Turqia kërkon zgjidhje diplomatike, çfarë ishte në fokus të një telefonate midis Trump dhe Erdogan

0

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Donald Trump, ku diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

Sipas një deklarate të Presidencës turke, Erdogan theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes Ankarasë dhe Uashingtonit, në prag të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe në vitin 2027. Ai nënvizoi se Turqia do të vijojë përpjekjet për të zgjeruar bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat.

Gjatë bisedës, një vëmendje e veçantë iu kushtua situatës në Lindjen e Mesme. Erdogan e informoi Trumpin për qëndrimin e Ankarasë ndaj zhvillimeve në rajon, duke përfshirë Ngushticën e Hormuzit dhe Jemenin. Sipas Presidencës turke, ai bëri të ditur se Turqia po monitoron nga afër situatën dhe po kërkon zgjidhje diplomatike në kuadër të Aleancës së Mbrojtjes së Përbashkët të Mekës.

Sa i përket luftës Rusi-Ukrainë, presidenti turk shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të mbështetur rifillimin e përpjekjeve diplomatike mes dy palëve, me synimin për t’i dhënë fund luftimeve.

Nga ana e tij, Trumpi uroi Erdoganin dhe popullin turk për Ditën e Republikës së Turqisë, që shënohet më 29 tetor, si dhe për organizimin me sukses të Samitit të Organizatës së Shteteve Turkishtfolëse.

Netanyahu pa shumicë të qartë, presidenti izraelit kërkon marrëveshje për qeverinë e re

0

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u ka bërë thirrje partive politike që të bëjnë gjithçka për të shmangur zgjedhjet e reja, pas rezultatit të paqartë të zgjedhjeve parlamentare.

Në fjalimin e tij të parë publik pas votimit, Herzog tha se pret rezultatet përfundimtare gjatë javës së ardhshme, ndërsa paralajmëroi konsultime me grupet parlamentare për formimin e qeverisë së re.

Ai vlerësoi pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve, duke theksuar se ajo pasqyron dëshirën e izraelitëve për demokraci.

Sipas rezultateve paraprake, me rreth 85 për qind të votave të numëruara, blloku i kryeministrit Benjamin Netanyahu ka siguruar 53 mandate, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Gadi Eisenkot ka 48 vende.

Ndërkohë, partitë kryesisht arabe, Lista e Përbashkët dhe Ra’am, kanë siguruar së bashku 19 mandate, në parlamentin që ka gjithsej 120 vende.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, pjesëmarrja në votime arriti në 77.7 për qind, duke shënuar rritje krahasuar me 70.6 për qind në zgjedhjet e vitit 2022.

Me 5.6 milionë qytetarë që ushtruan të drejtën e votës, kjo është pjesëmarrja më e lartë në zgjedhjet izraelite që nga viti 1999, ndërsa sfida kryesore mbetet sigurimi i mbështetjes së mjaftueshme për formimin e qeverisë së re.

Bërnabiç akuzon studentët: S’duan drejtësi, por arrestimin e Vuçiqit  

0

Ana Bërnabiç, e cila ushtron detyrën e presidentes në detyrë të Serbisë, ka pretenduar se ka nisur një fushatë për arrestimin e presidentit Aleksandar Vuçiq. Në një reagim në rrjetin social X, ajo deklaroi se qëllimi i kësaj fushate, sipas saj, nuk është vendosja e drejtësisë, por largimi i Vuçiqit.

Bërnabiç pretendoi se gjatë fushatës zgjedhore, Vuçiqit iu pengua të fliste, ndërsa gjatë periudhës së heshtjes zgjedhore ai u sulmua dhe u përhapën, sipas saj, informacione të pavërteta për të dhe familjen e tij.

Ajo e lidhi paralajmërimin për marrjen në pyetje dhe arrestimin e mundshëm të presidentit me hetimet për shembjen e tendës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, tragjedi në të cilën humbën jetën 16 persona.

Bërnabiç ngriti pikëpyetje mbi përgjegjësinë e anëtarëve të komisionit të rishikimit, të cilët, sipas saj, kontrolluan projektin dhe dhanë miratimin, pa kërkuar verifikime shtesë. Ajo nuk akuzoi Vuçiqin, për informacionet e përhapura në media, se ai kishte dijeni mbi zbatimin e projektit.

