Kinë, 80 milionë juanë për ndihmën dhe mëkëmbjen pas tërmetit në Xizang

0

Kina ka caktuar 50 milionë juanë (rreth 7.5 milionë dollarë amerikanë) fonde emergjente për ndihmë në fatkeqësi, si edhe 30 milionë juanë të tjerë për përpjekjet e mëkëmbjes pas tërmetit me magnitudë 7.0 ballë në Rajonin Autonom të Xizang-ut të Kinës Jugperëndimore.

Tërmeti goditi kontenë Baqen të qytetit Nagqu në orën 22:33 të së enjtes, duke shkaktuar 16 të vdekur dhe 54 të plagosur.

Ministria e Financave dhe Ministria e Menaxhimit të Emergjencave dhanë së bashku 50 milionë juanë për të mbështetur operacionet e shpëtimit dhe ndihmës për banorët e prekur, ndërsa Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës caktoi 30 milionë juanë shtesë nga buxheti qendror për të ndihmuar në rregullimin e infrastrukturës dhe objekteve të shërbimeve publike të dëmtuara.

Po ashtu, reagimi kombëtar emergjent për tërmetin ka kaluar nga Niveli IV në Nivelin III, duke aktivizuar njëkohësisht reagimin e veçantë të Nivelit IV për ndihmën në fatkeqësi natyrore.

Forca kombëtare e zjarrfikjes dhe e shpëtimit e Kinës ka dërguar gjithsej 350 punonjës shpëtimi dhe 83 automjete për operacionet e shpëtimit. Ndërkohë, Ministria e Menaxhimit të Emergjencave e ka orientuar departamentin e menaxhimit të emergjencave të Xizang-ut për të organizuar vendosjen e dronit “Wing Loong” në zonën e goditur nga tërmeti për zbulim fatkeqësish.

Deri në orën 6:30 të mëngjesit të së premtes, 120 punonjës shpëtimi dhe 27 automjete kishin mbërritur në zonën e goditur nga tërmeti, ndërsa 230 punonjës të tjerë shpëtimi dhe 56 automjete nga korpusi i zjarrfikjes dhe shpëtimit të Xizang-ut ishin duke shkuar si përforcime, duke hyrë të gjithë në zonën administrative të Nagqu-së.

Deri në orën 4:30 të mëngjesit të së premtes, autoritetet kishin mobilizuar furnizime ndihme në nivele qendrore, rajonale, bashkiake dhe konteje, dhe i kishin dorëzuar ato në grupe në zonën e prekur.

Këto furnizime përfshinin, ndër gjërat e tjera thelbësore, edhe 1 000 njësi banimi të parafabrikuara, 3 239 tenda, 2 821 shtretër të palosshëm dhe 4 280 jorganë.

Tetovë, ndotja e ajrit alarmon qytetarët! Institucionet zhvendosin përgjegjësinë te sezoni i dimrit

0

Vjeshta në Tetovë nuk sjell vetëm peizazhe të zverdhura, por edhe alarmin e përhershëm të ajrit të ndotur. Megjithëse temperaturat kanë rënë dhe qyteti ka kaluar pragun e ndotjes minimale, reagimi institucional mungon. Ekologët vlerësojnë se problemi kryesor qëndron te pasiviteti i institucioneve lokale dhe moskontrolli i ndotësve të mëdhenj.

Nga ana tjetër, Komuna e Tetovës sqaron se aksionet e mirëfillta në terren nuk kanë nisur ende, duke e lidhur nisjen e tyre me kalendarin zyrtar të sezonit të ngrohjes.

Por, si po ngrohen qytetarët? Në mungesë të një rrjeti qendror ngrohjeje dhe me çmime të larta të energjisë, shumë familje detyrohen të djegin çfarë të mundin – nga drurët e lagësht e deri te mbetje industriale dhe plastike, të cilat shndërrohen në helm për mjedisin.

