Bashkimi Evropian duhet të lëvizë përpara me nënshkrimin e MSA-së dhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, në të kundërtën kredibiliteti i saj do të humbë tek qytetarët dhe institucionet e Kosovës. Kështu ka deklaruar ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku. Ai thotë se është i habitur me ngutjen e Komisionit Evropian për ta shpërblyer Serbinë menjëherë për “konstruktivitetin” e saj në dialog me Kosovën. Përderisa, shprehet tepër i zhgënjyer që BE-ja dështon ta dëshmojë me veprime konkrete se në këtë dialog është edhe një palë tjetër, e cila ka nevojë që të përfitojë shumë më tepër sesa Serbia në agjendën evropiane. Sa i përket liberalizimit të vizave, ministri Çollaku thotë se presin që një gjë e tillë të ndodhë patjetër vitin e ardhshëm.