Për të mbështetur argumentin e saj, Bërnabiç përmendi edhe shembjen e një pjese të çatisë së terminalit të aeroportit Charles de Gaulle në Francë, në vitin 2004, ku humbën jetën katër persona. Ajo theksoi se presidenti i atëhershëm francez, Jacques Chirac, nuk ishte trajtuar si i dyshuari kryesor në atë çështje.

“Qëllimi këtu është të heshtet dhe të largohet Aleksandar Vuçiq, dhe jo të vihet drejtësia në vend”, deklaroi Bërnabiç, duke shtuar se SNS-ja do të luftojë kundër asaj që ajo e cilësoi si “terror revolucionar”.

Putin: Musk është gjeni, jemi në kontakt për satelitët

0

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia është në kontakt me miliarderin amerikan Elon Musk për çështjet që lidhen me konstelacionet satelitore në orbitën e ulët të Tokës, pavarësisht dallimeve politike.

“Elon Musk është një gjeni industrial. Në orbitë ka më shumë se 5.000 satelitë. Jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë amerikanë, përfshirë edhe zotin Musk”, tha Putin gjatë vizitës në një ekspozitë në kuadër të samitit “Rusia – Afrika”.

Ai theksoi se Rusia dhe SHBA-ja bashkëpunojnë në fushën e hapësirës, pasi vendosja e satelitëve në orbitë kërkon rregull dhe disiplinë.

Putin foli edhe për sistemin satelitor rus “Rassvet”, i ngjashëm me “Starlink”, duke thënë se ai është ende në fazat e para të zhvillimit. Sipas tij, sistemi ka cilësi të lartë, por Rusia duhet të vendosë më shumë satelitë në orbitë. Aktualisht, në orbitë ndodhen rreth 30 satelitë të këtij sistemi.

“Është vetëm hapi ynë i parë, por jemi krenarë që e kemi nisur këtë punë në mënyrë të pavarur. Tani është e rëndësishme të kalojmë nga cilësia te sasia”, deklaroi Putin.

Ronaldo mposht Messin për çmimin “BOAT”

0

Superylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka lënë pas konkurrentë shumë të fortë për çmimin “Topi i Artë i të gjitha kohërave”. 
Çmimin inaugurues që jepet me vota të tifozëve, Ronaldo e fitoi të mërkurën në mbrëmje, duke lënë pas edhe superyllin argjentinas, Lionel Messin. 
Sezoni 2008 ku Ronaldo përfundoi me çmimin “Topi i Artë”, u zgjodh më i miri sipas votave të tifozëve. I dyti me më së shumti vota ishte sezoni 2012 i Messit. 
Ronaldo më pas i fitoi edhe katër trofe të tjerë të “Topit të Artë”. 
Në vitin 2008 pati sezon të shkëlqyer me Manchester Unitedin duke i shënuar 42 gola, ndërsa e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të Premier Leagues dhe trofeut të Championsit. 
Votimi u hap më 1 tetor dhe u mbyll të martën, vetëm një ditë pasi Harry Kane dhe Alexia Putellas i fituan çmimet kryesore në ceremoninë “Topi i Artë”.

Një votë u kushtoi tifozëve 1 euro, ndërsa ata kishin të drejtë të votonin më shumë se një herë. 
Messi dhe Ronaldo dominuan me vota. 12 vendet e para u zunë pikërisht nga kjo dyshe.

Syzet inteligjente nën lupën e autoriteteve, Austria nis hetim për cenimin e privatësisë

0

Austria do të nisë një hetim parlamentar për përdorimin e syzeve inteligjente, mes shqetësimeve se këto pajisje mund të cenojnë privatësinë dhe të mundësojnë regjistrimin e fshehtë të qytetarëve.

Sekretari i shtetit për dixhitalizimin, Alexander Pröll, ka prezantuar një propozim me tri faza për rregullimin e kësaj teknologjie, e cila mund të përfshijë kamera, mikrofonë dhe funksione të inteligjencës artificiale.

Sipas transmetuesit publik austriak ORF, propozimi parasheh kufizime të posaçme për regjistrimin e pamjeve dhe audios, veçanërisht në ambiente të ndjeshme.

