Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së i uroi presidentit Stevo Pendraovski një mandat të suksesshëm, por deputeti i kësaj partie Antonio Milloshovski, tha se shteti fitoi një president me kredi dhe hipotekë politike.
“Për Pendarovskin ka shumë njerëz që nuk votuan. Ai mori kredi nga politikanë dhe parti që e përkrahën dhe ai duhet ta kthejë atë. Ai do t’i dëshpërojë qytetarët që ia kanë dhënë votën. Prej sot e tutje LSDM dhe BDI e kanë pushtetin absolut. Pushteti absolut sjellë edhe përgjegjësi dhe korrupsion më të lartë”, potencoi Antonio Milloshovski.
Për LSDM-në me ardhjen e Penderovskit regjimi është mposhtur.
“Jemi të bindur se Pendarovski do të bashkojë shoqërinë. Prej tij presim t’i nënshkruajë ligjet e bllokuara që janë me rëndësi për qytetarët. Ai duhet të jetë korrigjues i pushtetit. Regjimi është mposhtur”, deklaroi Frosina Remenski, deputete e LSDM-së.
BDI ftoji kryetarin e ri të shtetit, që të kontribuojë për përmasimin e marrëdhënieve ndëretnike.
“BDI me kënaqësi të madhe e konstaton fitoren e kandidatit tonë të përbashkët konsesual të Z. Pendarovskit, në zgjedhjet presidenciale të RMV dhe vlerëson se fjalimi i tij ishte në frymën e konsezualitetit në frymën e bashkëpunimit dhe në frymën e përfaqësimit të gjithë qytetarëve të vendit. Urojmë që në detyrën e tij të re, të jep ai kontribut i cili duhet të arrij mes qytetarëve , partive politike, të skenës politike RMV-së”, u shpreh Artan Grubi, deputet i BDI-së.
Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli, tha se nëse presidenti i ri ka vullnet ata si parti opozitare do të jenë aty për të bashkëpunuar.
“Presidenti i ri nëse ka vullnet dhe nëse donë të bashkëpunojmë me opozitën shqiptare dhe me Lëvizjen Besa, me siguri ky bashkëpunim nga ana jonë do të jetë me kapacitete të plota”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.
Edhe deputeti i Aleanca për Shqiptarët Syrja Rashidi, përshëndeti inaugurimin e presidentit të ri dhe si parti opozitare tha se do ta ndjekin hap pas hapi, që të shohin nëse do të realizojë atë që ka premtuar.
Përgatiti: Zimer Jashari