Ekspertët dhe aktivistët mjedisorë thonë se zgjidhja afatgjatë kërkon investime kapitale dhe subvencione të drejtpërdrejta shtetërore në sisteme efeciente, siç janë pompat termike.

Përderisa institucionet presin muajin nëntor për të ndezur motorët e inspektimit dhe qytetarët llogarisin çdo kilovat rrymë për t’ia dalë mbanë muajit, Tetova vazhdon të mbetet peng i ajrit të ndotur. Pa një strategji reale subvencionimi dhe pa masa parandaluese, dimri i këtij viti rrezikon të jetë sërish një betejë e humbur me smogun.

Netanyahu urdhëron mbylljen e plotë të Bregut Perëndimor

0

Pesë izraelitë janë plagosur, ndërsa dy persona të dyshuar si sulmues palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite të sigurisë, pas një sulmi me armë zjarri në Bregun Perëndimor të pushtuar, bënë të ditur zyrtarët izraelitë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar mbylljen e Bregut Perëndimor, menjëherë pas ngjarjes, raportoi BBC. 

Pamje të paverifikuara, të publikuara në rrjetet sociale, tregojnë shkëmbim intensiv zjarri mes ushtarëve dhe dy personave të armatosur në një pikë kontrolli ushtarake, në hyrje të qytetit të Hebronit.

Ushtria izraelite vendosi “rrethim të plotë” ushtarak të qytetit të Hebronit pas sulmit. Netanyahu ka thënë se ka urdhëruar Forcat e Mbrojtjes që të përgatiten për mbylljen e plotë duke filluar nga sot, 23 tetor, por nuk është e qartë deri kur do të vazhdojë kjo gjendje. 

Sulmi ndodhi në një periudhë tensionesh të larta në Bregun Perëndimor, ku kolonë hebrenj ekstremistë po shënjestrojnë palestinezët gjatë sezonit të mbledhjes së ullinjve. 

Ndërkohë, zgjedhjet e përgjithshme në Izrael do të mbahen pas katër ditësh. 

Mashtrim me vaksina kundër kancerit në Veles, i dyshuari nën hetim

0

Një premtim për shërim nga kanceri, që dyshohet se është shndërruar në mashtrim. Një person në Veles po hetohet nga Prokuroria, nën dyshimet se u ka ofruar disa personave në mënyrë të rreme të ashtuquajturat “vaksina kubaneze” kundër kancerit, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm financiar.

“I dyshuari, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka vënë në mashtrim disa persona, duke u ofruar në mënyrë të rreme ‘vaksina kubaneze’ kundër kancerit”, njoftoi Prokuroria Publike.

Hetimi tashmë ka përfshirë kontrolle në disa lokacione. Në vendin e punës së të dyshuarit në Veles, janë gjetur prova që do t’i nënshtrohen ekspertizës, ndërsa janë sekuestruar edhe pajisje elektronike.

Prokurori publik po merr në pyetje personat e dëmtuar dhe persona të tjerë që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit.

Ndërkohë, Prokuroria i ka propozuar gjykatës që të dyshuarit t’i caktohen masa kujdesi, përfshirë sekuestrimin e dokumentit të udhëtimit dhe detyrimin për t’u paraqitur në gjykatë.

Personi aktualisht është i shtruar në një institucion shëndetësor, ku i është dorëzuar vendimi për caktimin e masave.

Prokuroria dhe Ministria e Punëve të Brendshme po vazhdojnë hetimet për të siguruar prova të tjera dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit.

Melania Trump ndërmjetëson armëpushim të kufizuar mes Rusisë dhe Ukrainës

0

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Melania Trump, Zonja e Parë e SHBA-së, ka arritur të sigurojë një armëpushim të kufizuar mes Rusisë dhe Ukrainës, vetëm për qytetin e Oleškyt.

