Studentët protestues kanë refuzuar kategorikisht ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog, duke larguar nga vendi stolat prej guri të vendosur përpara godinës së Kryeministrisë dhe iu kanë vënë zjarrin shilteve. Siç shihet edhe nga pamjet, të rinjtë kanë hequr stolat, duke dhënë një mesazh të qartë se nuk pranojnë të ulen në një tryezë bisedimesh me kreun e qeverisë.
Veprimi i tyre vjen pasi Rama ka përsëritur ftesën për dialog me protestuesit, ndërsa këta të fundit vijojnë të këmbëngulin në kërkesën për dorëheqjen e tij. Protesta ka nisur që prej orës 10:00 të mëngjesit, ndërsa studentëve u janë bashkuar pedagogë, qytetarë dhe mjekë, të cilët kanë dalë në mbështetje të kërkesave të të rinjve.
Pjesëmarrja e studentëve të Mjekësisë dhe Infermierisë, së bashku me pedagogët dhe mjekët, shënon një tjetër zhvillim në protestat antiqeveritare që po vijojnë prej ditësh në Tiranë. Protestuesit kërkojnë largimin e kryeministrit Rama, ndërsa përmes thirrjeve të tyre shprehin kundërshtimin edhe ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
