“Pezullohen” bisedimet VV-LDK për presidentin, pas tërheqjes së Sejdiut

0

Nuk janë paraparë bisedime të reja për president në periudhë të afërt kohore e as nuk ka iniciativë të tillë në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura.

“Deri në këtë moment nuk ka as biseda, as ndonjë iniciativë të tillë”, ka thënë Jehona Lushaku, deputete e LDK-së, për EkonomiaOnline.

Ajo ka thënë po ashtu se LDK-ja është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë. Për të dyja këto çështje, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar masë të përkohshme.

Burime nga Vetëvendosje kanë thënë për KOHËN se nuk është planifikuar takim për këtë javë me përfaqësuesit e LDK-së.

Ndërkaq nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “nuk ka takime pa vendim të Gjykatës Kushtetuese”.

Një ditë më parë, Sejdiu, emri i të cilit u dakordua në një marrëveshje mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, tërhoqi kandidaturën duke thënë se pati mungesë të votave parlamentare për t’u zgjedhur. Po ashtu ai ka thënë se ka devijim të tërë procesit. Numrat për të mbërritur 80-votëshin nga kjo marrëveshje u bënë të pasigurt kur gjashtë deputetë të LDK-së dolën kundër marrëveshjes.

Çështja e presidentit pati çuar Kosovën në zgjedhjet e 7 qershorit. Atë kohë, Kuvendi dështoi të zgjidhte një emër të ri pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Kuvendi u konstituua me dy muaj e më shumë pas certifikimit të rezultateve, edhe pse Kushtetuta kërkon që konstituimi të bëhet brenda 30 ditësh nga certifikimi.

Kuvendi u shpall i konstituuar pa nënkryetarin nga radhët e PDK-së.

Para konstituimit të shpallur, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, arsyetonte shtyrjen duke thënë se pa një marrëveshje për presidentin, konstituimi i Kuvendit por edhe formimi i Qeverisë nuk shmangin zgjedhje të reja.

Ali Ahmeti: Demokracia e vërtetë i jep dinjitet diversitetit

0

Ali Ahmeti, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ka theksuar rëndësinë e lirisë, pluralizmit dhe barazisë si vlera themelore të një shoqërie demokratike, përcjell TV21 Në një shkrim, kreu i BDI-së ka thënë se demokracia duhet të jetë kulturë e shoqërisë dhe standard për institucionet dhe proceset politike. Ahmeti ka vlerësuar se në një shoqëri të ndërtuar mbi diversitetin, demokracia duhet të krijojë hapësirë për dallimet dhe të forcojë bashkëjetesën.

“Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, një ditë që na kujton vlerën e lirisë, pluralizmit dhe përgjegjësisë që kemi si shoqëri. Demokracia është, mbi të gjitha, testi më i lartë i pjekurisë politike. Ajo është më shumë se një arkitekturë institucionesh dhe më shumë se një proces elektoral. Është besëlidhja e heshtur mes shtetit dhe qytetarit se liria nuk negociohet, dinjiteti nuk relativizohet dhe barazia nuk mbetet vetëm një parim në letër. Në një shoqëri të ndërtuar mbi diversitetin, demokracia e vërtetë nuk kërkon uniformitet. Ajo krijon hapësirë për dallimet, i jep pluralizmit dinjitet institucional dhe e shndërron bashkëjetesën nga një nevojë historike në një vlerë shtetformuese. Demokracia duhet të jetë kulturë e shoqërisë dhe standard i çdo institucioni, çdo strukture politike, çdo gare dhe çdo vendimmarrjeje. Paqja e qëndrueshme ndërtohet mbi demokraci, ndërsa demokracia e qëndrueshme ndërtohet mbi respektin, dialogun dhe barazinë. Përballë sfidave të kohës dhe ndryshimeve që prekin rajonin dhe Evropën, përgjigjja jonë duhet të jetë më shumë demokraci, më shumë dialog dhe më shumë maturi në vendimmarrje. Ky është standardi që i duhet vendit tonë, si themel i një të ardhmeje të përbashkët, më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më evropiane. Ky është drejtimi që na afron me Evropën”, ka shkruar Ahmeti.

BDI-ja kërkon përgjegjësi nga ministri Shasivari

0

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim sot sërish kanë reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, lidhur me procesin gjyqësor në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Sipas BDI-së, Shasivari ka shkaktuar dëm të rëndë ndaj së vërtetës historike dhe kauzës shqiptare, pasi, siç thonë, ka barazuar viktimat e regjimit të Millosheviqit me agresorët.