Sipas njoftimit, të dyja palët kanë rënë dakord të ndërpresin përkohësisht të gjitha veprimet ushtarake në qytet, në mënyrë që të mundësohet dërgimi i ndihmave humanitare dhe organizimi i evakuimit të civilëve përmes një korridori të sigurt.

Marrëveshja pritet të hyjë në fuqi më 29 tetor.

Olešky është një qytet ukrainas në anën e lumit Dnipro të pushtuar nga Rusia, përballë qytetit të Hersonit.

Që nga pushtimi nga forcat ruse në vitin 2022, qyteti është shkatërruar rëndë dhe është izoluar nga pjesa tjetër e botës.

Megjithatë, mijëra civilë, përfshirë fëmijë, vazhdojnë të jetojnë atje, pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm dhe furnizime të rregullta me ushqime.

Sipas dëshmive të banorëve për Sky News, disa njerëz janë detyruar të ziejnë bar për të mbijetuar.

Armëpushimi i njoftuar synon të krijojë mundësi për ndihma humanitare dhe evakuimin e civilëve nga një prej zonave më të goditura të luftës.

Kush do të jetë shefi i ri i PTHP NKOK? Zgjedhja më 28 tetor, në gara pesë kandidatë

0

Pesë kandidatë për shef të ri të Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, tre prej tyre në studion e TV21. Të gjithë kanë programin e tyre, por cili prej tyre do ta marrë besimin nga kolegët? Në Click Plus të tre kandidatët u prezantuan dhe iu përgjigjën pyetjeve se çfarë është ajo që si prioritet do ta bëjnë nëse zgjidhen si njeriu kryesor i një prej institucioneve më të rëndësishme në shtet.

“Do të merresha me rishqyrtime të nevojshme organizative, ndoshta të natyrshme që vijnë vetvetiu. Do të merresha më së shumti dhe në mënyrë përmbajtësore, me lëndët në atë kuptim të me racionalizim të lëndëve dhe këtë e përsëris disa herë gjatë këtij procesi, kur flasim se cilat janë qëllimet dhe idetë tona. Racionalizim, sepse ne vërtet ndonjëherë në praktikë jemi tepër të ngarkuar, me, sipas mendimit tim, gjëra që nuk janë aq të rëndësishme dhe nuk bëjnë ndryshim në atë që do të thotë luftë me krimin, besim publik, thjesht luftë për drejtësi dhe ndjekje penale efikase”, tha Iskra Haxhi-Vasileva – kandidate për shefe të PTHP NKOK.

Forcimi i Qendrës Hetimore të PTHP NKOK është në fokusin e programit të prokurorit Faton Azizi.

“Hapi i parë do të ishte, po të zgjidhesha, shqyrtimi i gjendjeve momentale në prokurori. Duke pasur parasysh se unë jam pjesë e kësaj prokurorie, mirëpo nuk disponoj me të gjitha të dhënat e nevojshme se cila lëndë po zhvillohet, në cilën fazë është dhe cilat janë shkaqet e mundshme për të cilat eventualisht ndonjë lëndë ngec, a është ai shkaktar subjektiv apo objektiv. Do të bisedoja me prokurorët. Komponenti im i dytë është, pasi të kem një bisedë konstruktive me prokurorin publik, jo rastësisht gjatë gjithë kohës insistoj për forcim komponentiv të qendrës hetimore. Qendra hetimore me prokurorë të pajisur rreth prokurorit publik, është mjeti kryesor, forca lëvizëse dhe „suporti“ i prokurorit publik rreth ngritjes së efikasitetit të kësaj prokurorie”, deklaroi Faton Azizi – kandidat për shef të PTHP NKOK.

Prokurorja Raiçeviç, gjënë e parë që do ta bënte nëse zgjidhet është hetim nëse dhe sa lëndë ka në prokurori që nuk janë procesuar në afatin ligjor. Por edhe takimi me ministrin e punëve të brendshme për lëndë me interes të drejtpërdrejtë për krimin e organizuar.

