Edhe raundi i sotëm i bisedimeve për ligjin për Prokurorinë publike me të cilin duhet të caktohet statusi i ardhshëm i PPS-së, është pa rezultat. VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja mbeten në qëndrimet e tyre pa asnjë progres për çështjet kyçe që kanë të bëjnë me PPS-në. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se mbeten në qëndrimin e tyre dhe se nuk do të tërhiqen nga propozimet e tyre që i dorëzuan përmes amendamenteve, të cilat në fakt janë vërejtje për dy të tretat nga përmbajtja e ligjit të propozuar, veçanërisht në lidhje me afatin për hapjen e lëndëve.
“Kjo pjesë është shumë e qartë, ligji e thotë këtë, ne nuk mundemi të veprojmë jashtë ligjit. Dihet se deri më 30 qershor të vitit 2017 PPS ka mandat. Sundimi i së drejtës është i rëndësishëm si dhe respektimi i parimeve demokratike dhe të drejtat themelore të njeriut”, tha avokati i VMRO-DPMNE-së, Toni Menkinovski.
Ministrja e drejtësisë Renata Deskoska tha se mbeten të hapura çështjet për nenin 105 nga ligji i cili ka të bëjë me shfrytëzimin e provave dhe përndjekjen për veprat penale si dhe procedurat e filluara. Deskoska tha se nëse nuk pranohen çështjet për të cilat VMRO-DPMNE nuk pajtohet, ligji do të humbë nga cilësia.
“Linjat e kuqe janë se nuk duhet të ketë amnisti të fshehur, nuk duhet të ketë falje për vepra penale përmes dispozitave ligjore, këto janë linjat tona të kuqe të cilat nuk i kalojmë dhe prej këtyre arsyeve VMRO-DPMNE duhet të bëjë konsultime shtesë. Nëse në të vërtetë ata angazhohen për të drejtën dhe drejtësinë për sundimin e së drejtës, atëherë duhet të rishqyrtojnë qëndrime të caktuara”, u shpreh Renata Deskoska, Ministre e Drejtësisë.
Prokurorja speciale Janeva tha se shpreson se së shpejti do të arrihet marrëveshje për ligjin dhe se do të ketë zgjidhje të mirë.
“Ndoshta bisedat nuk do të dëgjohen por do të ketë mundësi që të analizohen nga gjykata, do të jenë pjesë e provave. Hapëm disa procedura të reja parahetimore për bisedat që kanë mbetur”, theksoi kryeprokurorja në Prokurorin Publike Speciale, Katica Janeva.
Takim i ri për ligjin për PPS është caktuar për të premten, por mbetet dilema nëse do të arrihet të sillet ligji i cili është i rëndësishëm për Komisionin evropian i cili do ta publikojë Raportin për progresin e vendit tonë deri në fund të këtij muaji, që do të jetë kyç për marrjen e datës për fillimin e negociatave.
Përgatiti: Svetllana Unkovska