Regjistrimet pritet të ndalohen në shkolla, kopshte, dhoma zhveshjeje, tualete, gjykata, burgje, si dhe në objekte policore dhe ushtarake.

Ndërsa në hapësirat publike, regjistrimi duhet të jetë qartësisht i dukshëm për personat e tjerë.

Hetimi parlamentar do të përfshijë ekspertë të teknologjisë dhe mbrojtjes së të dhënave, si dhe përfaqësues të grupeve që mund të preken nga përdorimi i këtyre pajisjeve.

Megjithatë, Austria nuk synon ndalimin e plotë të syzeve inteligjente, por vendosjen e rregullave që mundësojnë zhvillimin teknologjik pa cenuar privatësinë e qytetarëve.

Ngërç politik në Izrael, Trump lë të hapur skenarin e qeverisë së unitetit me Netanyahun

0

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes në përpjekjet për formimin e një qeverie uniteti në Izrael, në një kohë kur rezultatet paraprake të zgjedhjeve nuk garantojnë një shumicë të qartë parlamentare.

Në një prononcim për Axios, Trump tha se nuk e kishte shqyrtuar më parë këtë mundësi, por shtoi se do ta merrte në konsideratë, duke vlerësuar se kryeministri Benjamin Netanyahu ndodhet në një pozicion mjaft të mirë.

Trump pretendoi gjithashtu se mbështetja e tij kishte ndikuar në rezultatet e Netanyahut, të cilit iu referua me nofkën “Bibi”.

Megjithatë, disa nga rivalët kryesorë të kryeministrit kanë përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me të, ndërsa edhe kreu i partisë arabe Ra’am, Mansur Abbas, ka kundërshtuar një koalicion të tillë.

Sipas The Times of Israel, Trump ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të bllokut të afërt me Netanyahun gjatë ditëve të fundit.

Me shumicën e votave të numëruara, blloku i Netanyahut parashikohet të sigurojë rreth 53 vende në parlament, ndërsa partitë e tjera pritet të ndajnë 67 vendet e mbetura.

Kjo situatë e ndërlikon formimin e qeverisë, veçanërisht pasi partitë arabe, që pritet të sigurojnë 19 vende, janë përjashtuar si partnere të mundshme nga aktorë kryesorë të bllokut kundër Netanyahut.

Zelensky kërkon përfshirjen e BE-së në bisedimet me Rusinë dhe SHBA-në

0

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shpreson që Bashkimi Evropian të përfshihet në bisedimet me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, të planifikuara për muajin nëntor.

“Shpresojmë të gjejmë një mënyrë për të përfshirë Evropën”, deklaroi Zelensky gjatë vizitës në Hagë, ku u takua me kryeministrin holandez, Rob Jetten.

Ende nuk është bërë e ditur se kur dhe ku do të zhvillohen bisedimet. Sipas Zelenskyt, kjo çështje pritet të diskutohet sërish në fillim të nëntorit, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Gjatë takimit, kryeministri holandez, Rob Jetten, njoftoi se Holanda i ka premtuar Ukrainës 500 milionë euro ndihmë ushtarake, me synimin për ta ndihmuar vendin të përballojë dimrin e ardhshëm.

Paketa e re përfshin kryesisht sisteme të mbrojtjes kundërajrore dhe dronë. Më herët, Holanda kishte premtuar edhe një paketë tjetër ndihme me vlerë 1,2 miliardë euro, e përbërë nga pajisje dhe materiale jo-ushtarake.

Jetten theksoi se Rusia po shton sulmet ndaj objektivave civile dhe infrastrukturës jetike në Ukrainë, në prag të dimrit. Për këtë arsye, ai u bëri thirrje vendeve evropiane të veprojnë të bashkuara dhe të ashpërsojnë sanksionet kundër Moskës.

Në kuadër të vizitës së tij në Holandë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të takohet edhe me mbretin Willem-Alexander, gjatë mbrëmjes së sotme.

Venera Azizi: Gazetarët duhet të punojnë pa frikë, përgatitet plani kombëtar për vitet 2027–2029

0

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për formimin e Komitetit nacional për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, me synim garantimin e një mjedisi më të sigurt për gazetarinë e lirë dhe të pavarur.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, e cila theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve nga kërcënimet, sulmet dhe presionet.

