TREGIMET E PYLLIT MAGJIK, LIBRI PËR FËMIJË NË TRI GJUHË, EDHE NË ALFABETIN BRAJ

0

…Kur jemi së bashku mundemi gjithçka,

Nën të njëjtin Diell, të gjithë jemi të njëjtë…

Këto janë një pjesë e vargjeve të librit të parë për fëmijë “Tregimet e pyllit magjik” nga autorja Allma Rastoder, i cili në fakt është libri i parë në tri gjuhë: në gjuhën maqedonase, boshnjake dhe shqipe, i adaptuar edhe në alfabetin Braj, për fëmijët me shikim të dëmtuar. Hana dhe Taro janë personazhet kryesorë në këtë libër të cilët njëkohësisht janë frymëzim i këtij libri.

“Libri është shkruar rastësisht. Nga procesi im i edukimit të fëmijëve dhe nga ngjarjet me të cilat u ballafaqova gjatë këtij procesi. Fëmijëve u kam thënë tregime dhe pashë se kanë ndikim pozitiv ndaj tyre dhe vazhdova të shkruaj”, deklaroi Allma Rastoder, autore e librit.

Tregimet e pyllit magjik është kombinim i shkëlqyeshëm i poezisë dhe prozës në kornizat e literaturës për fëmijë. Me gëzim të veçantë dhe respekt duhet të përshëndesim autorët e rinj si Allma Rastoder, filolog i diplomuar në drejtimin e letërsisë së përgjithshme dhe komparative, që shkruajnë literaturë për fëmijë e cila është vitale por edhe deficitare – theksoi në recensionin e tij profesori Martinovski.

“Grupi qëllimor janë fëmijët në moshë prej 7 deri 10 vjet kur e krijojnë shijen e tyre duke hyrë në fshehtësitë e leximit dhe artit, andaj ky libër është shumë i rëndësishëm”, theksoi Vlladimir Martinovski, Recensues.

Tregimet janë me  titujt në vijim: Bota e fëmijëve, Dhëmb – margaritar, Dua të jem, Koha për të fjetur, Super heronj, Ëndrra e fëmijëve, Shokët nuk ofendohen et. Ilustrimin e bëri Emina Rastoder, ndërsa në gjuhën shqipe e përkthyen Ivana Llazarevska, Sadike Haxhiu dhe Biljana Nikollovska, në botimin e Shtëpisë botuese Eduka Mak.

Përgatiti: Aleksandra Velinova

NË INAUGURIM MUNGOI KRYEMINISTRI , LIDERI I OPOZITËS NUK ISHTE I FTUAR

0

Krerët e shteteve fqinje që në mëngjes erdhën për të marr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Stevo Pendarovski. I pari erdh Presidenti i Republikës së Bullgarisë Rumen Radev.

Pas tij arritën Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta e ai i Kosovës, Hashim Thaçi  dhe fund arriti Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E rahatin e pushimit nuk e prishi kryeministri Zoran Zaev, i cili nuk erdhi në këtë ceremoni. Ai përmes nje video uroi dhe e mbështeti presidentin e ri Stevo  Pendarovskin.

“Sot vendi ynë fiton president – ky është i joni Stevo Pendarovski, lider i cili na bashkangjitet në kryesimin përpara, në nismën tonë të përbashkët me të cilën e bëjmë Maqedoninë e Veriut vend të bukur për të jetuar. Sot Pendarovski e merr detyrën për të qenë president i të gjithë qytetarëve, jopartiak, të luftojë për drejtësi dhe barazi dhe ta prezantojë vendin në mënyrë dinjitoze çdokund në botë”, u shpreh kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Në seancën e inaugurimit nuk ishte i pranishëm as lideri i opozitës Hristian Mickoski, pasi ai nuk kishte marrë ftesë nga kuvendi. Por Frosina Remenski tha se gjithcka është vepruar sipas protokollit

“Unë ju udhëzoi në deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev. Ai i tregoi arsyet pse nuk është këtu, ndërsa për ftesën e liderëve të partive tjera politike  në kuvend në kësisoj seance, deri tani nuk ka pasur një praktikë të tillë dhe ne i respektojmë praktikat protokollare”, tha Frosina Remenski nga LSDM.