“Deklarata skandaloze e ministrit të Drejtësisë ka shkaktuar dëm të rëndë ndaj së vërtetës historike dhe kauzës së shqiptarëve. Barazimi i viktimave të regjimit të Millosheviqit me agresorët prek drejtpërdrejt sakrificën e një populli të tërë dhe përpjekjen e tij për liri. Komunikatat e VLEN-it nuk mund ta mbulojnë këtë qëndrim. Kur një mendësi politike shfaqet kaq qartë përmes deklaratave të përfaqësuesve të vet, formulimet e mëvonshme nuk e zhbëjnë atë. Kjo është ideologjia e VLEN-it. Sot ajo u shpreh publikisht nga ministri i tyre i Drejtësisë. Dëmi ndaj kauzës shqiptare është i paprecedentë dhe kërkon përgjegjësi të qartë politike”, thonë nga BDI.

Aksioni i DAP-it në Tetovë zbraz rrugët nga taksistët! 60 vendparkime për taksi, por asnjë i licencuar

0

Këto janë pamjet që ka siguruar Televizioni 21 gjatë një aksioni të DAP, të zhvilluar gjatë ditës së djeshme kundër taksistëve në Tetovë.

Gjatë ditës së sotme, në Tetovë pothuajse nuk qarkullonte asnjë veturë me tabelën TAXI. Megjithatë, veturat e taksive ishin në punë dhe lëviznin lirshëm nëpër qytet. Ekipi ynë pyeti disa nga taksistët që ndodheshin në terren, por ata deklaruan se nuk kanë informacion se çfarë po ndodh.

“Nuk di gjë, nuk di gjë, më fal. Se di çka ndodh.”

Të pyetur nëse janë në dijeni se Komuna lëshon licencë për ushtrimin e kësaj veprimtarie, përgjigjet ishin të shkurtra.

“Nuk e di unë, unë jam fillestar.”

Për momentin, në Komunën e Tetovës janë të caktuara mbi 60 vende për parkimin e taksive. Mirëpo, për çudi, deri më tani asnjë taksist individual apo kompani nuk ka kërkuar licencë në komunë për të ushtruar këtë veprimtari ligjërisht.

“Në territorin e Komunës së Tetovës ka gjithsej 10 pozicione për vendparkime për taksitë e qytetit. 10 pozicione me nga 6 vendparkime, diku mbi 60 vendparkime. Fatkeqësisht, në Sektorin për Veprimtari Komunale nuk ka arritur asnjë kërkesë për t’u licencuar dhe për të punuar ligjërisht asnjë taksi individual, po asnjë edhe nga kompanitë e taksive, kështu që Komuna e Tetovës nuk ka licencuar dhe nuk ka dhënë leje për taksitë në këtë vit”, theksoi Albi Qamili, komuna e Tetovës.

Lidhur me aksionin e djeshëm, Televizioni 21 kërkoi sqarim edhe nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, mirëpo deri në përfundim të këtij edicioni të lajmeve nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

15 DITË NGROHJE FALAS, në Çair! Hapet gara për “Ndërtesën e Gjelbër” – ja kush mund të aplikojë

0

Energy Ecolink ka hapur thirrjen për iniciativën “Ndërtesa e Gjelbër”, një program pilot për objektet banesore që dëshirojnë të lidhen me sistemin modern të ngrohjes qendrore, përcjell TV21. Sipas njoftimit të kompanisë, ndërtesat e paraqitura do t’i nënshtrohen një vlerësimi teknik dhe operativ. Objekti që do t’i plotësojë më së miri kriteret do të përfshihet në një periudhë testuese 15-ditore të ngrohjes gjatë muajit nëntor, pa kompensim.

Për të aplikuar, ndërtesa duhet t’i plotësojë këto kushte: Të sigurohet pëlqimi i së paku 51% të pronarëve të apartamenteve;
Të ketë nënstacion funksional të ngrohjes;
Instalimi i brendshëm të jetë i përfunduar dhe funksional;
Nënstacioni të mos ketë detyrime të papaguara për energjinë elektrike.
Banorët fillimisht duhet t’i mbledhin nënshkrimet e nevojshme, ndërsa lista mund të dorëzohet fizikisht në ambientet e Energy Ecolink ose në formë të skanuar përmes postës elektronike.

