Abdullah Kurdi thotë se nuk dëshiron më të shkojë në Europë dhe se do të kthehet në qytetin e lindjes në Kobani për të varrosur gruan dhe djemtë.
Babai i djalit të mbytur sirian që u fotografua i pajetë në një plazh turk ka thënë se ai po i përgatitë trupat e dy djemëve dhe gruas së mbytur, për t’i varrosur në qytetin e lindjes në Kobani të Sirisë.
Abdullah Kurdi, një kurd sirian që ka jetuar në Turqi tre vitet e fundit, ndërsa më herët kishte jetuar në Damask, tha se nuk ka më dëshirë të shkojë në Europë.
Duke folur jashtë morgut të spitalit ku po ruheshin trupat e djemve, Kurdi tha:” Vetëm dua që t’i shoh edhe njëherë fëmijtë e mij, dhe të rri me ta gjithmonë”.
Kurdi e përshkruajti se si kishte ndodhur tragjedia në bordin e një barke që ishte nisur drejt Greqisë. Sipas tij, kapiteni kishte panikuar për shkak të valëve të mëdha dhe kishte kërcyer në det, duke e lënë Kurdin në timonin e barkës.
“Unë e mora drejtimin e barkës. Valët ishin shumë të larta dhe barka u përmbys. E mora gruan dhe fëmijtë e mij në duar dhe e kuptova se ata kishin vdekur”, tha ai.
Aylani tre vjecar, Galipi pesëvjecar dhe nëna e tyre Rehan ishin në mesin e 12 viktimave që u mbytën atë ditë në Egje. Barka ishte pjesë e një flote emigrantësh që ishin nisur nga Akyarlar, që është pika më e afërt turke me ishullin grek të Kosit në Detin Egje.