E për VMRO DPMNE-në mungesa e kryeministrit në inaugurimin e presidentit të vendit është e habitshme.

“Shumë e habitshme sipas meje, të jenë të pranishëm funksionarë  të shtetit në inaugurimin e kryetarit të shtetit të Maqedonisë, ndërsa të mungon kryeministri i shtetit. Ky është një sinjal i pazakontë dhe i habitshëm”, theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE.

Në këtë seancë të pranishëm ishin Ali Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Afrim Gashi, por që të tre në cilësinë e deputetit.

Përgatiti: Zimer Jashari

Rrugët e Kërçovës shumëngjyrëshe! FOTO LAJM

0

Projekti Artvisim këtë fundjavë bëri që qendra e Kërçovës të duket edhe me e bukur. Kjo fal aktivitetit që morrën kërçovarët dhe ngjyrosën qendrën e Kërçovës me ngjyra të llojllojshme duke i dhënë një pamje të veçant.

PARTITË OPTIMISTE PËR PREMTIMET E PENDAROVSKIT, VMRO ANKOHET: LSDM DHE BDI E KANË PUSHTETIN ABSOLUT

0

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së  i uroi presidentit Stevo Pendraovski një mandat të suksesshëm, por deputeti i kësaj partie Antonio Milloshovski, tha se shteti fitoi një president me kredi dhe hipotekë politike.

“Për Pendarovskin ka shumë njerëz që nuk votuan. Ai mori kredi nga politikanë dhe parti që e përkrahën dhe ai duhet ta kthejë atë. Ai do t’i dëshpërojë qytetarët që ia kanë dhënë votën. Prej sot e tutje LSDM dhe BDI e kanë pushtetin absolut. Pushteti absolut sjellë edhe përgjegjësi dhe korrupsion më të lartë”, potencoi Antonio Milloshovski.

Për LSDM-në me ardhjen e Penderovskit regjimi është mposhtur.

“Jemi të bindur se Pendarovski do të bashkojë shoqërinë. Prej tij presim t’i nënshkruajë ligjet e bllokuara që janë me rëndësi për qytetarët. Ai duhet të jetë korrigjues i pushtetit. Regjimi është mposhtur”, deklaroi Frosina Remenski, deputete e LSDM-së.

BDI ftoji kryetarin e ri të shtetit, që të kontribuojë për përmasimin e marrëdhënieve ndëretnike.

“BDI me kënaqësi të madhe e konstaton fitoren e kandidatit tonë të përbashkët konsesual të Z. Pendarovskit, në zgjedhjet presidenciale të RMV dhe vlerëson se fjalimi i tij ishte në frymën e konsezualitetit në frymën e bashkëpunimit dhe në frymën e përfaqësimit të gjithë qytetarëve të vendit. Urojmë që në detyrën e tij të re, të jep ai kontribut i cili duhet të arrij mes qytetarëve , partive politike, të skenës politike RMV-së”, u shpreh Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli, tha se nëse presidenti i ri ka vullnet ata si parti opozitare do të jenë aty për të bashkëpunuar.

“Presidenti i ri nëse ka vullnet  dhe nëse donë të bashkëpunojmë me opozitën shqiptare dhe me Lëvizjen Besa, me siguri ky bashkëpunim nga ana jonë do të jetë me kapacitete të plota”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

Edhe deputeti i Aleanca për Shqiptarët Syrja Rashidi, përshëndeti inaugurimin e presidentit të ri dhe si parti opozitare tha se do ta ndjekin hap pas hapi, që të shohin nëse do të realizojë atë që ka premtuar.

