Qindra emigrantë në Hungari kaluan natën në bordin e një treni të rrethuar nga forca të shumta policie. Gjatë ditës së enjte autoritetet hungareze lejuan emigrantët që të hipnin në tren, por më pas u përpoqën t’i zhvendosin ata në një kamp azilkërkuesish në perëndim të Budapestit.
Ndërsa, gjatë ditës së premte pritet mbledhja e Parlamentit vendas për të diskutuar masa më të ashpra kontrolli në kufi. Hungaria është në fazën e fundit tashmë të ngritjes së murit me tela me gjemba në kufirin me Serbinë, prej nga hyn numri më i madh i azilkërkuesve sirianë.
Në mbledhjen e Parlamentit, pjesë e diskutimit do të jetë edhe një vendim i mundshëm për të rritur numrin e kampeve dhe debati nëse gjendja e krijuar përbën një “gjendje emergjence”.
Ditën e enjte, kryeministri Viktor Orban, deklaroi se situata është një “problem gjerman”, pasi “Gjermania është vendi ku azilantët dëshirojnë të shkojnë. Po këtë të premte, udhëheqësit e Bashkimit Europian do të zhvillojnë tre takime për të diskutuar mbi krizën.
Në tryezën e bisedimeve të Bashkimit Europian, pritet të jetë edhe një propozim i Presidentit të KE-së, Jean Claud Juncker për rritjen e kuotave të pranimit të azilantëve nga 40 mijë që ishte plani në 160 mijë. Sipas BBC-së, propozimi i ri ka të bëjë edhe me nevojën e shpërndarjes së emigrantëve, që kanë zbarkuar kryesisht në Itali, Greqi, Ballkanin Perëndimor dhe në Hungari.
