Putin: Musk është gjeni, jemi në kontakt për satelitët

TË FUNDIT

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia është në kontakt me miliarderin amerikan Elon Musk për çështjet që lidhen me konstelacionet satelitore në orbitën e ulët të Tokës, pavarësisht dallimeve politike.

“Elon Musk është një gjeni industrial. Në orbitë ka më shumë se 5.000 satelitë. Jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë amerikanë, përfshirë edhe zotin Musk”, tha Putin gjatë vizitës në një ekspozitë në kuadër të samitit “Rusia – Afrika”.

Ai theksoi se Rusia dhe SHBA-ja bashkëpunojnë në fushën e hapësirës, pasi vendosja e satelitëve në orbitë kërkon rregull dhe disiplinë.

Putin foli edhe për sistemin satelitor rus “Rassvet”, i ngjashëm me “Starlink”, duke thënë se ai është ende në fazat e para të zhvillimit. Sipas tij, sistemi ka cilësi të lartë, por Rusia duhet të vendosë më shumë satelitë në orbitë. Aktualisht, në orbitë ndodhen rreth 30 satelitë të këtij sistemi.

“Është vetëm hapi ynë i parë, por jemi krenarë që e kemi nisur këtë punë në mënyrë të pavarur. Tani është e rëndësishme të kalojmë nga cilësia te sasia”, deklaroi Putin.