“Gjëja e parë është të shihen lëndët që zgjasin në hetime më gjatë se afati i paraparë, nëse ka të tilla. E dytë, po ashtu edhe hetimet, që janë brenda afatit, por si janë zbatuar dhe në çfarë mënyre. E tretë, mbledhja e kolegëve që punojnë atje, që të më referojnë për lëndët që i posedojnë, e nuk janë përpunuar fare, cilat janë shkaqet për këtë. Dhe, edhe një, ju thashë tre, unë do të vendos edhe të katërtën, menjëherë takim me ministrin e punëve të brendshme, me udhëheqësit kompetentë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për krimin e organizuar, që të më bëjnë një prerje për krimin e organizuar, që të më bëjnë një prerje për krimin e organizuar, të dhënat, për lëndët aktuale që ekzistojnë në këtë moment”, tha Lidija Raiçeviç – kandidate për shefe të PTHP NKOK.

Zgjedhja e shefit të ri të PTHP NKOK do të mbahet të mërkurën më 28 tetor, në të cilën do të votojnë prokurorët nga të gjitha prokuroritë në shtet. Përveç Haxhi-Vasilevës, Azizit dhe Raiçeviçit, kandidatë janë edhe prokurorët Trajçe Pelivanov dhe Jovan Cvetanovski.

Gani Geci lirohet nga paraburgimi

0

Gani Geci është liruar nga paraburgimi, pasi është intervistuar në Prokurorinë e Shtetit lidhur me dyshimet për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.

Lirimin e tij nga paraburgimi e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali avokati Besnik R. Berisha.

Rasti lidhet me një postim të Mehmetajt në Facebook për deputetin Fatos Geci. Sipas dosjes së Prokurorisë, Gani Geci dyshohet se e kishte kanosur gazetarin, duke i kërkuar që ta largonte ose ta ndryshonte përmbajtjen e postimit.

Greqia ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën 15 vjeç

0

Parlamenti i Greqisë ka miratuar një ligj që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, duke vendosur që masa të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.

Nisma synon të mbrojë të miturit nga rreziqet e përdorimit të rrjeteve sociale dhe ndikimi i tyre në shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve. Projektligji u paraqit nga Akis Skertsos, ministri i Shtetit përgjegjës për koordinimin e politikave qeveritare, dhe u miratua me mbështetjen e partisë në pushtet, Demokracia e Re.

Ministri grek për Qeverisjen Digjitale dhe Inteligjencën Artificiale, Dimitris Papastergiou, e cilësoi masën si një zgjidhje të nevojshme, efektive dhe proporcionale, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

“Do të ishte shumë e lehtë të mos bënim asgjë dhe thjesht të prisnim një rregullore evropiane ‘perfekte’. Por sfida është pikërisht kjo: fëmijët po kalojnë çdo ditë gjithnjë e më shumë kohë në botën online”, deklaroi Papastergiou.

Sipas tij, një qeveri e përgjegjshme duhet të ndërhyjë për të përballuar këtë problem. Ministri e krahasoi ndalimin e ri me masat që Greqia ka ndërmarrë për të kufizuar aksesin e të rinjve te alkooli dhe produktet e duhanit.

Ligji pritet t’u kërkojë platformave të zbatojnë mekanizma për verifikimin e moshës së përdoruesve, ndërsa zbatimi i tij do të nisë në fillim të vitit 2027.

Vendimi i Athinës vjen në një kohë kur disa vende po shqyrtojnë ose po miratojnë kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, mes shqetësimeve për sigurinë online, ekspozimin ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe kohën e tepërt para ekranit.

133 vite nga formimi i VMRO-së, Mickoski: Në Ballkan shërbimet asnjëherë nuk pushojnë së punuari

0

Qytetarët tanë meritojnë perspektivë evropiane në të cilën do të mund të besojnë dhe rrugë në të cilën do të ecin kryelartë, porositi kryeministri Hristijan Mickoski në fjalimin e tij në akademinë solemne në shënimin e Ditës së formimit të organizatës revolucionare maqedonase – VMRO. Megjithatë tha se populli tashmë është tepër i lodhur për shkak të pritjes së gjatë para derës së Bashkimit Evropian.

