Ngërç politik në Izrael, Trump lë të hapur skenarin e qeverisë së unitetit me Netanyahun

TË FUNDIT

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes në përpjekjet për formimin e një qeverie uniteti në Izrael, në një kohë kur rezultatet paraprake të zgjedhjeve nuk garantojnë një shumicë të qartë parlamentare.

Në një prononcim për Axios, Trump tha se nuk e kishte shqyrtuar më parë këtë mundësi, por shtoi se do ta merrte në konsideratë, duke vlerësuar se kryeministri Benjamin Netanyahu ndodhet në një pozicion mjaft të mirë.

Trump pretendoi gjithashtu se mbështetja e tij kishte ndikuar në rezultatet e Netanyahut, të cilit iu referua me nofkën “Bibi”.

Megjithatë, disa nga rivalët kryesorë të kryeministrit kanë përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me të, ndërsa edhe kreu i partisë arabe Ra’am, Mansur Abbas, ka kundërshtuar një koalicion të tillë.

Sipas The Times of Israel, Trump ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të bllokut të afërt me Netanyahun gjatë ditëve të fundit.

Me shumicën e votave të numëruara, blloku i Netanyahut parashikohet të sigurojë rreth 53 vende në parlament, ndërsa partitë e tjera pritet të ndajnë 67 vendet e mbetura.

Kjo situatë e ndërlikon formimin e qeverisë, veçanërisht pasi partitë arabe, që pritet të sigurojnë 19 vende, janë përjashtuar si partnere të mundshme nga aktorë kryesorë të bllokut kundër Netanyahut.