Përgatiti: Zimer Jashari

“GJALLËROHET” FIGURA E NËNËS TEREZË, SKULPTURË E RE NË SHTËPINË MEMORIALË TË SAJ

0

Skulpturë e re për Nënën Terezë, në shtëpinë e saj përkujtimore në Shkup. Portreti i saj, fytyra, sytë dhe buzëqeshja, gjithçka duket e vërtetë. Me duar të bashkuara që luten,  me veshjen e saj sari, me ngjyra bardhë e kaltër. Kjo skulpturë prej tani do të qëndron përjetësisht në krye të muzeut.

Skulptura u punua nga profesori, Zharko Bashevski, me ide të drejtorit të muzeut Arjan Asllanaj, me shënimin e vizitës historike të Papës Françeskut. Bazhevski thotë se për të bërë skulpturën, iu kanë dashtë dy muaj, kurse pjesa më e vështirë e punës ka qenë përpunimi i psikologjisë së Nënë Terezës.

“Koka, duart, disa pjesë të skulpturës janë të bëra me silikon, disa pjesë janë të bëra me poliestër, polimer. kemi shfrytëzuar material natyrale, fije natyrale, sytë janë të bërë. Momenti më interesantë ishte ta kap kuptimin e psikologjisë, ta përpunoj realitetin, që të jetë sa më bindëse dhe më reale”, deklaroi Zharko Bashevski, Skulptor dhe profesor.

Për ruajtjen e skulpturës nuk nevojiten kushte të veçanta, vetëm se ajo nuk guxon të ekspozohet në diell. Drejtori i Shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezës, Arian Asllanaj, thotë se do të përkujdeset me përkushtim për mirëmbajtjen e kësaj skulpture. Ai thotë se vizitorët e parë që e kanë parë, kanë ngelur me gojë hapur.

“E përgëzoj profesorin për punën që ka bërë, na e ka ngjallur “Nënën Terezë” këtu. Të ju tregojë se me të vërtetë të gjithë vizitorët që vijnë janë të mahnitur, me plotë kuptimin e fjalës. Silikoni është një material që me të vërtetë e bën të duket si e gjallë, nuk guxon të preket, por ne që kemi pasur rastin ta prekim, duket sikur e gjallë”, u shpreh Arian Asllanaj, drejtor i Shtëpis Përkujtimore “Nënë Tereza”.

Për skulpturën donator ka siguruar Ambasada e Kosovës.

Asllanaj thotë se muzeun do ta pasuroj edhe më shumë. Deri në verë do të sjellë disa dokumente, arte fakte të cilat janë në gjuhën shqipe, të shkruara prej dorës së shenjtë të Nënës Terezë.

Ndërkaq, Shtëpia Memoriale “NENA TEREZË”  është një prej muzeve më të vizituara në rajon, me rreth 70.000 vizitorë në vit. Viti 2019, është viti jubilar, është 10 vjetori i Shtëpisë Memoriale “NËNA TEREZË”. Do të organizohet Akademi shkencore  për 100 vjetorin e Kolë Bojaxhit, babait të Nënë Terezës.

Ndryshe, Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë.

 Përgatiti: Almedina Ismajli

Xhaferi flet shqip në Kuvend, Ivanovi dhe Cërvenkovski nuk i mbajnë kufjet

0

Seancën për inaugurimin e presidentit të ri Stevo Pendrovski, kryeparlamentari Talat Xhaferi e udhëhoqi në gjuhën shqipe. Ata që nuk kuptonin mbanin kufje për të dëgjuar përkthyesin. Por, ish-presidentët Branko Cërvenkovski dhe Gjorge Ivanov nuk po përdornin kufje. Xhaferi deri në fund seancën e udhëhoqi në shqip, teksa të pranishëm ishin edhe katër presidentët e shteteve fqinje, Aleksandar Vuçiq, Ilir Meta, Hashim Thaçi dhe Ruman Radev.

