4 VJET NGA “LAGJA E TRIMAVE”, JANEVA: S’KA DËSHMI, VËSHTIRË SE RASTIN DO TA MARRË PPS-ja”

TË FUNDIT

 “Hapi që deri më tani është marrë është informimi i anëtarëve të Bashkimit Ndërkombëtar, që ata të mendojnë variante se si do të ishte e mundur që të ketë hetim ndërkombëtar për këtë rast. Ne duam ajo dihet dhe është shkruar në programin e Qeverisë , të mos ketë dilema dhe debate për të gjithë atë që paraqet punë të pa zbardhura, parasegjithash nga karakteri transparent dhe në interes të qytetarëve të Maqedonisë”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Kështu deklaroi, kryeministri Zaev më 10 nëntor të 2017 për rastin e “Lagjës së trimave”. Nesër mbushen 4 vjet nga ngjarja e armatosur në Kumanovë, por hetimi ndërkombëtarë nuk është askund. Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se nuk ka informacione për raste konkrete, dhe se rasti në fjalë, nëse ka dëshmi duhet të kalojë në duart e Prokurorisë Publike Speciale.

“Unë nuk jam e informuar për raste konkrete. Nëse ka indicje, atëherë sigurisht ajo procedurë duhet të shkoj në Prokurorinë Publike Speciale, nëse ka dëshmi të caktuara, d.m.th nuk kam detaje në lidhje me raste konkrete që të mund të ju përgjigjem”, theksoi Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska.

Por, Kryeprokurorja Katica Janeva deklaroi se ende nuk ka dëshmi dhe se është vështirë të thuhet nëse PSP do ta marr rastin. Sipas saj ka vetëm indicje, se si dhe çfarë ka ndodhur.

“Ka disa indicje në drejtim të asaj se si dhe çka ka ndodhur në Kumanovë. Por gjithsesi, PSP nuk ka gjetur biseda që të mund të ketë kompetenca mbi atë rast. Në procesin para hetimor, ka disa indicje. Por mendoj që do të jetë shumë e vështirë që të thuhet se kur dhe a do ta marrë PPS-ja atë rast”, potencoi Katica Janeva, kryeprokurore në Prokurorin Publike Speciale.

Ndryshe, për ngjarjen në “Lagjen e trimave”, të dënuar janë 37 persona me plotë 746 vite burg. Prej tyre, 7-të me burg të përjetshëm, trembëdhjetë me nga 40 vite burg, gjashtë me nga 20 vite burg. Kurse të akuzuarit e tjerë janë dënuar me nga 18 e më pak vite burg. Shumica e të dënuarve janë shtetas Kosovar. Të dënuar me burg të përjetshëm janë Andi Krasniqi, Dem Shehu, Fadil Fejzullahu, Nasuf Zeqiri, Valdet Zekaj, Bek Bajra dhe Fejzulla Rushitovski.

Përgatiti: Mevludin Imeri