Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, u ka bërë thirrje partive politike që të bëjnë gjithçka për të shmangur zgjedhjet e reja, pas rezultatit të paqartë të zgjedhjeve parlamentare.
Në fjalimin e tij të parë publik pas votimit, Herzog tha se pret rezultatet përfundimtare gjatë javës së ardhshme, ndërsa paralajmëroi konsultime me grupet parlamentare për formimin e qeverisë së re.
Ai vlerësoi pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve, duke theksuar se ajo pasqyron dëshirën e izraelitëve për demokraci.
Sipas rezultateve paraprake, me rreth 85 për qind të votave të numëruara, blloku i kryeministrit Benjamin Netanyahu ka siguruar 53 mandate, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Gadi Eisenkot ka 48 vende.
Ndërkohë, partitë kryesisht arabe, Lista e Përbashkët dhe Ra’am, kanë siguruar së bashku 19 mandate, në parlamentin që ka gjithsej 120 vende.
Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, pjesëmarrja në votime arriti në 77.7 për qind, duke shënuar rritje krahasuar me 70.6 për qind në zgjedhjet e vitit 2022.
Me 5.6 milionë qytetarë që ushtruan të drejtën e votës, kjo është pjesëmarrja më e lartë në zgjedhjet izraelite që nga viti 1999, ndërsa sfida kryesore mbetet sigurimi i mbështetjes së mjaftueshme për formimin e qeverisë së re.
