Putin: Musk është gjeni, jemi në kontakt për satelitët

0

Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se Rusia është në kontakt me miliarderin amerikan Elon Musk për çështjet që lidhen me konstelacionet satelitore në orbitën e ulët të Tokës, pavarësisht dallimeve politike.

“Elon Musk është një gjeni industrial. Në orbitë ka më shumë se 5.000 satelitë. Jemi në kontakt të ngushtë me partnerët tanë amerikanë, përfshirë edhe zotin Musk”, tha Putin gjatë vizitës në një ekspozitë në kuadër të samitit “Rusia – Afrika”.

Ai theksoi se Rusia dhe SHBA-ja bashkëpunojnë në fushën e hapësirës, pasi vendosja e satelitëve në orbitë kërkon rregull dhe disiplinë.

Putin foli edhe për sistemin satelitor rus “Rassvet”, i ngjashëm me “Starlink”, duke thënë se ai është ende në fazat e para të zhvillimit. Sipas tij, sistemi ka cilësi të lartë, por Rusia duhet të vendosë më shumë satelitë në orbitë. Aktualisht, në orbitë ndodhen rreth 30 satelitë të këtij sistemi.

“Është vetëm hapi ynë i parë, por jemi krenarë që e kemi nisur këtë punë në mënyrë të pavarur. Tani është e rëndësishme të kalojmë nga cilësia te sasia”, deklaroi Putin.

Ronaldo mposht Messin për çmimin “BOAT”

0

Superylli portugez i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka lënë pas konkurrentë shumë të fortë për çmimin “Topi i Artë i të gjitha kohërave”. 
Çmimin inaugurues që jepet me vota të tifozëve, Ronaldo e fitoi të mërkurën në mbrëmje, duke lënë pas edhe superyllin argjentinas, Lionel Messin. 
Sezoni 2008 ku Ronaldo përfundoi me çmimin “Topi i Artë”, u zgjodh më i miri sipas votave të tifozëve. I dyti me më së shumti vota ishte sezoni 2012 i Messit. 
Ronaldo më pas i fitoi edhe katër trofe të tjerë të “Topit të Artë”. 
Në vitin 2008 pati sezon të shkëlqyer me Manchester Unitedin duke i shënuar 42 gola, ndërsa e udhëhoqi skuadrën drejt titullit të Premier Leagues dhe trofeut të Championsit. 
Votimi u hap më 1 tetor dhe u mbyll të martën, vetëm një ditë pasi Harry Kane dhe Alexia Putellas i fituan çmimet kryesore në ceremoninë “Topi i Artë”.

Një votë u kushtoi tifozëve 1 euro, ndërsa ata kishin të drejtë të votonin më shumë se një herë. 
Messi dhe Ronaldo dominuan me vota. 12 vendet e para u zunë pikërisht nga kjo dyshe.

Syzet inteligjente nën lupën e autoriteteve, Austria nis hetim për cenimin e privatësisë

0

Austria do të nisë një hetim parlamentar për përdorimin e syzeve inteligjente, mes shqetësimeve se këto pajisje mund të cenojnë privatësinë dhe të mundësojnë regjistrimin e fshehtë të qytetarëve.

Sekretari i shtetit për dixhitalizimin, Alexander Pröll, ka prezantuar një propozim me tri faza për rregullimin e kësaj teknologjie, e cila mund të përfshijë kamera, mikrofonë dhe funksione të inteligjencës artificiale.

Sipas transmetuesit publik austriak ORF, propozimi parasheh kufizime të posaçme për regjistrimin e pamjeve dhe audios, veçanërisht në ambiente të ndjeshme.

Regjistrimet pritet të ndalohen në shkolla, kopshte, dhoma zhveshjeje, tualete, gjykata, burgje, si dhe në objekte policore dhe ushtarake.

Ndërsa në hapësirat publike, regjistrimi duhet të jetë qartësisht i dukshëm për personat e tjerë.

Hetimi parlamentar do të përfshijë ekspertë të teknologjisë dhe mbrojtjes së të dhënave, si dhe përfaqësues të grupeve që mund të preken nga përdorimi i këtyre pajisjeve.

Megjithatë, Austria nuk synon ndalimin e plotë të syzeve inteligjente, por vendosjen e rregullave që mundësojnë zhvillimin teknologjik pa cenuar privatësinë e qytetarëve.