Aplikimet janë të hapura nga 1 deri më 30 shtator.

Për më shumë informacione:

E-mail: info@energyecolink.mk
Telefon: +389 2 2636 156

Befason Rodri: Barcelona nuk është favorite për ta fituar Ligën e Kampionëve

0

Mesfushori i Barcelonës, Rodri, ka ndarë pritshmëritë e tij për paraqitjen e klubit katalanas në Ligën e Kampionëve, përcjell TV21. 30-vjeçari iu bashkua Barcelonës nga Manchester City më 18 gusht, duke nënshkruar kontratë katërvjeçare me klubin katalanas.

Nuk mendoj se jemi favoritë për ta fituar Ligën e Kampionëve. Sigurisht, lojtarë si unë janë transferuar pikërisht për këtë qëllim. Por, mendoj se Liga e Kampionëve nuk është një turne për ekipin më të mirë, por për ekipin që do të ketë momentet më të mira”, deklaroi Rodri për mediat spanjolle.

Në ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve, Barcelona mposhti Feyenoordin me rezultatin 5:1. Ndeshjen e radhës në garën elitare, katalanasit do ta zhvillojnë më 13 tetor kundër Galatasarayt.

SHBA: RMV-ja, pjesë e interesave strategjike në Ballkan! Uashingtoni vlerëson projektet energjetike dhe infrastrukturore

0

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shpalosur sot një kthesë të rëndësishme strategjike në politikën e tij të jashtme ndaj Ballkanit Perëndimor, duke deklaruar zyrtarisht se epoka e ndërtimit të shteteve përmes ndërhyrjeve të jashtme ka përfunduar.

Në dëshminë e tij të shkruar përpara Nënkomitetit për Evropën në Kongresin Amerikan, Zëvendës-Ndihmës Sekretari i Shtetit, Daniel Lawton, bëri të qartë se Uashingtoni zyrtar nuk do të ofrojë më “mjete të pakufizuara për qëllime të paprcaktuara”.

Ai u bëri thirrje liderëve ballkanikë që të braktisin grindjet e vjetra dhe të gjejnë vetë zgjidhje pragmatike për problemet e tyre. Sipas dokumentit të siguruar, politika e re e SHBA-së në rajon do të mbështetet në tri shtylla kryesore, ruajtja e stabilitetit, zgjerimi i interesave ekonomike amerikane dhe luftimi i krimit të organizuar transnacional që kërcënon drejtpërdrejt sigurinë e SHBA-së.

Mesazhet e prera për rajonin

Kosovë: Kritika për vonesat institucionale dhe thirrje për mbrojtjen e serbëve

Uashingtoni rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme për pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës, por shprehu shqetësim të hapur për ngadalësimin e proceseve të brendshme. Lawton vuri në dukje se agjenda e përbashkët është penguar nga zgjedhjet e përsëritura, qeveritë e zgjatura në detyrë dhe vonesat në krijimin e institucioneve. Më tej, në deklaratë ngrihen shqetësime për “shqyrtim të tepruar ligjor dhe policor ndaj popullatës serbe në Kosovë”, duke kërkuar që të gjithë qytetarët të gëzojnë të drejta të barabarta për të ruajtur stabilitetin. Ndërkohë, prania e KFOR-it mbetet jetike dhe do të vazhdojë të mbështetet nga trupat amerikane.

Shqipëri: Partneritet ushtarak dhe goditje e kartelave të drogës

Shqipëria cilësohet si një aleat i ngushtë i NATO-s me të cilin SHBA po punon ngushtë për çmontimin e organizatave kriminale që bashkëpunojnë me kartelet e Hemisferës Perëndimore. Përmes një kredie të sapofinalizuar për Financimin e Ushtrisë së Jashtme (FMF), SHBA do të ndihmojë Shqipërinë të modernizojë ushtrinë e saj dhe të rrisë blerjet e pajisjeve të prodhuara në Amerikë.

SerbiSHBA po bëhet “partneri i përzgjedhur”

Dokumenti zbulon një afrim të ndjeshëm të SHBA-së me Beogradin zyrtar me qëllim bllokimin e ndikimeve të huaja kundërshtare (si Rusia dhe Kina). Pas Dialogut Strategjik SHBA-Serbi të mbajtur në korrik, Uashingtoni po e sheh Serbinë si një vend kyç për ekuilibrin rajonal dhe po rrit bashkëpunimin në energji, mbrojtje dhe tregti.Dialogu Kosovë-Serbi ka ngecurSa i përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, SHBA vlerëson se përparimi më i madh ka ndodhur gjatë Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, të ndërmjetësuar nga Presidenti Trump në mandatin e tij të parë. Megjithatë, dialogu aktual i lehtësuar nga BE-ja ka ngecur për shkak të “mungesës së vullnetit politik nga të dyja palët”. SHBA kërkon rifillimin e bisedimeve direkte pa parakushte dhe shmangien e provokimeve.

Bosnjë, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi:

Në Bosnjë dhe Herzegovinë, diplomacia amerikane vlerëson se ka shmangur një krizë të rëndë duke siguruar tërheqjen e legjislacionit anti-Dayton nga Republika Srpska. Ndërsa Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi lavdërohen për projektet e tyre të ndërlidhjes infrastrukturore dhe energjetike (përfshirë gazin LNG), të cilat hapin dyer të reja për investimet e kompanive amerikane.

BE-ja dhe Gjermania kërkojnë reforma konkrete! Sali: Zgjerimi i BE-së është çështje sigurie

0

Në kushtet e reja gjeopolitike, zgjerimi i BE-së nuk duhet të shihet vetëm si projekt ekonomik, por edhe si çështje e sigurisë dhe stabilitetit, porositi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. Ai tha se Maqedonia e Veriut dhe shtetet e tjera kandidate për në BE duhet ta përshpejtojnë procesin e reformave përmes një pune të koordinuar ndërmjet qeverive, parlamenteve dhe aktorëve politikë.

“Në një kohë kur Evropa përballet me sfida gjeopolitike të paprecedenta, pasiguri dhe ndikime të dëmshme të jashtme, lënia e pjesëve të kontinentit tonë në një zonë gri nuk është një opsion. Prandaj, zgjerimi duhet të mbetet një investim strategjik për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më qëndrueshme, dhe ne duhet ta përkthejmë këtë angazhim politik në rezultate konkrete”, tha Bekim Sali, zv/kryeministër.

Nga Delegacioni i BE-së në Shkup kërkuan që momenti i ri për zgjerimin të shndërrohet në reforma konkrete dhe rezultate të besueshme. Zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Ben Nupnau, theksoi edhe rëndësinë e një integrimi gradual, përmes të cilit qytetarët dhe bizneset do të mund t’i ndjejnë përfitimet e BE-së gjatë vetë procesit të anëtarësimit.

“E para, hovi për zgjerim duhet të përkthehet në reforma dhe rezultate konkrete e të besueshme, dhe anasjelltas. Së dyti, një integrim më gradual do t’u sjellë përfitimet e BE-së qytetarëve dhe bizneseve gjatë gjithë procesit dhe së treti, të gjithë duhet të shfrytëzojmë përvojën dhe ekspertizën ekzistuese në rajon”, pohoi Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të BE-së në Shkup.

Mbështetje të qartë për rrugën evropiane të Maqedonisë dha edhe Gjermania. Ambasadorja gjermane në vend, Petra Dreksler, tha se reformat dhe sundimi i ligjit mbeten bazë e procesit të zgjerimit, ndërsa zhvillimet gjeopolitike e kanë bërë perspektivën evropiane edhe më të rëndësishme për stabilitetin e rajonit.

“Sigurisht, procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar fort te vlerat demokratike, sundimi i ligjit dhe zbatimi efektiv i reformave. Megjithatë, sfidat gjeopolitike e kanë ndryshuar rrënjësisht urgjencën e këtij procesi. Perspektiva evropiane nuk është më thjesht një synim afatgjatë, por një domosdoshmëri strategjike për stabilitetin në rajonet tuaja”, dekalroi Petra Drexler,  ambasadore e Gjermanisë në RMV.

Takimi Ndërrajonal i Kryenegociatorëve dhe Përfaqësuesve të Lartë Përgjegjës për Integrimin Evropian u zhvillua në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, si dhe përfaqësuesve të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Sela: Nuk hyjmë në qeveri! Përgatitemi të dalim të vetëm në zgjedhje

0

Ziadin Sela e përjashton mundësinë e hyrjes në Qeveri të Lidhjes Shqiptare, duke thënë se nuk do të pranojë të mbajë mbi vete atë që e quan “vulën e tradhtisë”. Ai u bën thirrje edhe deputetëve shqiptarë të tërhiqen nga kjo rrugë, duke paralajmëruar se pasojat nuk lidhen vetëm me politikën e sotme, por edhe me të ardhmen e fëmijëve të tyre.