Komiteti do të punojë për forcimin e mekanizmave të sigurisë, përmirësimin e hetimeve ndaj sulmeve dhe luftimin e mosndëshkimit.

Në fokus do të jetë edhe mbrojtja nga dhuna digjitale dhe paditë abuzive SLAPP, që synojnë të frikësojnë dhe pengojnë gazetarët.

Në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, do të përgatitet Plani nacional i veprimit për periudhën 2027–2029.

Azizi theksoi se gazetarët duhet të kenë lirinë të bëjnë pyetje, të hulumtojnë dhe të kritikojnë pa frikë e presion.

Sipas saj, mbrojtja e gazetarëve nënkupton edhe mbrojtjen e së vërtetës, transparencës dhe demokracisë.

Luiza Gega zbulon arsyet e shkëputjes nga garat dhe pasionin që e rikthen te atletika

0

Atletja Luiza Gega në Vizion Plus ka treguar arsyet që e çuan të shkëputej për dy vite nga gara pas Lojërave Olimpike të Parisit, duke pranuar se ishte e lodhur psikologjikisht dhe kishte nevojë të ndalonte për të reflektuar.

Luiza tregoi se, pavarësisht dëshirës për të shijuar më shumë jetën jashtë pistës, adrenalina e garave dhe emocionet e arritjes së objektivave i kanë munguar.

“Kam bërë një shkëputje prej dy vitesh pas Lojërave Olimpike në Paris. Ndihesha shumë e lodhur psikologjikisht, më shumë e ngarkuar. U shkëputa sepse rezultatet po vinin në rënie. E kisha përgatitur veten që do të ndaloja pak kohë. Dua të shijoj ndoshta edhe disa gjëra, sepse vitet ikin. Koha kalon shumë shpejt, dhe ti e gjen veten duke vrapuar nga një objektiv te tjetri. Thosha me vete: “Kur do të ndalem?”. Vendos disa objektiva, ia arrin dhe thua: “Ta provoj veten edhe pak, të shoh deri ku i kam limitet”. Duket sikur nuk do të kishte fund. Doja të shijoja disa gjëra, por prapë pashë që nuk më përmbushin aq shumë sa adrenalina e pistës. Më është dashur shumë mund dhe sakrificë. Kur i arrin objektivat, përjeton disa emocione dhe thua: “Ja, ia dola!”. Dhe këto emocione më mungonin”, tha Luiza Gega në Vizion Plus.

Kampionia u ndal edhe te sakrificat që kërkon rikthimi në nivelet më të larta të atletikës, si dhe te përkushtimi i saj ndaj akademisë ku punon me fëmijët.

“E di shumë mirë që, po të synoj objektiva evropianë dhe botërorë, do të duhet një sakrificë shumë më e madhe. Do të më duhet të shkëputem, të largohem nga Shqipëria dhe të shpërngulem për këto stërvitje, në kampe stërvitore në lartësi mbi nivelin e detit. Unë prej 12 vitesh kam shkuar në Afrikë gjatë periudhës së dimrit, më pas në malet e Korçës, thjesht për të mbajtur këtë nivel shumë të lartë. Por nuk e di nëse jam gati për t’i bërë sërish këto sakrifica, sepse e kam të vështirë që tani të shkëputem edhe nga ajo që po mundohem të ndërtoj me fëmijët. Kam dy vite që i përkushtohem akademisë që kemi”, u shpreh Luiza Gega.

Ajo  foli gjithashtu edhe për dëshirën e madhe për t’u bërë nënë në të ardhmen.

“Doja të krijoja një jetë, pse jo, edhe më të lehtë, nëse do të kem fëmijë në të ardhmen. I dua shumë fëmijët, i adhuroj. Kjo është arsyeja pse kënaqem kur punoj me fëmijët. Më pëlqen që mundohem t’u jap diçka. Jo të gjithë do të bëhen kampionë, por do të mësojnë vetëbesimin, do të mësojnë të mos dorëzohen, pra të gjitha këto të mira që marrin nga sporti”, theksoi atletja.