Ngërç politik në Izrael, Trump lë të hapur skenarin e qeverisë së unitetit me Netanyahun

0

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e përfshirjes në përpjekjet për formimin e një qeverie uniteti në Izrael, në një kohë kur rezultatet paraprake të zgjedhjeve nuk garantojnë një shumicë të qartë parlamentare.

Në një prononcim për Axios, Trump tha se nuk e kishte shqyrtuar më parë këtë mundësi, por shtoi se do ta merrte në konsideratë, duke vlerësuar se kryeministri Benjamin Netanyahu ndodhet në një pozicion mjaft të mirë.

Trump pretendoi gjithashtu se mbështetja e tij kishte ndikuar në rezultatet e Netanyahut, të cilit iu referua me nofkën “Bibi”.

Megjithatë, disa nga rivalët kryesorë të kryeministrit kanë përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me të, ndërsa edhe kreu i partisë arabe Ra’am, Mansur Abbas, ka kundërshtuar një koalicion të tillë.

Sipas The Times of Israel, Trump ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të bllokut të afërt me Netanyahun gjatë ditëve të fundit.

Me shumicën e votave të numëruara, blloku i Netanyahut parashikohet të sigurojë rreth 53 vende në parlament, ndërsa partitë e tjera pritet të ndajnë 67 vendet e mbetura.

Kjo situatë e ndërlikon formimin e qeverisë, veçanërisht pasi partitë arabe, që pritet të sigurojnë 19 vende, janë përjashtuar si partnere të mundshme nga aktorë kryesorë të bllokut kundër Netanyahut.

Zelensky kërkon përfshirjen e BE-së në bisedimet me Rusinë dhe SHBA-në

0

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shpreson që Bashkimi Evropian të përfshihet në bisedimet me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, të planifikuara për muajin nëntor.

“Shpresojmë të gjejmë një mënyrë për të përfshirë Evropën”, deklaroi Zelensky gjatë vizitës në Hagë, ku u takua me kryeministrin holandez, Rob Jetten.

Ende nuk është bërë e ditur se kur dhe ku do të zhvillohen bisedimet. Sipas Zelenskyt, kjo çështje pritet të diskutohet sërish në fillim të nëntorit, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Gjatë takimit, kryeministri holandez, Rob Jetten, njoftoi se Holanda i ka premtuar Ukrainës 500 milionë euro ndihmë ushtarake, me synimin për ta ndihmuar vendin të përballojë dimrin e ardhshëm.

Paketa e re përfshin kryesisht sisteme të mbrojtjes kundërajrore dhe dronë. Më herët, Holanda kishte premtuar edhe një paketë tjetër ndihme me vlerë 1,2 miliardë euro, e përbërë nga pajisje dhe materiale jo-ushtarake.

Jetten theksoi se Rusia po shton sulmet ndaj objektivave civile dhe infrastrukturës jetike në Ukrainë, në prag të dimrit. Për këtë arsye, ai u bëri thirrje vendeve evropiane të veprojnë të bashkuara dhe të ashpërsojnë sanksionet kundër Moskës.

Në kuadër të vizitës së tij në Holandë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të takohet edhe me mbretin Willem-Alexander, gjatë mbrëmjes së sotme.

Venera Azizi: Gazetarët duhet të punojnë pa frikë, përgatitet plani kombëtar për vitet 2027–2029

0

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar vendimin për formimin e Komitetit nacional për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, me synim garantimin e një mjedisi më të sigurt për gazetarinë e lirë dhe të pavarur.

Lajmin e bëri të ditur zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, e cila theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gazetarëve nga kërcënimet, sulmet dhe presionet.

Komiteti do të punojë për forcimin e mekanizmave të sigurisë, përmirësimin e hetimeve ndaj sulmeve dhe luftimin e mosndëshkimit.

Në fokus do të jetë edhe mbrojtja nga dhuna digjitale dhe paditë abuzive SLAPP, që synojnë të frikësojnë dhe pengojnë gazetarët.

Në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, do të përgatitet Plani nacional i veprimit për periudhën 2027–2029.

Azizi theksoi se gazetarët duhet të kenë lirinë të bëjnë pyetje, të hulumtojnë dhe të kritikojnë pa frikë e presion.

Sipas saj, mbrojtja e gazetarëve nënkupton edhe mbrojtjen e së vërtetës, transparencës dhe demokracisë.

Luiza Gega zbulon arsyet e shkëputjes nga garat dhe pasionin që e rikthen te atletika

0

Atletja Luiza Gega në Vizion Plus ka treguar arsyet që e çuan të shkëputej për dy vite nga gara pas Lojërave Olimpike të Parisit, duke pranuar se ishte e lodhur psikologjikisht dhe kishte nevojë të ndalonte për të reflektuar.

Luiza tregoi se, pavarësisht dëshirës për të shijuar më shumë jetën jashtë pistës, adrenalina e garave dhe emocionet e arritjes së objektivave i kanë munguar.

“Kam bërë një shkëputje prej dy vitesh pas Lojërave Olimpike në Paris. Ndihesha shumë e lodhur psikologjikisht, më shumë e ngarkuar. U shkëputa sepse rezultatet po vinin në rënie. E kisha përgatitur veten që do të ndaloja pak kohë. Dua të shijoj ndoshta edhe disa gjëra, sepse vitet ikin. Koha kalon shumë shpejt, dhe ti e gjen veten duke vrapuar nga një objektiv te tjetri. Thosha me vete: “Kur do të ndalem?”. Vendos disa objektiva, ia arrin dhe thua: “Ta provoj veten edhe pak, të shoh deri ku i kam limitet”. Duket sikur nuk do të kishte fund. Doja të shijoja disa gjëra, por prapë pashë që nuk më përmbushin aq shumë sa adrenalina e pistës. Më është dashur shumë mund dhe sakrificë. Kur i arrin objektivat, përjeton disa emocione dhe thua: “Ja, ia dola!”. Dhe këto emocione më mungonin”, tha Luiza Gega në Vizion Plus.

Kampionia u ndal edhe te sakrificat që kërkon rikthimi në nivelet më të larta të atletikës, si dhe te përkushtimi i saj ndaj akademisë ku punon me fëmijët.

“E di shumë mirë që, po të synoj objektiva evropianë dhe botërorë, do të duhet një sakrificë shumë më e madhe. Do të më duhet të shkëputem, të largohem nga Shqipëria dhe të shpërngulem për këto stërvitje, në kampe stërvitore në lartësi mbi nivelin e detit. Unë prej 12 vitesh kam shkuar në Afrikë gjatë periudhës së dimrit, më pas në malet e Korçës, thjesht për të mbajtur këtë nivel shumë të lartë. Por nuk e di nëse jam gati për t’i bërë sërish këto sakrifica, sepse e kam të vështirë që tani të shkëputem edhe nga ajo që po mundohem të ndërtoj me fëmijët. Kam dy vite që i përkushtohem akademisë që kemi”, u shpreh Luiza Gega.

Ajo  foli gjithashtu edhe për dëshirën e madhe për t’u bërë nënë në të ardhmen.

“Doja të krijoja një jetë, pse jo, edhe më të lehtë, nëse do të kem fëmijë në të ardhmen. I dua shumë fëmijët, i adhuroj. Kjo është arsyeja pse kënaqem kur punoj me fëmijët. Më pëlqen që mundohem t’u jap diçka. Jo të gjithë do të bëhen kampionë, por do të mësojnë vetëbesimin, do të mësojnë të mos dorëzohen, pra të gjitha këto të mira që marrin nga sporti”, theksoi atletja.

Iskra Haxhi Vasileva zgjedhet shefe e re e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, me 64 vota

0

Iskra Haxhi Vasileva është zgjedhur shefe e re e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHP NKOK), pasi në votimin e sotëm fitoi 64 vota nga gjithsej 171 fletëvotime të vlefshme, tregojnë rezultatet e përmbledhura nga pesë vendvotimet në vend.

Në vendin e dytë, për nga numri i votave, u rendit Trajçe Pelivanov me 57 vota. Jovan Cvetanovski mori 30 vota, Faton Azizi 14, ndërsa Lidija Raiçeviq gjashtë vota. Në votim pati edhe katër fletëvotime të pavlefshme, ndërsa 12 prokurorë publikë nuk e shfrytëzuan të drejtën e votës.

Votimi u zhvillua nga ora 8:00 deri në orën 16:00, pas së cilës rezultatet u përmblodhën në një seancë publike të Këshillit të Prokurorëve Publikë. Për këtë funksion garuan pesë prokurorë publikë: Faton Azizi, Trajçe Pelivanov, Lidija Raiçeviq, Iskra Haxhi Vasileva dhe Jovan Cvetanovski.

Procesin zgjedhor e realizoi komisioni i formuar nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, në përbërje të Ermon Nezirit, Svetllana Stojkoviqit dhe Keti Petkovës.

Prokurori publik i shtetit, Nenad Saveski, pas votimit vlerësoi se bëhet fjalë për një proces të rëndësishëm demokratik, në të cilin vetë prokurorët vendosin se kush do ta drejtojë Prokurorinë kompetente për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Ky është një proces i rëndësishëm, sepse vetë prokurorët vendosin se kush do ta drejtojë këtë Prokurori. Shpresoj që prokurori publik i zgjedhur t’u përgjigjet me përkushtim detyrave që e presin dhe që së bashku të kontribuojmë në forcimin e besimit në institucion dhe të dëshmojmë qartë një luftë efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, deklaroi Saveski.

Sipas Saveskit, rëndësia e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion i tejkalon kufijtë e sistemit të prokurorisë dhe është e rëndësishme edhe për imazhin e shtetit.

Pesë kandidatët i prezantuan programet e tyre para Këshillit të Prokurorëve Publikë më 13 tetor. Në fokus të programeve të tyre ishin forcimi i kapaciteteve hetimore, lufta kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, hetimet financiare, efikasiteti në veprim dhe pavarësia më e madhe e prokurorisë.

Zgjedhja u zhvillua për shkak të përfundimit të mandatit të shefit aktual të Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Islam Abazi, i cili u zgjodh në këtë funksion në tetor të vitit 2022. Shpallja për zgjedhjen e shefit të ri u publikua në “Gazetën Zyrtare” më 21 gusht të këtij viti.

Këshilli i Komunës së Tetovës miraton çmime të reja më të larta të ujit për periudhën 2027–2029

0

Këshilli i Komunës së Tetovës, në seancën e sotme të 20-të, miratoi çmime të reja për ujin e pijshëm dhe largimin e ujërave të ndotura, të cilat do të zbatohen në periudhën nga viti 2027 deri në vitin 2029.

Sipas çmimeve të miratuara, amvisëritë në vend të 20 denarëve aktualë për metër kub ujë, në vitin 2027 do të paguajnë 22,2 denarë, në vitin 2028 22,4 denarë, ndërsa në vitin 2029 22,8 denarë.

Për personat juridikë, çmimi do të jetë 31,55 denarë për metër kub në vitin 2027, 31,80 denarë në vitin 2028 dhe 32,50 denarë në vitin 2029.

Drejtori i ndërmarrjes publike komunale për ujësjellës dhe kanalizim, Valon Zeqiri, sqaroi se shumat janë përcaktuar në përputhje me vendimin e marrë për përcaktimin e tarifës për furnizim me ujë të pijshëm, përkatësisht për ujësjellësin publik komunal “Shar” – Tetovë, për periudhën e rregulluar 2027–2029.

Rama: Do e ulim çmimin e naftës për 35 centë në litër

0

Në kuadër të projektbuxhetit të vitit 2027, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se do e ndryshojë mënyrën e mbledhjes së taksës së qarkullimit, duke thënë se ajo do të hiqet nga çmimi i naftës dhe do të zhvendoset te automjetet.

Siç ka deklaruar Rama, kjo nënkupton ulje automatikisht 32 lekë për litër apo 35 centë.

“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë. Ndërkohë që taksën do ta vendosim te makina dhe do ta mbledhim nëpërmjet transportit rrugor. Do të vendosim një taksë qarkullimi, siç e ka Europa, për makinat e huaja që hyjnë në Shqipëri”, ka thënë Rama në lidhje me këtë çështje.

Rama ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027 me ndryshimet e parapara në vlerë 10 miliardë euro, apo më i larti deri më tani siç kanë raportuar mediat e Shqipërisë.

Si rrjedhojë, Rama ka thënë se janë gati që ta ulin normën e TVSH-së për ushqimet bazë nga 20 në 6% për 54 produkte. Gjithashtu janë paraparë edhe rritje të bonuseve në disa kategori të pensioneve.

Investime janë paraparë edhe në mbrojtje, arsim, shëndetësi e bujqësi.