“Ziadin Sela as ka ndërmend të turpërojë fytyrën e vet, por as edhe të parëve të vet dhe damkën e tradhtisë dhe vulën e tradhtisë nuk ia vendos vetes. Dhe u bëj thirrje të gjithë deputetëve që janë shqiptarë të tërhiqen nga ajo rrugë, se këtu ngjan tradhtia, këta tradhtojnë perspektivën e fëmijëve të tyre, jo çdo herë do të jenë në funksion për t’i mbrojtur ata. Prandaj atë vulë tradhtie Ziadin Sela nuk e mban. Kështu që, në atë drejtim, ata e dinë shumë mirë dhe, prandaj, duke e ditur shumë mirë, as nuk guxojnë të trokasin në derë për të negociuar me mua në Qeveri”, tha Sela.

Sela njoftoi se partia e tij po përgatitet të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, ky ka qenë vazhdimisht qëndrimi i tij politik, pasi, siç tha, përvoja me koalicionet e deritanishme ka qenë zhgënjyese.

“Synimi im dhe i strukturës politike që unë udhëheq është që ne të garojmë vetëm në zgjedhje, natyrisht që është herët, fillimisht duhet të shpallen zgjedhjet, pastaj është çështje negociatash. Qëndrimet e mia, për hir të së vërtetës, çdo herë kanë qenë të tilla”, u shpreh Sela.

Para zgjedhjeve, sipas Ziadin Selës, duhet së pari të respektohet legjitimiteti, i cili, siç thotë ai, është shkelur disa herë dhe nuk duhet të lejohet më. Sela shprehet se synimi i tij dhe i subjektit që drejton është të bëhen forca e parë politike, ndërsa verdiktin përfundimtar, siç thekson, do ta japin qytetarët.

Sali siguron se po punohet për Kodin e ri Zgjedhor: Ka përpjekje për marrëveshje, por ende është në fazën e negociatave

0

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, deklaroi se ende po bëhen përpjekje për arritjen e marrëveshjes mes partive politike për miratimin e Kodit Zgjedhor. Ai tha se për këtë po punon ministri i ri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, dhe se janë duke u zhvilluar negociata me partitë politike.

“Ai ligj u pranua njëzëri nga disa parti politike që janë pjesë e Kuvendit, megjithatë, në momentin e fundit u tërhoqën dy parti politike dhe nuk i mbështetën ato ndryshime. Pas ndryshimit në Ministrinë e Drejtësisë, tashmë ka përpjekje për miratimin e këtij ligji, megjithatë ai ende është në fazën e negociatave. Për fat të keq, ato u tërhoqën”, tha Sali.

Çështja e Kodit Zgjedhor u aktualizua sërish pasi në mes të korrikut skadoi afati për miratimin e tij, i përcaktuar në agjendën e reformave. Për këtë ligj, dje pothuajse të gjitha partitë dolën me qëndrimin se mbeten në pozicionet e tyre, që praktikisht do të thotë se nuk ka përafrim të qëndrimeve për këtë ligj. Pjesë e agjendës së reformave është edhe Kodi Penal, për të cilin afati përfundimtar i përcaktuar nga Bashkimi Evropian është dhjetori i këtij viti. Sali pret që ai të miratohet në kohë.

 “Ministri i ri është i përkushtuar edhe ndaj Kodit Penal, kështu që konsideroj se këto janë ligje që kërkojnë konsensus më të gjerë dhe mbështetje nga më shumë nivele. Ministri po punon dhe shpresoj se do të arrihet të realizohet qëllimi përfundimtar”, u shpreh Sali.

Kodi Zgjedhor është një nga disa ligje që mund të bllokohen përmes filibusteringut dhe për të cilin nevojitet konsensus mes partive politike. Dje Filipçe deklaroi se nuk pajtohen me propozimin e pushtetit për votimin e diasporës në mënyrë elektronike ose përmes postës, pasi konsiderojnë se në këtë mënyrë po përgatitet vjedhje zgjedhore. Ndërkaq, partitë më të vogla kërkojnë që të ketë një njësi zgjedhore, gjë me të cilën nuk pajtohen partitë politike shqiptare. Kryeministri Mickoski deklaroi dje se pret që partitë opozitare të dakordohen dhe të propozojnë një zgjidhje të përbashkët.