TETOVARI LEHTËSON PUNËT E NËNAVE, SHPIKU DJEP ELEKTRIK DHE MAKINERI PËR PËRZIERJEN E AJVARIT

0

Ata që kanë bërë ajvar e dinë që pjesa më e rëndë është përzierja e tij.

Por, Ali Kasami nga Tetova ka menduar se si ta lehtësojë këtë pjesë. Ka shpikur një mikser që me rrymë elektrike të përzihet ajvari, pa u munduar me duar. Aliu thotë se ideja e kësaj shpikjeje i erdhi pasi ka konstatuar se përzierja e ajvarit është një punë e lodhshme. Prandaj, si elektricist që është profesioni i tij, e ka shpikur këtë makineri inovative.

“Kjo është marrë nga makina (brisaqafe) Kjo punon me 12W. Kjo pjesë është me gypa të metalit. Edhe kjo pjesë këtu ka amortizim. Plus kjo është eksentri nëse është tava më e madhe kjo ngrihet më lart dhe këtu shtrëngohet.  Nëse edhe diametri i tavës është më i gjerë, gjithashtu këtu lirohet bëhet me përmasat e asaj tave që është”, potencoi Ali Kasami.

Përveç makinës së përzierjes, Aliu për t’u dalë në ndihmë nënave, ka ndërtuar edhe një djep elektrik.

“Kjo është lehtësim i nënave tona. Më tepër nënat tona i bëjnë ajvaret apo djepet i luhatin për fëmijën. Çdoherë kam menduar që t’ua lehtësoj punën dhe mundin që japin”, theksoi Ali Kasami.

Aliu është elektricist dhe thotë se shpikjet e tij i bën për të mirën e qytetarëve dhe lehtësimin e punës së tyre. Për inovacionet e tij thotë se nuk ka marrë asnjë ndihmë nga shteti, por i ka bërë me vetiniciativë.

Ai na premtoi se shpikja e radhës do të jetë edhe më interesantja. Deri tani Aliu ka ndërtuar 150 makineri të përzierjes së ajvarit dhe 200 djepa elektrikë.

Përgatiti: Afrim Jonuzi

KATËR VJET SALLA UNIVERSALE JASHTË FUNKSIONIT, EKZISTOJNË PROJEKTE POR NUK NDAHEN MJETE

0

“Kjo është skena sallës Universale në Shkup në të cilën tashmë 4 vite nuk është ngjitur asnjë artist. Në fakt ngjarja e fundit që është zhvilluar këtu, janë “bombat” e kryeministrit Zoran Zaev”, Besir Arifi gazetar.

Po atë natë u shkëput një pjesë e tavanit të sallës, kujton drejtori aktual Filip Avramçev.

“Që atëherë tavani është problematik, ranë disa pjesë, dhe që atëherë Salla Universale është jofunksionale”, tha drejtori i Sallës Universale, Filip Avramçev.

Projekte për rikonstruim ka, shpjegon Avramçev, por mungojnë paratë.

“Tashmë ka tre projekte valide me të cilat mund të punohet port ë gjitha janë me shuma të larta dhe duhen shumë mjete që të bëhet, ndërsa momentalisht as Qyteti i Shkupit e as Ministria e Kulturës nuk kanë aq mjete që t’i japin për rikonstruimin e sallës Universale”, theksoi Filip Avramçev, drejtor i Sallës Universale.

Salla është nën përgjegjësinë e Qytetit të Shkupit. Nga atje thonë se mbështesin projeket për Universalen, pa dallim nëse bëhet fjalë për rikonstruim apo ndërtim të objektit të ri. Por financiarisht nuk e përballojnë, andaj as nuk e kanë në buxhet planin e 2019-tës.

“Ndërtimi i objektit të ri të Sallës Universale gjithnjë ka qenë projekt që do të financohej nga ana e shtetit. Bëhet fjalë për projekt kapital që do të kushtonte dhjetëra million euro dhe është harxhim të cilin Qyteti i Shkupit nuk mund ta përballojë”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Edhe nëse ndonjëri prej tre projekteve për rikonstruim fillon të realizohet, drejtori Avramçev thotë se do të duheshin tre vite punë, e kjo nënkupton edhe tre vite të tjera pa sallë.

