Rritje të pagave dhe pensioneve, rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe inflacion më të ulët krahasuar me disa vende të rajonit. Me këta tregues ekonomikë, kryeministri Hristijan Mickoski mbrojti politikat ekonomike të Qeverisë gjatë seancës së sotme parlamentare për pyetje të deputetëve, duke bërë krahasime me periudhën e qeverisjes së mëparshme dhe me gjendjen në shtetet fqinje.
Mickoski theksoi se rritja reale e PBB-së në vitet 2024 dhe 2025 ishte 3.8 për qind, ndërsa në tremujorin e dytë të vitit 2026 arriti në 4.3 për qind.
Sipas tij, rritja nominale e PBB-së në vitin 2024 ishte mbi 8 për qind, ndërsa në vitin 2025 mbi 7 për qind. Për vitin 2026, kryeministri pret që ajo të kalojë sërish 8 për qind, por të dhënat përfundimtare do të publikohen në fund të vitit.
Duke folur për pagat, Mickoski u ndal veçanërisht te paga neto reale, e cila llogaritet pasi merret parasysh inflacioni. Sipas të dhënave që prezantoi, në shtator të vitit 2026 ajo shënoi rritje prej 5.2 për qind.
Për krahasim, ai tha se në të njëjtin muaj të vitit 2022, gjatë krizës energjetike, paga neto reale kishte shënuar rënie prej 5 për qind.
„Situatë e ngjashme, tani kemi rritje prej 5.2 për qind, ndërsa atëherë kishim rënie prej 5 për qind. Ky është dallimi kur krahasohen dy qeveritë“, deklaroi Mickoski.
Kryeministri prezantoi edhe të dhënat për rritjen e pagës mesatare gjatë 28 muajve të fundit. Sipas shifrave të tij, paga mesatare neto nga 41.252 denarë në maj të vitit 2024 është rritur në 49.141 denarë në shtator të vitit 2026, që paraqet rritje prej rreth 20 për qind.
Në të njëjtën periudhë, pensioni mesatar është rritur nga 21.209 në 28.935 denarë, ose për 36.5 për qind.
Mickoski bëri edhe një krahasim të inflacionit në rajon, duke theksuar se në shtator të vitit 2026 në Maqedoni ai ishte 2.7 për qind.
Sipas të dhënave që prezantoi, inflacioni në Shqipëri ishte 2.9 për qind, në Slloveni 3.3 për qind, në Serbi 4.1 për qind, në Kroaci 4.7 për qind, në Mal të Zi 4.9 për qind, në Greqi 5.1 për qind, në Bullgari 5.6 për qind, ndërsa në Kosovë 7.8 për qind. Në Turqi, sipas tij, inflacioni ishte afër 30 për qind.
Si krahasim shtesë, kryeministri përmendi edhe normat e inflacionit të shtatorit të vitit 2022, kur, sipas shifrave të prezantuara, Maqedonia kishte inflacion prej 18.7 për qind, ndërsa Turqia mbi 83 për qind.
„Dallimi është i qartë dhe evident“, përfundoi Mickoski, duke vlerësuar se treguesit ekonomikë dëshmojnë dallimin mes punës së Qeverisë aktuale dhe asaj paraprake.
