi që deri më tani është marrë është informimi i anëtarëve të Bashkimit Ndërkombëtar, që ata të mendojnë variante se si do të ishte e mundur që të ketë hetim ndërkombëtar për këtë rast. Ne duam ajo dihet dhe është shkruar në programin e Qeverisë , të mos ketë dilema dhe debate për të gjithë atë që paraqet punë të pa zbardhura, parasegjithash nga karakteri transparent dhe në interes të qytetarëve të Maqedonisë”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kështu deklaroi, kryeministri Zaev më 10 nëntor të 2017 për rastin e “Lagjës së trimave”. Nesër mbushen 4 vjet nga ngjarja e armatosur në Kumanovë, por hetimi ndërkombëtarë nuk është askund. Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se nuk ka informacione për raste konkrete, dhe se rasti në fjalë, nëse ka dëshmi duhet të kalojë në duart e Prokurorisë Publike Speciale.

“Unë nuk jam e informuar për raste konkrete. Nëse ka indicje, atëherë sigurisht ajo procedurë duhet të shkoj në Prokurorinë Publike Speciale, nëse ka dëshmi të caktuara, d.m.th nuk kam detaje në lidhje me raste konkrete që të mund të ju përgjigjem”, theksoi Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska.

Por, Kryeprokurorja Katica Janeva deklaroi se ende nuk ka dëshmi dhe se është vështirë të thuhet nëse PSP do ta marr rastin. Sipas saj ka vetëm indicje, se si dhe çfarë ka ndodhur.

“Ka disa indicje në drejtim të asaj se si dhe çka ka ndodhur në Kumanovë. Por gjithsesi, PSP nuk ka gjetur biseda që të mund të ketë kompetenca mbi atë rast. Në procesin para hetimor, ka disa indicje. Por mendoj që do të jetë shumë e vështirë që të thuhet se kur dhe a do ta marrë PPS-ja atë rast”, potencoi Katica Janeva, kryeprokurore në Prokurorin Publike Speciale.

Ndryshe, për ngjarjen në “Lagjen e trimave”, të dënuar janë 37 persona me plotë 746 vite burg. Prej tyre, 7-të me burg të përjetshëm, trembëdhjetë me nga 40 vite burg, gjashtë me nga 20 vite burg. Kurse të akuzuarit e tjerë janë dënuar me nga 18 e më pak vite burg. Shumica e të dënuarve janë shtetas Kosovar. Të dënuar me burg të përjetshëm janë Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.

Përgatiti: Mevludin Imeri

Burim Demiri, shpresë e re e shqiptarëve nga Brukseli!

0

Burim Demiri, shpresë e re e shqiptarëve të Brukselit në zgjedhjet e tri niveleve që më 26 maj 2019 do të mbahen në Belgjikë, garës i kanë hyrë dhjetëra kandidatë me origjinë shqiptare. Në mesin e tyre është edhe i riu me prejardhje nga Runica e Kumanovës, Burim Hisen Demiri, 31 vjeçar, i cili është kandidat për deputet nga lista partisë DEFI për regjionin e Brukselit, dhe ka numrin 15.

Burim Demiri, në periudhën 2012-2018 ka qenë i zgjedhur me vota për këshilltar në Komunën Skarbek të Brukselit, gjatë së cilës ka bërë punë të mëdha për komunitetin shqiptar të kësaj komune. Veç tjerash, ai bashkë me babain Hisen Demiri, një aktivist i hershëm i diasporës shqiptare, e themeloi dhe financoi shkollën shqipe ne Skarbek, dhe me ndihmën e ish-burgmestrit Klerfai mori në shfrytëzim një stadium të madh për rininë shqiptare të FC “Kosova”.

Më tej, me rastin e 100-vjetorit të shtetit shqiptar, organizoi një konferencë shkencore, ndihmoi në aksionin për restaurimin e bustit të Skënderbeut, ngritjen e pllakës përkujtimore për atdhetarin Muharrem Bajraktari, etj.

