BE-ja dhe Gjermania kërkojnë reforma konkrete! Sali: Zgjerimi i BE-së është çështje sigurie

TË FUNDIT

Në kushtet e reja gjeopolitike, zgjerimi i BE-së nuk duhet të shihet vetëm si projekt ekonomik, por edhe si çështje e sigurisë dhe stabilitetit, porositi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. Ai tha se Maqedonia e Veriut dhe shtetet e tjera kandidate për në BE duhet ta përshpejtojnë procesin e reformave përmes një pune të koordinuar ndërmjet qeverive, parlamenteve dhe aktorëve politikë.

“Në një kohë kur Evropa përballet me sfida gjeopolitike të paprecedenta, pasiguri dhe ndikime të dëmshme të jashtme, lënia e pjesëve të kontinentit tonë në një zonë gri nuk është një opsion. Prandaj, zgjerimi duhet të mbetet një investim strategjik për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më qëndrueshme, dhe ne duhet ta përkthejmë këtë angazhim politik në rezultate konkrete”, tha Bekim Sali, zv/kryeministër.

Nga Delegacioni i BE-së në Shkup kërkuan që momenti i ri për zgjerimin të shndërrohet në reforma konkrete dhe rezultate të besueshme. Zëvendësshefi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Ben Nupnau, theksoi edhe rëndësinë e një integrimi gradual, përmes të cilit qytetarët dhe bizneset do të mund t’i ndjejnë përfitimet e BE-së gjatë vetë procesit të anëtarësimit.

“E para, hovi për zgjerim duhet të përkthehet në reforma dhe rezultate konkrete e të besueshme, dhe anasjelltas. Së dyti, një integrim më gradual do t’u sjellë përfitimet e BE-së qytetarëve dhe bizneseve gjatë gjithë procesit dhe së treti, të gjithë duhet të shfrytëzojmë përvojën dhe ekspertizën ekzistuese në rajon”, pohoi Ben Nupnau, zëvendësshef i Delegacionit të BE-së në Shkup.

Mbështetje të qartë për rrugën evropiane të Maqedonisë dha edhe Gjermania. Ambasadorja gjermane në vend, Petra Dreksler, tha se reformat dhe sundimi i ligjit mbeten bazë e procesit të zgjerimit, ndërsa zhvillimet gjeopolitike e kanë bërë perspektivën evropiane edhe më të rëndësishme për stabilitetin e rajonit.

“Sigurisht, procesi i zgjerimit duhet të mbetet i bazuar fort te vlerat demokratike, sundimi i ligjit dhe zbatimi efektiv i reformave. Megjithatë, sfidat gjeopolitike e kanë ndryshuar rrënjësisht urgjencën e këtij procesi. Perspektiva evropiane nuk është më thjesht një synim afatgjatë, por një domosdoshmëri strategjike për stabilitetin në rajonet tuaja”, dekalroi Petra Drexler,  ambasadore e Gjermanisë në RMV.

Takimi Ndërrajonal i Kryenegociatorëve dhe Përfaqësuesve të Lartë Përgjegjës për Integrimin Evropian u zhvillua në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ballkani Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, si dhe përfaqësuesve të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë.