“GJALLËROHET” FIGURA E NËNËS TEREZË, SKULPTURË E RE NË SHTËPINË MEMORIALË TË SAJ

TË FUNDIT

Skulpturë e re për Nënën Terezë, në shtëpinë e saj përkujtimore në Shkup. Portreti i saj, fytyra, sytë dhe buzëqeshja, gjithçka duket e vërtetë. Me duar të bashkuara që luten,  me veshjen e saj sari, me ngjyra bardhë e kaltër. Kjo skulpturë prej tani do të qëndron përjetësisht në krye të muzeut.

Skulptura u punua nga profesori, Zharko Bashevski, me ide të drejtorit të muzeut Arjan Asllanaj, me shënimin e vizitës historike të Papës Françeskut. Bazhevski thotë se për të bërë skulpturën, iu kanë dashtë dy muaj, kurse pjesa më e vështirë e punës ka qenë përpunimi i psikologjisë së Nënë Terezës.

“Koka, duart, disa pjesë të skulpturës janë të bëra me silikon, disa pjesë janë të bëra me poliestër, polimer. kemi shfrytëzuar material natyrale, fije natyrale, sytë janë të bërë. Momenti më interesantë ishte ta kap kuptimin e psikologjisë, ta përpunoj realitetin, që të jetë sa më bindëse dhe më reale”, deklaroi Zharko Bashevski, Skulptor dhe profesor.

Për ruajtjen e skulpturës nuk nevojiten kushte të veçanta, vetëm se ajo nuk guxon të ekspozohet në diell. Drejtori i Shtëpisë përkujtimore të Nënë Terezës, Arian Asllanaj, thotë se do të përkujdeset me përkushtim për mirëmbajtjen e kësaj skulpture. Ai thotë se vizitorët e parë që e kanë parë, kanë ngelur me gojë hapur.

“E përgëzoj profesorin për punën që ka bërë, na e ka ngjallur “Nënën Terezë” këtu. Të ju tregojë se me të vërtetë të gjithë vizitorët që vijnë janë të mahnitur, me plotë kuptimin e fjalës. Silikoni është një material që me të vërtetë e bën të duket si e gjallë, nuk guxon të preket, por ne që kemi pasur rastin ta prekim, duket sikur e gjallë”, u shpreh Arian Asllanaj, drejtor i Shtëpis Përkujtimore “Nënë Tereza”.

Për skulpturën donator ka siguruar Ambasada e Kosovës.

Asllanaj thotë se muzeun do ta pasuroj edhe më shumë. Deri në verë do të sjellë disa dokumente, arte fakte të cilat janë në gjuhën shqipe, të shkruara prej dorës së shenjtë të Nënës Terezë.

Ndërkaq, Shtëpia Memoriale “NENA TEREZË”  është një prej muzeve më të vizituara në rajon, me rreth 70.000 vizitorë në vit. Viti 2019, është viti jubilar, është 10 vjetori i Shtëpisë Memoriale “NËNA TEREZË”. Do të organizohet Akademi shkencore  për 100 vjetorin e Kolë Bojaxhit, babait të Nënë Terezës.

Ndryshe, Gonxhe Bojaxhiu, e njohur botërisht si Nënë Tereza ose Shën Tereza e Kalkutës është nobelistja shqiptare që pjesën më të madhe të jetës së saj ia kushtoi bamirësisë.

 Përgatiti: Almedina Ismajli