Venera Azizi: Gazetarët duhet të punojnë pa frikë, përgatitet plani kombëtar për vitet 2027–2029

TË FUNDIT

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për formimin e Komitetit nacional për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, me synim garantimin e një mjedisi më të sigurt për gazetarinë e lirë dhe të pavarur.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, e cila theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve nga kërcënimet, sulmet dhe presionet.

Komiteti do të punojë për forcimin e mekanizmave të sigurisë, përmirësimin e hetimeve ndaj sulmeve dhe luftimin e mosndëshkimit.

Në fokus do të jetë edhe mbrojtja nga dhuna digjitale dhe paditë abuzive SLAPP, që synojnë të frikësojnë dhe pengojnë gazetarët.

Në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, do të përgatitet Plani nacional i veprimit për periudhën 2027–2029.

Azizi theksoi se gazetarët duhet të kenë lirinë të bëjnë pyetje, të hulumtojnë dhe të kritikojnë pa frikë e presion.

Sipas saj, mbrojtja e gazetarëve nënkupton edhe mbrojtjen e së vërtetës, transparencës dhe demokracisë.