Burim Demiri ka premtuar se nëse fiton të zgjidhet deputet i regjionit të Brukselit, do të angazhohet për avancimin e rinisë shqiptare të Brukselit, dhe inkuadrimin e tyre në jetën arsimore, kulturore dhe sportive.

Ai tanimë i ka deponuar edhe dy kërkesa në Komunën e Skarbekut: Vendosjen e bustit të Nënë Terezës në një nga sheshet e qytetit dhe emërtimin e një rruge apo sheshi me emrin Ibrahim Rugova. Burimi asnjëherë nuk e ka harruar as vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tij, Runicën dhe Kumanovën, të cilat i viziton shpesh.

Në vitin 2015, në Runicë ndihmoi ngritjen e pllakës përkujtimore me rastin e 70-vjetorit të krimeve të komunizmit mbi këtë fshat. Ndërsa, paralajmëron edhe aksione tjera për vendin e të parëve të tij. Prandaj, komunitetit shqiptar iu ka gëzuar kandidimit të Burim Demirit, tek i cili shohin një shpresë të re dhe një mundësi më shumë për realizimin e kërkesave të tyre.

 

8 VJET GJYKIM PËR RASTIN "MAXHAR TELEKOM", DËSHMOI PROFESORI BORÇE DAVITOVSKI

0

Në Gjykatën Penale-Shkup për rastin “Maxhar Telekom” të Prokurorisë speciale, sot dëshmoi profesori Borçe Davtikovski. Ai në vitet 2002-2004 ka qenë kryetar i bordit të drejtorëve të Telekomit të Maqedonisë. Ai dëshmoi në detaje se si kanë qenë shërbimet konsultuese, ekspertët e angazhuar, për mënyrën e largimit  nga puna të punëtorëve, rritjen e çmimit të telefonisë fikse dhe mobile. Ai tha së bashku me tre përfaqësuesit e Qeverisë vazhdimisht kanë insistuar të kursehen mjetet për ulje të çmimit të  telefonisë fikse ndërsa anëtarët tjerë të bordit kanë luftuar për përfitime më të mëdha  kompanisë.

“Shumë simptomatike ishte ajo që çmimet të rriten. Ne ishim 10 anëtarë të bordit, 4 nga Qeveria e Maqedonisë dhe 6 nga të huajt. Vendimet ishin 6 kundër 4 që ishin në dëmin tonë por përsëri  me insistim bëhej sipas akteve tona dhe ashtu janë sjellë vendimet”, tha Borçe Davitovski, dëshmitar.

Në pyetjet e palës mbrojtëse, Davitkovski u përgjigj se kur kompania  kishte parashikuar tepricë teknologjike, ai me tre përfaqësuesit e Qeverisë kishin insistuar që atyre që do të largohen nga puna, së paku tu jepen kompensim më i madh, ndërsa 6 anëtarët e huaj dhe pronarët kanë kërkuar që të respektohet ligj për marrëdhënie pune dhe tu jepen vetëm 12 rroga kompensim. Ai shtoi se në kohën e tij për largim nga puna  ishin paguar rreth 14 milion euro.

“Një e mirë nga e gjithë kjo është që fal sindikatës së Telekomit  dhe neve bordit që mundësuam që atyre që u larguan nga puna rreth 1000 e diçka punëtorë të marrin një kompensim të mirë adekuat. Nëse insistohej në atë që thuhej në ligj vetëm 12 rroga, mendoj se shumë keq do të ishte pranuar në opinionin maqedonas dhe do të kishte revoltë”, u shpreh dëshmitari Borçe Davitovski.

Prokurorja Speciale Lile Stefanova nuk parashtroi pyetje dëshmitarit më arsyetimin se dëshmitari ka qenë në funksion në Telekomin e Maqedonisë para se të ndodhte  vepra juridike penale. Në rastin Maxhar Telekom akuzohen Atilla, Rolf Plat, dhe Mihail Kefallijanis dhe Zolltan Kishjakus  të dyshuar se kanë nënshkruar marrëveshjeve fiktive për shërbime konsultative dhe në atë mënyre e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror  me 2 milion euro.

Përgatiti: Valmira Zendeli