Sali siguron se po punohet për Kodin e ri Zgjedhor: Ka përpjekje për marrëveshje, por ende është në fazën e negociatave

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, deklaroi se ende po bëhen përpjekje për arritjen e marrëveshjes mes partive politike për miratimin e Kodit Zgjedhor. Ai tha se për këtë po punon ministri i ri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, dhe se janë duke u zhvilluar negociata me partitë politike.

“Ai ligj u pranua njëzëri nga disa parti politike që janë pjesë e Kuvendit, megjithatë, në momentin e fundit u tërhoqën dy parti politike dhe nuk i mbështetën ato ndryshime. Pas ndryshimit në Ministrinë e Drejtësisë, tashmë ka përpjekje për miratimin e këtij ligji, megjithatë ai ende është në fazën e negociatave. Për fat të keq, ato u tërhoqën”, tha Sali.

Çështja e Kodit Zgjedhor u aktualizua sërish pasi në mes të korrikut skadoi afati për miratimin e tij, i përcaktuar në agjendën e reformave. Për këtë ligj, dje pothuajse të gjitha partitë dolën me qëndrimin se mbeten në pozicionet e tyre, që praktikisht do të thotë se nuk ka përafrim të qëndrimeve për këtë ligj. Pjesë e agjendës së reformave është edhe Kodi Penal, për të cilin afati përfundimtar i përcaktuar nga Bashkimi Evropian është dhjetori i këtij viti. Sali pret që ai të miratohet në kohë.

 “Ministri i ri është i përkushtuar edhe ndaj Kodit Penal, kështu që konsideroj se këto janë ligje që kërkojnë konsensus më të gjerë dhe mbështetje nga më shumë nivele. Ministri po punon dhe shpresoj se do të arrihet të realizohet qëllimi përfundimtar”, u shpreh Sali.

Kodi Zgjedhor është një nga disa ligje që mund të bllokohen përmes filibusteringut dhe për të cilin nevojitet konsensus mes partive politike. Dje Filipçe deklaroi se nuk pajtohen me propozimin e pushtetit për votimin e diasporës në mënyrë elektronike ose përmes postës, pasi konsiderojnë se në këtë mënyrë po përgatitet vjedhje zgjedhore. Ndërkaq, partitë më të vogla kërkojnë që të ketë një njësi zgjedhore, gjë me të cilën nuk pajtohen partitë politike shqiptare. Kryeministri Mickoski deklaroi dje se pret që partitë opozitare të dakordohen dhe të propozojnë një zgjidhje të përbashkët.