Në maj 2018 Kryetari Petre Shilegov dhe Ministri I atëhershëm të kulturës Allagjozovski nënshkruan marëveshje që bashkarisht ta rinovojnë sallën, por asgjë nuk ndodhi. Më pas vendin e Allagjozovskit e zuri— Ministri Asaf Ademi, e njëjtë edhe gjatë mandatit të tij disamujor nuk u bë asnjë hap. Tani mbetet të shihet se kush do të jetë ministri i ri i kulturës dhe nëse do t’ia zgjasë dorën qytetit të Shkupit për Sallën Universale, që është objekt simbol i kryeqytetit. Me punë ka nisur në vitin 1966 ndërsa ka kapacitet prej 1500 ulëseve, të cilat tashmë 4 vite i ka zënë pluhuri.

Përgatiti: Besir Arifi

BIOGRAFIA E PRESIDENTIT TË RI, KUSH ËSHTË STEVO PENDROVSKI?

0

Por kush eshte Stevo Pendarovski? Shefi i pestë i shtetit, është i lindur më 3 prill të vitit 1963 në Shkup. Ka diplomuar në vitin 1987 në Fakultetin për shkencat juridike dhe politike, pranë Universitetit “Sh. Kirill dhe Metodi” – Shkup, ndërsa ka mbrojtur tezën e magjistraturës dhe doktoratës  në Institutin për hulumtime sociologjike, politike dhe juridike pranë Universitetit “Sh. Kirill dhe Metodi”.

Gjatë 11 viteve të fundit  ishte profesor në Universitetin Amerikan Kolexh – Shkup. Në periudhën 1998-2001 ishte kryeshef i Drejtorisë për analitikë dhe hulumtime në MPB-në dhe zëdhënës në këtë ministri.

Nga viti 2001 deri në 2004 ishte këshilltar për siguri nacionale të presidentit të Republikës së Maqedonisë. Nga viti 2004 deri në 2005 ishte kryetar i KSHZ-së. Nga viti 2005 deri në 2009 ishte  këshilltar për politikë të jashtme të presidentit të RM-së. Nga viti 2016 deri në 2017 ishte  deputet në Kuvendin e RM-së. Nga nëntori 2017 Pendarovski u emërua koordinator nacional për NATO.

PRIVILEGJET E IVANOVIT PAS SKADIMIT TË MANDATIT, ZYRA, PENSION, SIGURIM PERSONAL DHE NJË SHOFER

0

Ivanovit i skadoi mandati i dytë i presidentit. Por Cilat janë privilegjet e tij tani ne pension? Kabineti i tij ka kërkuar nga shërbimet për gjëra të përgjithshme dhe të përbashkëta, t’i japin zyra që do t’i shfrytëzojë pas përfundimit të funksionit të tij. Nga Shërbimet për gjëra të përgjithshme dhe të përbashkëta thonë se kërkesa me shkrim nga Ivanovi që ka arritur tek ata, është miratuar. Nga Villa Vodno, Ivanov  zhvendoset tek ndërtesat e larta të Xhevahir Holding në Aerodreom. Në kurriz të shtetit,  atij i takojnë hapësirat e zyrave tashmë  të rezervuara, dhe përveç kësaj do të ketë një buxhet prej 150 mijë euro, një pension prej 91 mijë denarë,  sigurim personal dhe një shofer. Në rast të vdekjes së presidentit gjatë mandatit të tij, pensioni i tij ulet për 30% dhe kanë të drejtë ta shfrytëzojnë bashkëshorti/ja ose fëmijët e tij të mitur derisa ta përfundojnë procesin e shkollimit të rregullt, përkatësisht derisa të mbushin 26 vjet.