“E kalojmë jo vetëm rrugën më të vështirë por edhe më të gjatë drejt Bashkimit Evropian të ngarkuar me shumë heqje dorë, zhvendosje dhe goditje të padrejtë. Të mëdhenjtë bëjnë atë që duan e të paktët në numër atë që duhet. Dhe kjo nuk është flluskë nga librat por pjesë nga politika reale sot. Por edhe pse shumëkush tashmë është skeptik dhe i lodhur nga kushtet, kriteret, kontestet dypalëshe do të duhet të jemi të urtë”, tha Mickoski.

Mickoski theksoi se është me rëndësi të hyjmë në Bashkimin Evropian dhe në tryezë të përbashkët të jemi të barabartë me shtetet e tjera, veçanërisht për shkak të fqinjit tonë lindor të cilin e quajti rrobaqepës të historisë. Me këtë rast ai vërejti se Evropa po bëhet gjithnjë e më e trazuar, në shumë shtete ka protesta gjithnjë e më të stuhishme, ndërsa paralajmëroi edhe për provokime të mundshme edhe në vend duke përmendur këtu opozitën.

“E në Ballkan shërbimet asnjëherë nuk pushojnë së punuari. Dhe nuk do të më çudisë nëse ka edhe nga ata që do të përpiqen të na përfshijnë në problemet e tyre apo të bartin një pjesë të ambientit të tyre në përditshmërinë tonë. E sa u përket aktorëve vendorë për një lojë të tillë kjo është shumë e lehtë. Ka disa nga opozita që për para dhe premtime të rreme për kolltuk dinë të bëjnë mrekulli. Dhe prandaj është shumë e rëndësishme që populli të jetë me vetëdije të lartë të mos bjerë në provokime të ndryshme dhe të mos imponohen çështje artificiale apo tema etnike të hiperbolizuara”, u shpreh Mickoski.

Dita e organizatës revolucionare maqedonase 23 Tetori shënohet pasi para 133 viteve në Selanik u themelua Organizata Revolucionare Brenda Maqedonase-Odrine nga Dame Gruevi, Hristo Tatarçevi, Petar Pop-Arsovi, Anton Dimitrovi, Hristo Batandxhievi dhe Ivan Haxhi Nikollovi.

Studentët refuzojnë ftesën e Ramës! Heqin stolat prej guri para Kryeministrisë dhe u vënë flakën shilteve: Jep dorëheqjen

0

Studentët protestues kanë refuzuar kategorikisht ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke larguar nga vendi stolat prej guri të vendosur përpara godinës së Kryeministrisë dhe iu kanë vënë zjarrin shilteve. Siç shihet edhe nga pamjet, të rinjtë kanë hequr stolat, duke dhënë një mesazh të qartë se nuk pranojnë të ulen në një tryezë bisedimesh me kreun e qeverisë.

Veprimi i tyre vjen pasi Rama ka përsëritur ftesën për dialog me protestuesit, ndërsa këta të fundit vijojnë të këmbëngulin në kërkesën për dorëheqjen e tij. Protesta ka nisur që prej orës 10:00 të mëngjesit, ndërsa studentëve u janë bashkuar pedagogë, qytetarë dhe mjekë, të cilët kanë dalë në mbështetje të kërkesave të të rinjve.

Pjesëmarrja e studentëve të Mjekësisë dhe Infermierisë, së bashku me pedagogët dhe mjekët, shënon një tjetër zhvillim në protestat antiqeveritare që po vijojnë prej ditësh në Tiranë. Protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Rama, ndërsa përmes thirrjeve të tyre shprehin kundërshtimin edhe ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.